Pas 28 vitesh, studentët shënojnë ”Dhjetorin e dytë”

0
122

Nga Qamil Xhani 

Protesta e studentëve në mbarë vendin, shënon Dhjetorin e dytë në historinë post komuniste në Shqipëri. Nëse në 1990, studentët dolën në protesta për të rrëzuar sistemin komunist, sot studentët ”rrëzuan” qeverinë. Ashtu si 28 vite më parë edhe protestat e studentëve fillimisht ishin sociale, por arroganca e pushtetit diktatorial të asaj kohe bëri që brenda pak ditësh tubimi që nisi për kushtet më të mira të studentëve të zbulonte gjithë problemet e shoqërisë shqiptare të asaj kohe dhe të bënte përmbysjen e madhe.

Edhe sot studentët kanë kërkesë sociale dhe ekonomike që lidhen me trajtimin e tyre më dinjitoz. E drejta ligjore dhe morale është në favor të studentëve. Pavarësisht deklaratave të qeverisë, statistikat e huaja tregojnë se një student shqiptar paguan më shumë se gjithë bashkëmoshatarët e tij në rajon dhe në vendet e BE për tu arsimuar. Vetëm ky fakt tregon se sistemi ka dështuar dhe studentët janë në të drejtën e tyre të kërkojnë shumë më tepër sesa heqja e tarifave për disa provime.

Është një problem që nuk zgjidhet me një anulim VKM-je, por me gjithë mënyrën sesi arsimi dhe rinia shqiptare është tallur këto vite nga qeveria dhe politika. Për çfarë na duhen koncesionet miliarda euro, investimet në vepra të diskutueshme publike dhe qeverisja dixhitale nëse ne nuk investojmë te studentët dhe e ardhmja. Të gjitha këto vepra publike nesër nuk kanë asnjë vlerë, nëse sot studentët më të mirë i detyrojmë të emigrojnë ndërsa ata që s’kanë mundësi të ikin jashtë i shkatërrojmë me një sistem që vetëm i vjedh dhe nuk u jep asgjë. Filozofi dhe pedagogu Artan Fuga më të drejtë në reagimin e tij thotë se “sistemi arsimor ka dështuar dhe rrezikon shoqërinë shqiptare. Studentët trajtohen keq, arsimohen keq, ushqehen keq dhe punësohen keq kur mbarojnë studimet”.

Ndaj revolta e tyre sot në rrugët e Tiranës është jo vetëm për kërkesat e uljes së disa tarifave, por manifestimi më i madh dhe më shembullor që Shqipëria ka parë në gjithë këto vite. Protesta madhështore e këtyre ditëve është thirrja dhe revolta e një brezi që nuk ka asnjë lidhje me ish-diktaturën dhe nuk ka asnjë lidhje as me partitë dhe sistemin aktual. Është drama e një brezi që 28 vite pas rrëzimit të komunizmit, kupton se është kapur peng nga një qeveri dhe sistem që po u vret të ardhme dhe çdo shpresë.

Është revolta e një gjenerate që nuk pranon të trajtohet si dele dhe as të nëpërkëmbet. Njëherazi është dhe mesazhi më i bukur që vjen nga rrugët e Tiranës dhe gjithë universiteteve. Është mesazhi se ky vend ka shpresë që dhe nuk është vetëm në dorë të disa politikanëve të papërgjegjshëm. Ndaj sot gjithë Shqipëria është me studentët.

Kjo foto flet më shumë!

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here