Mos u përpiq të jesh qytetar, se përndryshe quhesh k… kandar

0
324

 

Dr. Ndriçim Mehmeti

Emo ç’është!   Ju duket çudi? Po the faleminderit në lokal, quhesh gomar. E pse te thuash faleminderit kamerierit që të shërben, vajzës që kalon shpenzimet e tua në supermarket, këpucarit që të rregullon këpucët, muratorit që të riparon shtëpinë? Në fund të fundit a i dhe lekët, të bëjë shërbimin dhe le të pirdhet. U dashka dhe faleminderit. Pse duhet t’i thuash mësuesit, profesorit, doktorit infermierit faleminderit, të lutem, më fal, ndjesë, a ka mundësi, mundem të hyj etj? Pse? A paguhen të gjithë këta që të të shërbejnë, të ulin kokën, e mos të na çajnë trapin se shumë i kemi duruar. Marrin gjithë ato lek dhe duhet t’i themi faleminderit. Mësuesi bën kurse privat, profesori merr lek dhe provon dhe ndonjë studente për dijet e saj në orët e vona të mbrëmjes ose në mesditë, doktori është fryrë me lek, e ku qëndron arsyeja që duhet t’i themi faleminderit?

Kush është fjalori më trendy që përdoret prej mëngjesit deri në darkë, prej rrugës e deri në ekran.

Kafshë, budalla, pallë, qelbësirë, idiot, qorr, k… kandari, debil, i shtrembër, katundar, kafshë, etj. Po pse janë më të kërkuar dhe më trendy? Sepse të bëjnë më të fortë, më të dashur për publikun, më elegant, më të kërkuar ndër gjindjen mashkullore dhe femërore. Është shumë më mirë, kur në rrugë e në ekran lëshon ndonjë pështymë. Pale të jesh në shkollë dhe të rrahësh miletin në sy të vajzave dhe të dashuruarave, ta degjenerosh me fjalorin më të ulët që mund të gjesh. Atëherë po. Fama jote arrin kulmin ën shkollë dhe jashtë saj. Nuk ka nevojë të shpikësh ndonjë fjalor magjik, mjaftojnë fjalët e mësipërme dhe sharjet me libër shtëpie. Nëse kalon mësuesi është mirë të pështysh në tokë me tërë fuqinë tënde sesa ta përshëndesësh. Nëse një djalë apo vajzë janë të urtë dhe mësojnë, nxirrini nga vatha juaj, se ata janë e ç’nuk janë, po nuk janë të sërës së shoqërisë sonë. Nuk kanë të dashur/dashura, nuk dinë të puthin, të pinë një gotë alkool dhe për më tepër kanë bërë mëkatin e madh: Nuk kanë tymosur një cigare hashash që në moshë të re. Po ky nuk është vetëm një trend i të rinjve. Në pallat mund të ngjitesh me të moshuar, të martuar, burra namazi, të vetëquajtur intelektual, të cilët, nuk të thonë as mirëmëngjesi e mirëmbrëma e as nuk të përshëndesin. Përkundrazi të shohin shtrembër sikur i ke ngrënë bukën dhe dalin nga ashensori duke shfryrë. Po në mjediset e “kulturuara” përreth pallatit. Çfarë ndodh? Pijedashës, qejflinj, të cilët me sy të skuqur e çakërritur prej alkoolit vështrojnë këdo që kalon burrë, fëmijë a grua qoftë. Mbllaçiten e lëshojnë spërkatlat e thërrimeve të bukës, qepës e hudhrës në fytyrat e njëri-tjetrit e shpalosin edhe ata fjalorin trendy. Kur shikon këtë zallamahi, thua me vete; “Ngjitu lart në shtëpi dhe hap televizorin që të qetësohesh”. Dhe vërtet mund “të qetësohesh”. Shikon lloj “performancash” artistike, forma trupore me veshje plot transparencë, që shkulen së qeshuri me veten. Po gjithësisë ti je i duruar se tani ka shumë kanale televizive. Kështu që rri e kundron fare i qetë duke gjerbur kafen e pasdites dhe sheh bukuritë e natyrës, matanë vendin tonë. Në mbrëmje po. Në mbrëmje vonë ke mundësi që të shohësh e dëgjosh sa për tërë jetën e më  shumë akoma.

Cila është risia e mbrëmjes përpara televizionit

Ja këto që ndodhën jo më larg se pak orë më parë e na shoqërojnë çdo ditë. Këto thyerje e sharje më kujtuan se shoqëria jonë ka më shumë nevojë për mutacione se qytetar. Prej ekranit, gjiganti, i madhi i të mëdhenjve, gazetar, politolog, teolog, aktor part time, lëshoj një batare fjalësh xhevahir: Debil, dhi e zgjebosur, k… kandari, idiot, kafshë etj. Më parë kishte shkuar deri tek shprehja qorr dhe idiot. Ndërsa tani e ka pasuruar shumë fjalorin. Në krah të tij ndodhet ai, që ngjan më shumë me një Sherlok Holms, por akoma më i sofistikuar. FBI ka ardhur dhe po heq të zinjtë e ullirit për ta bindur të punoj me një kontratë të majme, për çështje që nuk i zgjidhin dot. Ai i di të gjitha, çfarë ndodh, si do ndodhi, pse do të ndodhi, kush janë ata që e bëjnë, ku fshihen, pse fshihen, kujt i tremben. Ai i gjithë dituri, di i kujt është një zë që dëgjohet, si përgjohet, përse përgjohet, nga kush përgjohet, i kut është muri i ndërtesës, selvia në anë të rrugës, madje po të jetë video, mund të ndiejë edhe erën e kafesë që po bluhet në pallatin karshi. Pale kur flet dhe për sportin, të le pa mend. Ta kundërshtosh? Nuk bëhet fjalë. Nuk të le të flasësh një minutë, se e ke gabim: “Ja prite, çfarë vendimi do të marrë gjykata. Janë prova kot. Nuk ka çfarë bën prokurori etj”. Nostradamus i gjallë, i pa përsëritshëm në llojin e vet. Ka edhe një racë tjetër. Ajo është raca e finëve, “evropianëve të kulluar”, që gabimisht u ra fati të qëndrojnë në këtë Shqipëri mjerane. Ata modestish po fare modestisht i parashikojnë gjërat nga 2 deri në 2 vjet para se çfarë do të ndodhi. Dinë të jenë sarkastik, ironik, qesëndisës, xhentil, këmbëngulës dhe madje trashin zërat dhe kthehen në çuna lagje, kur ja do puna dhe vakti. Nuk ka asnjë pikë dyshimi se fjala e tyre “është ligj, e pakundërshtueshme, dinë të rendisin faktet, ngjarje, kanë një logjikë jashtëzakonisht të shëndoshë, me një argument dërmues dhe shumë të qëndrueshëm”. Kanë edhe një gjë të vockël fare, renditen gjithnjë me pushtetin dhe kundërshtojnë egërsisht opozitën. Këtë jo se e bëjnë me vërtetë se janë me qeverinë. Jo dhe jo. Kanë një merak shumë të madh: Interesin publik, i cili do që qeveria të jetë e qetë që të punoj (në rastin tonë të vjedh dhe shkatërroj gjithçka) dhe opozita “të risë veten e saj, të bëhet e besueshme, një aset për vendin, të ketë më shumë argumente, të mos marrë nëpër gojë kryeministrin e ministrat, të shkojë në parlament ku është arena, aula, agora e vërtetë e luftës politike”. Pra “të mençurit, gojë mjaltë”, hera-herës gojë përdalët, na dalin dhe na japin moral  për gjithçka: Seksin, veshjet, ushqimet, kriminalitetin dhe së fundi sesi duhet të jetë shoqëria jonë sipas tyre, në mendjen e tyre dhe se modeli duhet të jenë pikërisht. Pra është shumë e thjeshtë; Ti je qytetar me qëllime dhe etikë të lartë, por ç’e do, se “kur ta bëjnë borxh” duhet të shpalosësh gjithë arsenalin tënd të fjalorit më etik të shoqërisë: Trap, k…. kandari, idiot, kafshë, horr, qorr, legen etj, etj. Pa nuk e bëre haram të qoftë. Faleminderit, të lutem, ka mundësi, mundem të them një gjë, nuk hyjnë më në fjalorin modern qytetar. Dhe e fundit por më e rëndësishmja, sa herë që e shikoni se e “teproni” në televizor e ju shohin mileti e hidhni kollaj fare: Kruani kokën nja dy herë, thoni një më fal duke i dhënë fytyrës një pamje shumë serioze dhe pas gjysëm ore rikthehuni në origjinë, sepse vesi del me shpirtin.

E kur shpirti është i shitur, atëherë vesi është identiteti yt i vërtetë o “qytetarë të denjë” e të paguar mirë për të shkatërruar shoqërinë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here