Krasiniqi me ton të ashpër: Territori i Kosovës nuk është lëkura e gjarprit që Hashim Thaçi mund ta ndërrojë për çdo pranverë

0
128

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, duke komentuar arritjen e mundshme të marrëveshjes Kosovë-Serbi, ka lënë të nënkuptohet se nëse ndryshohen kufijtë mund të shpërthejë përsëri lufta.

“Pas gushtit, sërish vjen marsi”, ka nisur Krasniqi një tekst të tij në Facebook, duke shtuar më tej “Të shpresojmë që nuk do të jemi të shtrënguar t’i përvishemi një marsi të ri”.

Duke kundërshtuar lojën me territorin e shtetit, Krasniqi ka shtuar se demarkacioni i kufirit me Malin e Zi nuk është asgjë kur krahasohet korrigjimi i kufirit me Serbinë.

“Të gjithë duhet ta dimë se territori i Kosovës nuk është lëkura e gjarprit që Hashim Thaçi mund ta ndërrojë për çdo pranverë. Çdo pëllëmbë e tokës së Kosovës është larë me gjakun e atdhetarëve shqiptarë, me flijimet e shumta të kombit dhe shumë nga ato janë tepër të freskëta. Loja me tërësinë territoriale jo vetëm që është e rrezikshme, por ajo është hapje e plagëve të reja e të vjetra. Çka është tepër, tepër është!”, ka shkruar ai.

Shkrimi i plotë i Krasniqit në Facebook:

PAS GUSHTIT SËRISH VJEN MARSI!

Epopeja e lavdishme e Jasharajve të Prekazit, e 5, 6 e 7 marsit 1998 e cila që bërë sinonim i Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është ajo që i ka hapur të gjitha rrugët e mobilizimit e të masivizimit të kombit për lirinë e pavarësinë e Kosovës. Kjo epope e cila ishte frymëzim për çlirimtarët, ishte frymëzim edhe për të gjithë artistët që e përjetësuan atë në kujtesën e kombit. Epopeja e marsit e Adem Jasharit u përjetësua me një shpejtësi drite në veprën artistike të Ilir Shaqirit, në himnin e UÇK-së: “Sërish vjen marsi”. Sërish vjen Marsi për t’i dhënë vendit zgjidhjen e duhur!

Sakrificat dhe flijime e shumta gati një shekullore të kombit, u kurorëzuan me çlirimin e Kosovës në qershorin e vitit 1999, e më pas me pavarësinë e Kosovës më 17 shkurt 2008. Viteve të fundit me bisedimet politike të Brukselit të zhvilluara që gjashte vite në mes Kosovës e Serbisë, të cilat seriozisht e kanë rrezikuar tërësinë e Republikës për shkak të papërgjegjësisë së Hashim Thaçit dhe të gjithë atyre që e mbështeten, që nga marrëveshja e 19 prillit 2013. Papërgjegjësia po del të jetë edhe më e madhe e të gjithë atyre që ia dhuruan shkopin e mbretit, shkop që ai po e përdor si kërbaç mbi tërësinë territoriale të atdheut! Faktet flasin se edhe me marrëveshjen e nënshkruar nga Hashim Thaçi në Vjenë në gusht të vitit 2015 për Demarkacionin e Kufirit me Malin e Zi, Kosova humbi mbi 8000 hektarë tokë.

Edhe ketë vit, serish në gusht, përsëri Vjena dhe sërish Hashim Thaçi me “marrëveshje të re për t’i qethur e përqethur kufijtë e Kosovës”! Kësaj radhe nën plafin e “korrigjimit të kufijve”. Nuk mund të ketë asnjë dyshim, demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, nuk është asgjë në krahasim me korrigjimin e kufirit me Serbinë e trashëgimtarëve besnik të Millosheviqit.

Të gjithë duhet ta dimë se territori i Kosovës nuk është lëkura e gjarprit që Hashim Thaçi mund ta ndërrojë për çdo pranverë. Çdo pëllëmbë e tokës së Kosovës është larë me gjakun e atdhetarëve shqiptarë, me flijimet e shumta të kombit dhe shumë nga ato janë tepër të freskëta. Loja me tërësinë territoriale jo vetëm që është e rrezikshme, por ajo është hapje e plagëve të reja e të vjetra. Çka është tepër, tepër është!

Në një situatë të tillë natyrshëm rrjedh refreni i reformuar: Pas gushtit, sërish vjen marsi!

Të shpresojmë që nuk do të jemi të shtrënguar t’i përvishemi një marsi të ri!

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here