Vetëshpallja fajtore e Xhisielës/ Klajda Gjosha: Kemi kaluar në terrorizëm shtetëror

0
177

Deputetja e LSI Klajda Gjosha e ftuar ne emisionin Top talk ne Top Channel theksoi mohimi i akuzave për dhunë nga Xhisiela Maloku një natë më parë nuk janë gjë tjetër veçse një shenjë e terrorizmit shtetëror.

Intervista e deputetes së LSI-së, Klajda Gjosha, për emisionin ‘Top Talk’ në ‘Top Channel’

 

Fillimisht do doja të ndalesha në një përjetim tëndin përsa i përket rrëfimit të Xhisiela Malokut?

Unë mendoj që nuk kemi të bëjmë vetëm me rastin ‘Xhisiela’. Këtu është krijuar fenomeni ‘Xhisiela’ tashmë, që është shumë herë më i madh, që ka përfshirë gjithë opinionin publik, e ka tronditur atë. Prej një jave tashmë diskutohet pafundësisht për çështjen e Xhisielës, por jo vetëm, për mënyrën se si ka reaguar shteti, që nga momenti i parë i denoncimit të saj në datën 21 korrik të këtij viti, çfarë ka ndodhur më pas, procedurat e ndërmarra dhe deri ku kemi arritur ne deri në këto momente, apo deri mbrëmjen e djeshme, ku Xhisiela ishte e detyruar të fliste ndryshe nga çfarë kishte denoncuar për herë të parë në komisariat.

Kush është Xhisiela e vërtetë, ajo e mbrëmshmja apo ajo e komisariatit të policisë?

Unë besoj që gjithçka që kemi parë rreth Xhisielës është e vërteta e hidhur, realiteti i hidhur që po kalon vendi. Nga ajo që kemi parë mbrëmë, për mua kemi kaluar në terrorizëm shtetëror, sepse të detyrosh një vajzë të dalë përpara kamerave të shprehet ndryshe nga denoncimi i saj i parë dhe t’i mësosh asaj se çfarë duhet të thotë dhe që ajo nuk duhet fare të cedonte në fjalët që thoshte. Po të shikonit Xhisielën, në vetvete paraqiste probleme të jashtëzakonshme për atë çfarë i ka ndodhur asaj, pavarësisht se si mund të jetë dukur në publik. Dua sot t’i drejtohem gjithë publikut shqiptar, a mundet që një vajzë 25-vjeçare nëse do donte t’i bënte keq vetes saj, nëse do donte ta dhunonte veten e saj, do ta digjte me cigare? A e imagjinoni dot ju këtë?

Në një farë mënyre ajo e pranoi edhe vetë që ishte goditur me një shpullë, të cilën e konsideroi si normale. Por, dua të ndalem tek fakti se opozita akuzon kryeministrin se po e mbron politikisht deputetin e saj… Pse mendoni se ai duhet të ndërmarrë një risk kaq të madh me kosto politike për të mbrojtur një deputet të tij, ndërkohë që mund t’i hiqte mandatin…?

Kemi të bëjmë me fenomenin që opozita ka kohë që e ngre që janë lidhjet e politikës me krimin. Nëse ju cënoni në një rrjet mafie, një individ të caktuar, pjesë e këtij rrjeti, të gjithë do bëhen bashkë për të mbrojtur njëri – tjetrin. Ose rrjeti do të shpërbëhet. Duke filluar nga Kryeministri e të gjithë me radhë nuk e kanë aq të thjeshtë të përballen me drejtësinë, me të vërtetën, me gjithçka që po realizohet në një vend të vogël që quhet Shqipëri dhe që ne paskemi kaluar në këto momente në të tilla standarde mafioze, komprometuese, shkatërruese për një vajzë të re. Këtu bëhet fjalë për dhunimin e një shoqërie të tërë.

Politikisht opozita është në gjithë të drejtën e saj që ta akuzojë qeverinë, ta sulmojë atë për një mijë arsye, por a është normale që t’i kërkohet ende pa u faktuar kryeministrit shkarkimi i një deputeti? Pra, me çfarë tonusi politik mund t’u drejtohet opozita kryeministrit për të larguar një deputet?

Mund t’i drejtohet për vetë faktin se, nëse deri dje ne e mendonim lidhjes e politikës me krimin, sot fenomeni Xhisiela e ka faktuar atë. Kemi një vajzë që ka denoncuar në polici në datën 21 korrik. Ka tërhequr denoncimin, ashtu sikurse edhe nënkomisari, i cili sot ndodhet jashtë Shqipërie, ku edhe ai e shpreh gjithë terrorin dhe kërcënimin që i është bërë për jetën dhe familjen e tij. Por, kur ne kemi një nënkomisar që është larguar si pasojë e terrorit të Policisë së Shtetit, imagjinoni një vajzë të re. Të paktën nga dokumentet që ai ka bërë dhe ka faktuar në media, në fakt tregohet e kundërta, që Policia e Shtetit dhe Ministria e Brendshme ndaj email-eve të tij dhe gjithë dokumentacionit që ai u ka dërguar këtyre institucioneve. Çfarë do të bënit ju nëse do të ishit i vetëm përballë një shteti, i cili ju terrorizon? Është e thjeshtë ta bësh analizën këtu ku jemi ulur ne sot, sepse këtu kemi të bëjmë me një retorikë dhe të dy shprehim atë që mendojmë. Por të përjetosh atë realitet, të përjetosh atë dhunim përballë një shteti të tërë, unë besoj që është shumë e rëndë. Dhe ne sot nuk duhet të merreshim me nënkomisarin, as me vajzën, e cila ka një urdhër mbrojtje tashmë që nuk e ka pranuar, por ajo n fakt duhet të kishte kaluar një kohë të caktuar të marrjes në rehabilitim, të diskutimit me psikologun, e kështu me radhë. Pra, çështja që ngre opozita është e drejtë. Këtu kemi një parlament që është i mbushur me njerëz me rekorde kriminale, apo kemi krimin tashmë që ka hyrë në një formë më të sofistikuar, sepse ne fusim në parlament komshiun, miken, vajzën e kështu me radhë dhe krimineli qëndron pas dyerve për të urdhëruar atë individ që ka vënë dorën mbi Kushtetutë që do t’i bindet asaj dhe do t’i përgjigjet ligjeve të këtij vendi. Është shumë herë më e rëndë ajo që po denoncohet realisht.

Në fakt, retorika politike është nxehur kohët e fundit dhe kriminalizimi qeverisjes sikurse ju thoni, është në majat e saj. Pritej një opozitë më e flaktë në shtator, priteshin protesta, por asgjë nuk ndodhi nga këto. Shtatori mbaroi, ju thjesht jeni në disa konferenca shtypi. Ju keni ritualin e zakonshëm politik, pra të ciklit të konferencave për shtyp, denoncimeve e kështu me radhë. A besoni që kjo qeverisje e inkriminuar dhe këtë Kryeministër që ju e quani të inkriminuar të lidhur me bandat, mund ta rrëzoni me konferenca shtypi dhe statuse në Facebook?

Të gjitha bashkë bëjnë të tërën. Nuk mund të mendoni që një opozitë të dalë në shesh që nga dita e parë të shtatorin dhe e gjitha që mund të bëjë është të qëndrojë në shesh me njerëzit e saj dhe të rrëzohet Edi Rama. E para, njerëzit duhet të binden pse duhet të dalin në atë shesh. Njerëzit nuk dalin në shesh as për Klajda Gjoshën, Monika Kryemadhin, as për Lulzim Bashën, dhe për asnjë politikan. Në radhë të parë duhet të dalin për veten e tyre, realitetin e tyre të hidhur, për të vërtetën e tyre që ata e thonë kur janë me njeri tjetrin, e themi jashtë kamerave, por kur dalim para kamerave , dikush ka frikë, dikush ka gjetur zgjidhje të thjeshtë dhe thotë po iki nga Shqipëria.

Çfarë u mundon shqiptarëve që të dalin në protestë? Çfarë i demotivon?

Atëherë, për mos t`ju futur historisë se nuk dua të kalojë në historinë 45 vjeçare të këtij populli, të një diktature të rreptë, të një nënshtrimi etj me radhë për të thënë fjalën e lirë dhe gjithçka më tej, sepse edhe në këtë 30 vjeçar, pavarësisht se ne pretendojmë se jemi në demokraci, ne nuk jemi. Madje, ne e e kemi keqkuptuar demokracinë. Kemi reaguar në mënyrë të kundërt duke e shkelur me këmbë. Patjetër, që është në mentalitetin e këtij populli durimi. Durimi shumë herë më i madh se çka kemi menduar të gjithë bashkë. Atëherë, çfarë duhet. Na duhet që opozita të jetë konkrete, e drejtë, e drejtpërdrejtë.

A është opozita e vërtetë dhe konkrete?

Patjetër që po. Unë që jam sot përballë jush, të jeni i bindur që jam shumë e vërtetë me qytetarët kur flitet me ta. Si unë janë qindra të tjerë, përfaqësues të opozitës, që me të vërtetë duan të çojnë deri në fund gjithçka.

Po thua që opozita është e kulluar dhe njerëzit ju besojnë?

Absolutisht jo. Nuk mund të themi as për kullim dhe as të themi që opozita tashmë ka arritur majat. Ka shumë gjëra për tu përmirësuar he ne duhet ta fillonim nga platforma. E di pse e them këtë? Sepse edhe tek njerëzit ku shkojmë, nuk mund të diskutosh vetëm për çështjet madhore politike që ne diskutojmë çdo ditë, por edhe për platformën tënde. Çfarë do tu ofrosh ti qytetarëve dhe cili do jetë realizimi, pra mundësia për t`i realizuar këto.

Platforma është diçka e shkruar, jo jetësore por që ka mbrapa frymë. Pra, ka njerëz. A besoni ju që njerëzit që keni rreth vetes, në krye tuaj, jo vetëm si LSI, por edhe si opozitë, si koncept dhe bashkëpunëtor, janë njerëzit e duhur , të cilët përcjellin këtë platformë për ta besuar pastaj publiku?

Unë besoj tek një gjë, tek detyra e opozitës për të ndryshuar mentalitetin e qytetarëve dhe për t`i bërë ata që të besojnë se pse duhet protestuar. Duke ngritur zërin për çështje reale, të cilët ata vuajnë çdo ditë, mund të ndryshojmë jetën e tyre. Unë mendoj nëse do ketë mijëra veta në atë shesh për të rrëzuar Edi Ramën, por jo thjesht të rrëzojnë një individ dhe ta zëvendësojnë me dikë tjetër, për mua është thelbësore dhe pas gjashtë muajsh kur të vendoset një Kryeministër tjetër, dhe nuk mban fjalën për çështjet që i është drejtuar qytetarëve shqiptarë, qytetarët duhet të kuptojnë dhe të fillojë të ndryshojë mentaliteti që mund ta bëjnë sërish se stabiliteti nuk është të ruash status-quo-n, por të ndërtosh demokraci dhe të zgjedhësh në krye të vendit tënd, njerëz që ti i beson dhe mbajnë pretimet, dhe punojnë për të mirën.

Dhe me këto fjalë erdhi Edi Rama në pushtet 5 vjet më përpara..

Unë besoj që Kryeministri i ka harruar gjërat me të cilat ka ardhur në pushtet. Fatkeqësisht i ka harruar por pushteti të bën dhe kështu, të harrosh realitetin, pra vendin ku jetojnë qytetarët e tu, ekonominë e rrënuar, për të cilën Kryeministri nuk është marrë asnjë vit, mua më vjen keq ta them këtë. Ndaj, puna e opozitës në radhë të parë është të ndryshojë mentalitetin, dhe të mobilizojë ata të kërkojnë të drejtën e tyre. Pastaj, është edhe çështje programesh.

PD thotë se me Edi Ramën nuk shkohet në zgjedhje. Ne pas pak muajsh kemi zgjedhjet lokale. Juve ndani të njëjtin qëndrim me PD, në lidhje me çështjen e zgjedhjeve?

Në këto momente ku ndodhemi, unë besoj se ka ngjarje shumë të mëdha politike, të cilat ne duhet t`i drejtojmë, duhet tu drejtohemi qytetarëve, pjesa e zgjedhjeve është e fundit fare. Kemi edhe shumë muaj ende.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here