Kompania që do të ndërtojë Teatrin e Ri, akuzohet për shkelje nga KLSH

0
281

Të dhënat e siguruara nga një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit, zbulojnë abuzimet dhe shkeljet e kryera nga kompania Fusha Sh.p.k, e cila është përzgjedhur pa garë nga qeveria për ndërtimin e Teatrit të Ri Kombëtar, një projekt i shumëdebatuar ditët e fundit.

Fusha Sh.p.k rezulton të jetë kontraktuese në disa punë publike të rëndësishme, në nivel lokal ose qëndror. Këtu mund të përmendim Sheshin Skënderbej apo restaurimin e godinës së Ministrisë së Brendshme. Pikërisht tek kjo e fundit, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka hasur me shkelje të shumta.

Fusha Sh.p.k ka marrë një shumë prej 272.598.931 lekësh (rreth 2.5 mln USD), për restaurimin e godinës së Ministrisë së Brendshme, por kur kanë kaluar jo më shumë se 1 vit, tarraca e kësaj godine ka nisur të çahet. Sipas vëzhgimit të specialitëve të KLSH-së, në tarracën e godinës u vërejt cedim dhe dëmtim i soletës së katit të dytë të objektit ekzistues. Sipas projektit për vlerësimin konstruktiv, përforcimi i soletës duhej të shoqërohej me punime shtesë në vlerën 14,800,377 lekë.

“Pas realizimit të procedurave të prokurimit me negocim pa shpallje paraprake të kontratës për shkak të emergjencës së godinës, në datën 31 gusht 2016 me operatorit ekonomik “Fusha” është lidhur kontratë shtesë për “Rikonstruksionin e Tarracës së Ministrisë së Punëve të Brendshme”, në vlerën 14,012,643 lekë me TVSH me afat 45 ditë kalendarike. Nga auditimi u konstatua se, ky dëmtim ka ndodhur për arsye të rikonstruksionit disa herë të tarracës, në vitet e mëparshme, por në projektin e zbatimit fillestar për restaurimin e godinës nuk janë marrë në konsideratë këto punime nga hartuesit e projektit, për pasojë kemi rritje të kostos së këtij objekti dhe përdormi pa efektivitet dhe pa ekonimicitet të fondeve shtesë për rindërtimin e kësaj tarrace në vlerën 14,012,643 lekë” – thotë KLSH në raportin e saj.

Ndërkohë, KLSH denoncon edhe një tjetër shkelje të datës 24 qershor 2016. Bëhet fjalë për një tjetër kontratë mes Fush Sh.p.k dhe Ministrisë së Brendshme, për punimet shtesë të godinës, nga 1 kat në 3 kat, me vlerë 54.494.594 lekë me TVSH ose në masën 19.9 % të kontratës fillestare, me afat 45 ditë kalendarike.

“Nga auditimi mbi verifikimin e zbatimit të punimeve, u konstatua se, zëri i punës “Furnizim Vendosje, Parket Druri” në sasinë 170 m2, me vlerë 1.122.000 lekë me TVSH, i parashikuar për t’u vendosur në ambientet Ministrisë, është paguar në favor të Fusha Sh.p.k. Mirëpo, në datën datë 23.06.2016, Ministria e Brendshme, ka lidhur kontratë me operatorin fitues për “Blerje pajisje zyre për Aparatin e Ministrisë së Punëve të Brendshme” me vlerë 77,584,500 lekë. Në zbatim të kësaj kontrate, subjekti fitues, përveç furnizimin e pajisjeve dhe mobilieve, ka kryer furnizimin dhe vendosje e parketit me vlerë 3.745.440 lekë, më përpara se, ky zë të situacionohej nga shoqëria“Fusha Sh.p.k.

Pra, Fusha Sh.p.k është paguar për të vendosur parketin prej 170 m2, por në fakt këtë e kryer një kompani tjetër, me anë të një tenderi të ri, duke i shkaktuar kështu një dëm buxhetit të shtetit.

Për kompaninë Fusha Sh.p.k, kryeministri Edi Rama po mendon të kalojë në Kuvend një ligj të veçantë, nëpërmjet të cilit do t’i japë tokë nga 13 mijë metrat katrorë të pasurisë kombëtare (teatrit) për të ndërtuar kullat që ka planifikuar, me kushtin që të ndërtojë një teatër të ri.

Përveç shkeljeve ligjore, duket se ndërtimi i Teatrit të ri Kombëtar mund të pësojë “fatin” e Ministrisë së Brendshme, me dëmtime të ndryshme pak muaj pas inagurimit./TZP.AL

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here