Faza e “virgjërisë” së qeverisë Rama, gati ‘ligjin special’, për të shpëtuar veten e ministrat nga burgu

0
364

Nga Poli Hoxha

Menjëherë pasi fitores së zgjedhjeve të vitit 2013 dhe përcaktimit të kabinetit të tij qeverisës, Edi Rama, morri një vendim politik që u duartrokit. Të gjithë ministrat e tij u “urdhëruan” që të hiqnin dorë nga mandati i deputetit dhe kështu ndodhi përveçse me Shkëlqim Canin, historia të cilit dihet më pas si përfundoj. Këtë hap në atë kohë ai e shiti për opinionin publik, si premtim për një “qeverisje pa imunitet”, nga virusi i korrupsioni të lartë.

Kjo ishte faza e “virgjërisë” së qeverisë së tij, e cila zgjati vetëm aq kohë sa morën zyrat dhe institucionet, plotësisht nën kontroll. Se çfarë ndodhi me “cipën”e virgjërisë nëpër ministritë e e qeverisë Rama gjatë katër viteve të mandatit të parë, tashmë të gjithë e dimë; Beqaj, Ahmetaj dhe Gjiknuri me kompani e shitën aq shtrenjtë, sa që shifra qindra milion euro, certifikohet vetëm nga “hetimet” gjysmake të Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Nëse llogarisim edhe skemën korruptive të koncesioneve dhe humbjet, nga lojëra të pastra piramidale financiare në kurriz të buxhetit të shtetit si ARMO, Gulf etj, Doganat dhe Tatimet, shifra me të cilën e shiti Rilindja “virgjërinë” që u premtoi shqiptarëve përpara ardhjes në pushte është e frikshme.

Pas marrjes së mandatit të dytë, këtë herë krejtësisht i vetëm në vitin 2017, Edi Rama, vendosi që të ti kthejë imunitetin ministrave të tij; isha-ve, të rikonfirmuarve dhe të rinjve. Zyrtarë të tjerë të lartë në institucione, ku “leku ishte letër”, po ashtu i futi në parlament. Kështu pasi i emëroi të gjithë në listën e sigurt për deputetë, ai këtë herë me një vendim tjetër politik, ju la ministrave që do të vazhdonin fazën e dytë të grabitjes së vendit edhe e mandatin e deputetit, ndryshe nga si kishte bërë në vitin 2013.

I rikonfirmuar fuqishëm me shumicë absolute në parlamentin e ri, tashmë ai, as që u përpoq qoftë edhe formalisht të linte zbuluar përpara drejtësisë Ilir Beqen, Arben Ahmetajn, Damian Gjiknurin, Elisa Spiropalin, Ogerta Manastirliun etj; të gjithë të akuzuar me fakte e dosje voluminoze, për korrupsion proaktiv nga opozita dhe media. Por edhe me dosje në prokurori, për disa.

Ky ishte hapi i parë, për të mbrojtur nga drejtësia në një kohë të caktuar, batërdinë që kishin bërë me paratë e taksapaguesve shqiptarë, mashat dhe kokat e korrupsionit të lartë qeverisës.

Por zullumi i trashur keqas gjatë katër viteve të para në pushtet, i cili vazhdoi dhe nuk ndalet në mënyrë progresive, që në vitin e parë të mandatit të dytë, ka bërë që Edi Rama dhe klani i tij, të ndiejnë seriozisht frikë. Kjo frikë shtohet edhe më shumë pas raporteve të fundit të BE-së dhe Departamentit të Shtetit, të cilët kërkojnë në mënyrë të pa negociueshme, goditjen e shpejtë të korrupsionit të lartë qeveritarë. Kërkojnë koka lart në qeveri dhe ato, kanë emra të përveçëm tashmë.

Eksperimenti i parë u bë me “imunitetin” e Saimir Tahirit, pasi prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi arrestimin e tij. Edhe pse procedurën parlamentare për një rast të tillë e shkelën hapur, Rilindja ja doli që ta shpëtonte nga prangat ministrin e saj të kapur me presh në dorë, si bashkëpunëtor në një organizatë kriminale të trafikimit të drogës. Buja që bëri kjo lloj mbrojtje, (duke shkelur hapur Kodin e Procedurës Penale) në kancelaritë ndërkombëtare i bëri që të mendojnë për të ardhmen dhe ministrat e tjerë në radhë.

Duke e ditur, që dosjet për korrupsion i kanë të kopsitura dhe SPAK dhe Byroja e Hetimit një ditë do të nisin të funksionojnë, pavarësisht nga kapja që i kanë bërë prokurorisë së Përgjithshme, plani konkret është që të forcojnë imunitetin e ministrave-deputetë, deri në atë pikë sa që arrestimi i tyre, përveç flagrancës, të bëhet i pamundur.

Gjithçka nisi gjashtë muaj më parë, kur në 12 Janar 2018, çuan në parlament një nismë ligjore e cila përcaktonte rregulla, kushte dhe procedura të reja, për arrestimin e deputetëve, duke synuar që këtë ta reflektonin në Rregulloren e Kuvendit, nëpërmjet një ndryshim në Kodin e Procedurës Penale.

Sipas këtij  projektvendimi, për disa ndryshime në Rregulloren e Kuvendit, kërkohet që Prokuroria duhet të paraqesë prova të forta kur t’i kërkojë Kuvendit heqjen e imunitetit për një deputet, me qëllimin për ta arrestuar. Ndryshimi radikal që Rilinda po bën, parashikon që deputeti nuk mund të arrestohet më, duke u bazuar vetëm në dyshime të arsyeshme dhe indicie.

Në atë kohë, opozita reagoi egër duke akuzuar mazhorancën se po i jep Kuvendit ku janë shumicë absolute, atributet e Gjykatës. Pas përplasjeve të forta dhe kontestimit të partnerëve ndërkombëtar, mazhoranca bëri sikur u tërhoq dhe projektvendimi, “ngriu” në sirtarët e Kuvendit, por vetëm përkohësisht.

Ndërkohë që Këshillit i Europës në Luksemburg një nga kushtet më kryesore që i ka vënë tashmë Shqipërisë është; “Hetime proaktive, ndjekje penale dhe dënime në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsioni, në të gjitha nivelet”, Rama me të tijtë kanë nxituar që të bëjnë sa më shpejt fakt të kryer, këtë “ligj” special.

Në mbledhjen e fundit të Konferencës së Kryetarëve në Kuvend, gati në mënyrë mafioze pa dijeninë e medias dhe opozitës u morr vendimi që projektvendimi (“Për disa ndryshime në vendimin e Kuvendit nr. 166, datë 16.12.2004)  i “ngrirë” 6 muaj më parë për të mbrojtur ministrat dhe zyrtarët e korruptuar, me imunitet të shtuar deputeti, të futet në seancën e ardhshme plenare, të datës 5 Korrik, 2018.

Ky ndryshim që nuk lejon arrestimin e deputetëve, nëse shumica socialiste në Kuvend nuk bindet se organi i akuzës ka prova të forta për ti arrestuar, bëhet vetëm me shumicë të thjeshtë votash!

Pra Edi Rama, tashmë po ecën me shpejtësi në rrugën e tij “erdoganiste” duke ndërhyrë në legjislacionin e Republikës së Shqipërisë, (ndërkohë që gjykata Kushtetuese ka cofur) për të bërë ligje speciale, për emra të përveçëm. Njësoj siç bëri me ligjin special për kompaninë Fusha dhe Teatrin, më datë 5 Korrik do të realizojë edhe ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale.

Mjafton të lexosh variantin skandaloz dhe antikushtetues, që Taulant Balla ka paraqitur në Kuvend, këmbënguljne dhe nxitimin për ta miratuar në seancën e ardhshme, për të kuptuar se çfarë halli të madh ka Rama vetë, Beqja, Gjiknuri, Ahmetaj e kompani. Por edhe shumë deputetë socialistë “biznesmenë”, që kanë bërë kërdinë me tender abuzivë.

Pikërisht këta kandidatë për burg, do të votojnë më 5 Korrik, ngritjen e një Gjykate brenda parlamentit që kontrollojnë me shumicë kartonash, e cila do të marrë vendime për bëmat e tyre të pashembullta korruptive.

Ky do të ishte fundi i Republikës!

Projektvendimi “Balla”, për (mos) arrestimin e deputetëve

Neni 118 i Rregullores së Kuvendit bëhet

Autorizimi për procedim

1. Kërkesa për të autorizuar caktimin e masës së sigurimit të arrestit me burg ose në shtëpi, heqjes se lirisë në çfarëdo lloj forme, kontrollit personal ose të banesës, i paraqitet kryetarit të Kuvendit nga Prokurori. Kërkesa përmban një relacion të arsyetuar dhe të shoqëruar me provat që mbështesin kërkesën.

2. Kryetari i Kuvendit ia dërgon kërkesën dhe dokumentet shoqëruese menjëherë për shqyrtim Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin si dhe vë në dijeni Kuvendin dhe deputetin.

3. Kryetari i Kuvendit pas konsultimit me Këshillin, cakton dy relatorë për çështjen, respektivisht nga shumica dhe opozita parlamentare.

4. Deputetit, ndaj të cilit kërkohet autorizimi për procedim, i vihet në dispozicion kërkesa dhe dokumentet që e shoqërojnë atë, si dhe i bëhet e ditur koha kur Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin do të fillojë shqyrtimin e kërkesës.

5. Në mbledhjen e Këshillit për Rregulloren Mandatet dhe Imunitetin merr fjalën Prokurori, i cili paraqet arsyet e kërkesës drejtuar Kuvendit. Pas paraqitjes së kërkesës, çdo anëtar i Këshillit ka të drejtë t’i drejtojë pyetje Prokurorit.

6. Pas përgjigjeve të pyetjeve, kryetari i Kuvendit, i jep fjalën deputetit ndaj të cilit kërkohet autorizimi për procedim. Deputeti dhe ose përfaqësuesi i tij ligjor, ka të drejtë të paraqesë në Këshill, me shkrim ose me gojë, shpjegimet dhe vërejtjet e tij rreth çështjes. Çdo anëtar i Këshillit ka të drejtë t’i drejtojë pyetje deputetit.

7. Shqyrtimi i çështjes në Këshill, kryhet nëpërmjet një procedure që i garanton deputetit, ndaj të cilit kërkohet autorizimi për procedim, të drejtën për t’u informuar në kohë, për t’u pyetur, për t’u dëgjuar dhe për të bërë pyetje ndaj kërkuesve të autorizimit si dhe për të paraqitur shpjegimet e tij.

8. Përpara diskutimit të çështjes kryetari i Kuvendit fton dy relatorët të paraqesin vlerësimin e përgjithshëm mbi çështjen që shqyrtohet. Më pas vijohet me diskutimin në Këshill. Në përfundim të diskutimit, Këshilli, brenda një jave, harton raportin për në seancë plenare. Raporti rekomandon miratimin ose rrëzimin e kërkesës për dhënie autorizimi për procedim. Raporti i Këshillit u shpërndahet menjëherë deputetëve dhe bëhet publik.

9. Si rregull, mbledhja e Këshillit, për pikat 6-8 të këtij neni, zhvillohet me dyer të hapura. Këshilli, për arsye të mbrojtjes së të dhënave, mund të zhvillojë diskutimin me dyer të mbyllura.

10. Shqyrtimi i kërkesës për dhënien e autorizimit për procedim parashikohet për shqyrtim në seancë plenare jo më parë se një javë, por jo më vonë se dy javë nga paraqitja e raportit të Këshillit.

11. Në seancë plenare fjala i jepet në fillim deputetit, ndaj të cilit është paraqitur kërkesa, për të dhënë shpjegime ose për t’iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve. Koha e debatit, kur çmohet e nevojshme, përcaktohet nga Konferenca e Kryetareve, në përputhje me nenin 48 të kësaj Rregulloreje. Në përfundim të debatit, pas fjalës së kryetarëve të grupeve parlamentare, ka të drejtë të flasë deputeti ndaj të cilit kërkohet dhënia e autorizimit për procedim për jo më shume se 10 minuta.

12. Kuvendi në seancë plenare, për arsye të mbrojtjes së të dhënave, mund të zhvillojë diskutimin me dyer të mbyllura.

13. Kuvendi vendos me votim të hapur për miratimin ose rrëzimin e kërkesës për dhënie autorizirni për procedim.

14. Në rastin kur Kuvendi nuk merr vendim për dhënien ose mosdhënien e autorizimit për procedim brenda 3 muajve nga data e paraqitjes se kërkesës përkatëse, atëherë kërkesa konsiderohet e rrezuar nga Kuvendi.

15. Përcaktimet e bëra në këtë nen zbatohen edhe në rastet e dhënies së autorizimit për procedim për anëtarin e Këshillit të Ministrave.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here