Arian Galdini: Histori me Parti e Kryetar Partie

0
189

Histori me Parti e Kryetar Partie!

Nga Arian Galdini

Sa turp më vjen. Po po, më vjen shumë turp që më duhet të pranoj e them se edhe unë jam Kryetar Partie. Nuk më vjen turp aspak për çka kam bërë, po bëj e do të bëj, sepse e di që gjithçka në jetën time është ndërtuar e sendërtuar vetëm bazuar mbi ide, pasion, atdhedashuri, sakrifica, mund, djersë, studime, punë të ndershme, integritet, dinjitet dhe qëllim-mbarësi. Turp më vjen prej asaj çka përfaqëson kategoria e politikanëve në përgjithësi, këtu në Shqipëri, e veçanërisht kjo specia e re postkomuniste e Kryetarit të Partisë. Së pari, politikani është njehësuar me kuptimin e plaçkitësit, ndërsa Kryetari i Partisë ndahet në 3 nivele përvijimi.
1. Ose si Kryetari i Plotfuqishëm si Perëndia Diell, (2) ose si Kryetari me Parti për Deputet, (3) ose si Kryetari me Parti për vulë.

Partitë në tërësi, të mëdha a të vogla, kanë fytyrën dhe natyrën e Kryetarit.
Në një Tryezë Debati të Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë në bashkëpunim me OSBE – ODIHR organizuar në Hotel Tirana International, me teme: Kostot e Demokracise, ishin të ftuar shumë Politikanë aktivë, të rëndësishëm apo të tërhequr, si edhe shumë Kryetarë Partishë të vogla, joparlamentare.

Duke qene se ne kemi mbi 126 Parti Politike të regjistruara në Gjykatë, qëllon që kemi edhe 126 Kryetarë Partie. Numër goxha i madh ky për të shpresuar në një hapësirë e mundësi kaq të gjerë ushtrimi lirie, demokracie dhe standartesh të larta në cilësi, qëllime e aspirata.

Mirëpo ç’ndodh në të vërtetë?

Njëri prej Kryetarëve zë vend në Tryezën e Debatit, përshëndet rëndë rëndë kolegët e tjerë Kryetarë, nuk ua hedh sytë fare të pranishmëve të tjerë jokryetarë dhe hedh sytë mbi dosjen që kishte para tij. Lexon togfjalëshin: Kostot e Demokracisë.

Dhe ia nis të qëmtojë nëpër dosje. Nuk e gjen atë që kërkonte. Disa njerëz po flisnin me mikrofon për Reformën Zgjedhore.

Ky nuk po e kuptonte se ç’lidhje kishte Reforma Zgjedhore me kostot e demokracisë.
Kêrkon me sy kolegët Kryetarë.
Edhe ata ishin po aq të hutuar sa ky.
Diçka nuk shkonte mirë.
Ky Kryetari i partisë së vogël, ngrihet vrik dhe del nga salla. Një koleg tjetër Kryetar Partie Joparlamentare që e vuri re shqetësimin e tij, e ndjek nga pas.
Dalin nga salla dhe kërkojnë dikë nga organizatorët e Tryezës.
Aty përjashta ishin disa vajza që shënonin emrat e të pranishmëve.
Dy Kryetarët u afrohen vajzave.
Dhe Kryetari në fjalë u shkon i mrrolur dhe i pyet me zë autoritar: Çupa, ju me organizimin mereni këtu?

Ato pohuan plot buzëqeshje se ishin pjesë e stafit.

Kryetari gërvishti zërin dhe u buçiti në fytyrë vajzave: Po si nuk ju vjen turp që na ftoni neve këtu si Kryetarë Partie, na vini para dosjen me shënimin kostot e demokracisë, e nuk shënoni asgjëkundi çmimin?

Vajzat zgurdulluan sytë dhe thanë pothuajse njêzëri: Për çfarë çmimi e keni fjalën zotëri?

Dhe Kryetari i inatosur ua priti: Si për çfarë cçmimi?
A paska kosto demokracia? Sa e ka çmimin pra? Këtë duhet të na e shënoni në dosje. E flisni fjalë të mëdhaja për transparencën, pale. Turp tju vijë….

Kjo histori e ndodhur mu në mes të Tiranës, mua më shtyu të reflektoj thellë për arsyet që më kanë shtyrë të bëhem edhe unë si ky Kryetari, pra koleg me këtë Kryetarin, domthenë Kryetar Partie.

O Zot sa e tmerrshme është.

E përsëris që ndihem kaq i turpëruar.

Prandaj edhe vendosa ti shkruaj këto rradhë, që tu them miqve, të afërmve, shokëve, të njohurve të mij, e kujtdo që më njeh apo lexon këto rradhë, e madje të gjithë qytetarëve shqiptarë, se ju kërkoj ndjesë që jam edhe unë politikan e Kryetar Partie.

Ju kërkoj ndjesë dhe mirëkuptim.

Kam një jetë të tërë që ia dedikoj librave, studimeve, auditorëve të universitetit ku punoj si pedagog, aktivizmit civil e publik, kontributit politik, e ja ku vjen kjo ditë kur më duhet të jem para syve tuaj, në mendjet tuaja, në dijeninë tuaj, si Kryetar Partie, koleg me këtë Kryetarin e mësipërm.

Ky është fundi i botës.

Është ky fundbote që po shtyn shqiptarët drejt dëshpërimit të thellë e pashpresësisë vrastare.

Është ky fundbote që i bën shqiptarët ti besojnë më shumë kanabisit se politikanit, me shumë llotarisë amerikane se partive, me shumë cubave se shoqërisë civile, me shumë votëshitjes se intelektualëve.

Shqiptarët e kanë të vështirë të dallojnë ndryshimin.

Nuk kanë asnjë faj.

Sido që të mendoj unë për veten, çfarëdo që të them, shkruaj e bëj unë ndryshe, për shqiptarët unë jam kolegu i këtij Kryetarit që përmendëm.

Këtu mbaron edhe fuqia ime për të besuar se mund tia dal mbanë të shpalos vizion, ide, alternativë, shpresënxitje.

Nuk mundem më. Dorëzohem dhe ia lë në dorë çdo gjë vetëm planit të Zotit.

27 – 28 vjet më parë, iu bashkova Partisë Demokratike.

20 vjet dhashë gjithçka mundesha e besoja për të mirën e Partisë Demokratike e nëpërmjet PD për transformimin pozitiv të vendit tim.

Deshtova sepse zëri im në këto 2 dekada mbeti një zë i mekur prej anëtari të thjeshtë partie.

Askush nuk ma fërshëlleu.

Jo për shkak të pazotësisë sime, e as për shkak të pavleftësisë e moscilësisë së ideve, veprimeve e aktivizmave të mia, por për shkak të moskompromisit tim me të fuqishmit, për shkak të moskonformimit tim, për shkak të vendimit tim që të mbroja me çdo kusht dinjitetin tim.

Ndërkohë për mbi 2 dekada jam përfshirë edhe në aktivizmin civil, ku herë kam drejtuar, herë kam ideuar, herë kam nismuar, e shpesh herë kam ndjekur protesta, kauza, tematika dhe veprimtari civile.

Ia dola mbanë edhe të bëhesha zë publik.

Jo i famshëm, jo i rëndësishëm, por thjesht zë publik. Ama i shquajtshëm për dinjitetin dhe integritetin tim.

Përsëri, mbeta zë i mekur.

Jo për shkak të pazotësisë apo pavlefshmërisë së aktivizmit tim civil, por për shkak se shoqëria civile në Shqipëri është si eunuku që e di shumë mirë sesi bëhet ajo punë, veçse nuk e bën dot.

Kam folur nëpër TV, kam shkruar pafund nëpër gazetat më të mëdha në vend.
E megjithatë, mbeta një zë i mekur.

Jo për shkak të pazotësisë apo pavlefshmërisë së çka kam thënë, debatuar apo shkruar nëpër TV e gazeta, por sepse në Shqipëri vuajmë nga tirania e shpërfilljes, kur ti ke të drejtë të flasësh, ama nuk ke të drejtë të dëgjohesh.

Partitë politike nuk kanë demokraci të brendshme.

Shoqëria civile është ose zyrë punësimi ose paradhomë e partive politike.

Aktivizmi publik është si koncert në shkretëtirë.

Kësisoj ti je në dilemë të thellë.

A do marësh tet bij, tët shoqe e tia mbathësh një orë e më parë nga ky vend, apo do të përpiqesh tua bësh këtë vend bijve të tu e atyre që do vijnë, një atdhe më të mirë?

Dilema bëhet edhe mê dramatike kur ti i sheh Partitë e vogla joparlamentare dhe kêta Kryetarët e gërrmuqur që ankohen se Kodi Elektoral po u mbyt ekzistencën…

Mirë tua bêjnë. Më vjen keq por PD dhe PS, kanë të drejtë në ujdinê e tyre me konsensus negativ.

Shumica e këtyre partive joparlamentare e shumica e këtyre Kryetaréve kokëboshê e të ngrefosur, idiotë e të pashkollë, kaqola e batakçinj, meritojnë të shuhen e zhbëhen politikisht një orë e më parë.

Janë karagjozlliku dhe turpi i demokracisë shqiptare.

Nuk kanë ide, nuk kanë pasione, nuk kanë atdhedashuri, nuk kanë parime.

Kanë vetëm vula dhe skuthëri të pashoqe.

Andaj qoftë edhe me koston që unë dhe partia ime të jemi viktimat e para të Kodit Elektoral dhe ujdisë me konsensus negativ PD – PS, jam mbështetës i fortë dhe i pamëdyshtë i padrejtësisë më të drejtë në botë që ua shuan vulat dhe partitë këtyre Kryetarëve Bufonë që bredhin nga Tryeza në Tryezë kot së koti e me qëllime pa qëllime vetëm sytë nga duart e ftuesve dhe mendjet tek të kapin ca të kapin.

Mjaft më me këta.

I dua alternativat e reja, nismat e reja, por jo partitë që bëhen të rënda sa vula në xhepin e Kryetarit.

Nismat dhe alternativat e reja nuk behen parti vulash, por përballen me realitetin e egër.

Nuk ta dhuron kush të drejtën.

Në xhungël nuk shkon pêr të zënë dhomë a sallë hoteli.

Në xhungël shkon për përballje dhe ti e di që aty  nuk ka rregulla.

Nismat dhe alternativat e reja i dua fort por dua ti shoh luftarake.

Vetë e kam krijuar LDE jo për të hyrë në xhungël me GPS që më çon tek Hoteli i rradhës.

Jo.

Po kërkoj dhe po mendoj të bëj përballjen.

Ka edhe një shteg tjetër.

Mund edhe të konformohesh.

Të mbyllësh sytë, gojën, veshët e të ndjekësh vallen indiane të shiut në çadrat e politkës së sotme.

Ti je pedagog, je i mirëpaguar.

Nuk je paguar kurrë nga politika, partitë apo shteti.

Gjithmonë bukën e gojës e ke nxjerrë me djersë, ndershmëri, mund e studime.

Ti ke integritet e nuk je kurrë i gatshëm të bësh lëshime mbi dinjitetin tënd.

Nuk ke pse bën as servilin, as prapanicëlëpirësin, sepse ti në jetën tënde private, si qytetar privat, ia ke dalë mbanë.

Ti ia ke dalë mbanë sepse je në gjendje të jetosh mirë në privatsinë tënde, nuk ke nevojë as për politikë e as për parti, për të jetuar mirë dhe për të qenë zë publik.

Ti je zë publik krejt i vetëbërë e me meritë, e nuk i ke borxh askujt për asgjë.

Askush kurrë nuk të ka ndihmuar, mbështetur apo lehtësuar.

Madje kanë bërë të pamundurën për të të rrëzuar, penguar, përçmuar, shpërfillur, asgjësuar.

Ti ia ke dalë. Privatisht ia ke dalë.

Ku nuk ia ke dalë mbanë?

Tek publikja.

Ke dështuar që idetë, qëllimet e tua të mbara, aftësitë e tua, zotësitë e tua, vizionin tënd, ti bësh si ndikuese mjaftueshëm për ti kthyer në shërbesë publike për të mirën publike.

Fakti që ti i ke bërë publike idetë e tua dhe qëllimet e tua të mbara  është në vetvete një mënyrë për ta ushtruar shërbesën publike.

Mosmbërritja e këtyre ideve e qëllimeve të mbara në kapacitete ndikuese apo vendim-marrëse, është dështimi që ti pëson kur përballesh e përplasesh me sistemin e pushteteve dhe të fuqishmëve.
Këta nuk lejojnë as konkurencën, as garën, as rregullat e lojës.

Përballja e përplasja jote me këta, është si rrokje e kokës me murin.

Nuk ka asnjë çudi në thyerjen e kokës tënde kur ti godet murin.

Çudia qëndron tek mosdorëzimi yt.

Ti vazhdon të thyesh kokën, e megjithatë nuk ngre duart lart, por ringrihesh vetë në këmbë sërish e sërish.

Ti e ke ndarë mendjen që të provosh deri në grimën e fundit të fuqisë e grahmën e fundit të frymëmarrjes së shpresës e besimit tënd, mundësinë e thyerjes së murit.

Provon si anëtar partie të madhe.
Thyen kokën tënde.
Provon si aktivist civil.
Thyen kokën tende.

Provon si qytetar vetmitar e guximtar. Thyen kokën tende.
Nuk do te ikësh nga Shqipëria.
Do që tia bësh Shqipërinë, bijve të tu dhe atyre që janë e do vijnë, një atdhe më të mirë, më të denjë, më të drejtë.

Kështu që vendos të bësh një Parti bashkë me miq e shokë e të njohur e të panjohur por të frekuencuar shpirtërisht e që jane si ty, e mendojnë si ty dhe aspirojnë si ty një atdhe më të mirë, më të drejtë, më solidar e më të denjë.

Bëhesh Kryetar Partie dhe provon të thyesh kokën edhe njëherë tjetër duke u përballur me Sistemin.

Ja këtë dua tu them unë qytetarëve të vendit tim.

E di që jam Kryetar si ai kolegu tjetër Kryetar që kerkonte çmimin e demokracisë në Hotel Tirana.

Për këtê ju kërkoj ndjesë.

Veç një gjë ua them me bindje e siguri.

Unë nuk jam as Kryetar Diell, as Kryetar për Deputet, e as Kryetar për vulë.

Nuk kemi bërë parti që të vegjetojmë nga Tryeza në Tryezë për të kap ça të kapim.

Jam Kryetar për të thyer kokën time.

Nuk po kërkoj kapele e as kaskë për të mbrojtur kokën time.

Nuk po kerkoj as ti ngjitem murit, as të bëhem një tullë më tepër në mur.

Po kërkoj të thyej kokën time, ose të thyej murin.

Për këtë kërkoj mirëkuptimin tuaj.

E për ta mbyllur, po ju them një të fundit gjë.

Nëse në fund të kësaj beteje si Kryetar, unë do të thyej edhe njëherë tjetër kokën time, mos u shqetësoni për mua.

Unë do të jem përsëri mirë.

Sepse do të tërhiqem në vetminë time ose do të iki nga ky vend.

Do të tërhiqem a iki i qetë që bëra gjithë sa munda për ta thyer murin, e shumë i deshperuar që nuk e theva dot murin.

Por do të jem mirë.

Sepse vetjakisht unë ia kam dalë. Jam vetëbërë e vetërealizuar në plotësi.

Ama po nuk ia arrita që të thyej murin e së keqes që mban peng vendin tim, atdheun tim dhe të bijve të mij, do të më ligështojë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here