Hapja e negociatave/ Gjosha: Nëse do të kemi një shtyrje, do ishte një tren i humbur për procesin e integrimit…

0
167

Deputetja e LSI Klajda Gjosha në një interviste te dhene për Fax news, ka folur gjersisht per sa i perket hajes se ngeociatave, ka deklaruar se drejtesia duhet çliruar nga ndikimi politik. Deputetja u shpreh se eshte pesimiste per fatin e shqiptareve dhe te shqiperise. Gjosha ka theksuar se gjatë kësaj kohe qeveria shqiptare nuk ka punuar për plotësimin e kushteve, çka do të bëjë që edhe në rast hapjeje të negociatave do të kemi sërish kushte të reja.

Intervista/ Flet deputetja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Klajda Gjosha

Klajda Gjosha: Kushtet për integrimin, drejtësia duhet çliruar nga ndikimi politik

 

Si ju duk fakti që Danimarka është tërhequr dhe duket se ka një tendencë pozitive për Shqipërinë?

Për mua nuk përbën lajm Danimarka, nëse ka një tërheqje, nëse mendohet që do të japë një votë pro Shqipërisë. Për mua ajo që është e rëndësishme, është që të kuptohet e gjithë mënyra se si do të shkohet më datën 26 qershor kur do të bëhet dhe mbledhja e ministrave të Jashtëm.

 

 

Janë të rëndësishme gjithsesi për vende skeptike, siç ishte Danimarka.

Janë të rëndësishme, por janë shumë herë më të rëndësishme ato vende, të cilat janë shprehur me zë dhe me figurë se çfarë do të ndodhë me Shqipërinë pikërisht në ditët dhe në javët në vijim. Unë jam shumë pesimiste për datën 26 qershor. E them këtë sepse kam parasysh dy skenarë, duke parë tashmë se si po rrjedh e gjithë ngjarja. Skenari i parë është vullneti i mirë i vendeve anëtare për çeljen e negociatave të Shqipërisë, por me kushte dhe pa datë, që do të thotë negociata nuk ka për Shqipërinë dhe shqiptarët. Dhe kjo për mua, është realisht dëshpëruese. Dëshpëruese sepse Shqipëria, deri pak muaj më parë kishte hyrë në një rrugë, ku mendohej se negociatat pikërisht në muajin qershor do të ishin me patjetër aty, do të çeleshin kapitujt e parë dhe do të fillonte realisht puna reale për sa i takon procesit të integrimit. Dhe të mendosh sot që ne do të kemi sërish një shtyrje për fillimin e këtij procesi mendoj që është jashtëzakonisht një vonesë shumë e madhe, jo për politikën shqiptare, por për qytetarët shqiptarë, të cilët unë jam e bindur që i presin këto negociata. Sepse realisht është për të thënë që do të jetë një punë konkrete në të gjithë sektorët dhe jo vetëm në atë që përmendet vetëm tani, që është reforma në drejtësi, si një ndër reformat madhore. Përveç faktit të kushteve apo bazës që ne e kemi pasur deri në këto momente që janë pikërisht 5 prioritetet, unë kam bindjen që vendet anëtare do të theksojnë faktin e një reforme zgjedhore, e cila do të bëhet pjesë tashmë e kushteve të shtuara për Shqipërinë. Ndaj dhe pesimizmi im shkon edhe më tej. Sepse Shqipëria në vend që të ul kushtet, pra të heq ato kushte të cilat i ka pasur të mbartura prej një kohe të gjatë, tashmë shohim që do të kemi dhe kushte të shtuara pikërisht në formulimin që do të kenë vendet anëtare. Ndaj dhe unë shoh hapa pas pavarësisht se ky është një kusht që i shkon drejtpërdrejtë politikës shqiptar. Është një kusht i cili duhet të ishte realizuar që në 2013, para pesë vitesh ku është kërkuar me kohë një reformë zgjedhore dhe nga OSBE-ODIHR dhe nga KE dhe vendet anëtare, por kuptohet që politika e shtyu deri në këto momente dhe ai është kthyer në një kusht të panegociueshëm për vendet anëtare para se Shqipëria të çelë negociatat.

 

 

A ka më shumë shanse për Maqedoninë sesa për Shqipërinë, pas marrëveshjes që ka pasur me Greqinë?

Ka dy anë të të lexuarit. E para, që Shqipëria mund të përfitojë nga Maqedonia, por le ta themi hapur që kjo do të ishte thjesht një lëmoshë, sepse të dyja vendet duhet të shkonin paketë. Pra, të për vazhduar me çeljen e negociatave dhe për të vazhduar me procesin. Por vendet anëtare mund edhe të thonë atë që ata kanë shprehur gjithmonë, që ky është një proces bazuar mbi meritë. Dhe në qoftë se vendet anëtare do të bazohen te parimi i tyre bazë mbi të cilin e kanë vlerësuar vendet të cilat kërkojnë të bëhen shtete anëtare, mendoj që mbetja e Shqipërisë mbrapa dhe dhënia e negociatave për Maqedoninë do të ishte një dëshpërim jashtëzakonisht shumë i madh dhe do ta linte Shqipërinë me ato vende që ne nuk e kishim menduar asnjëherë me Bosnjën, me Kosovën, do mbetej realisht hapa shumë pas. Në rast se do ndodhë rasti i dytë, nëse do kemi kalimin e Maqedonisë, negociatat për Maqedoninë dhe do të mbahej Shqipëria peng i kushteve që kanë qenë aty prej kaq shumë kohës, dhe është detyrë e qeverisë, institucioneve shqiptare dhe i klasës politike, mendoj që dikush duhet të mbajë përgjegjësi për këtë sepse kjo është e rëndë në radhë të parë për qytetarët shqiptarë.

 

Cili do të ishte reagimi juaj në rast se Maqedonia do të merrte një ‘Po’ dhe nuk do të ndodhte e njëjta gjë për Shqipërinë?

Reagimi im do të ishte i drejtpërdrejtë. Unë mund ta them që tani që realisht do të kërkoja një mbajtje të përgjegjësisë të drejtpërdrejtë nga Kryeministri dhe nga të gjithë atë që janë përgjegjës për koordinimin e prioriteteve kyçe të BE. Sepse janë institucionet ato që përgjigjen, ato që japin faktet, të cilat raportojnë pranë KE dhe pranë vendeve anëtare. Është shumë e rëndë më besoni, shqiptarët kanë shumë që presin. Kanë pritur rreth pesë vite për statusin e vendit kandidat, tashmë kemi plotësuar një katër vjeçar në pritje për çeljen e negociatave. Besoj që sa më shumë shtyhet, aq më shumë Shqipëria humbet rastin e radhës për t’i çelur negociatat. Mos të harrojmë që vitin që vjen edhe vetë Brukseli, vetë institucionet do të kenë zgjedhjet e tyre, dhe nuk është momenti për të diskutuar zgjerimin. Nëse do të kemi një shtyrje, pas këtij qershori, afati tjetër nuk do dihej më kur do të ishte dhe ky është një tren i humbur për procesin e integrimit.

 

A mendoni se do të kishte kohë Shqipëria nëse vendimmarrja e sotme do të ishte negative?

Unë mendoj që tashmë vendet anëtare janë bindur me faktet që kanë parë, me raportimet që ata kanë marrë, jo vetëm nga Komisioni Evropian, por edhe nga grupet e tyre të ekspertëve, të cilët i kanë dërguar në Shqipëri apo edhe nga institucionet e tyre ku ata marrin pikërisht faktet dhe gjithçka që ndodh në vendin tonë bazuar mbi reformat që ne kryem. Unë besoj që deri diku ka filluar të duket qartë vendimi që ata do marrin në datën 26 qershor. Gjithnjë ka surpriza, ku vetë BE është një formulim surprizash në fund të fundit të vendimeve apo mënyrën se si ata i marrin vendimet, por këto ka plot për tu diskutuar dhe për tu analizuar. Megjithatë, ka një ndryshim. Është pikërisht Gjermania dhe Franca, por unë do thosha që Gjermania nuk është asnjëherë një vend skeptik, por strikt që analizon meritat e tua dhe ta jep meritën pikërisht aty ku ti ke punuar dhe ka fakte, apo rezultate të mjaftueshme për të kaluar në fazën tjetër. Franca është ndryshme, ka filluar të jetë skeptike. ku fillimisht kërkon reformimin e Bashkimit Evropian dhe më pas vazhdimësinë e procesit për zgjerim. Holanda ndonjëherë është edhe më strikte se vetë Gjermania dhe unë mendoj se ata janë shprehur për mendimin që ata kanë dhe mënyrën se si do të vazhdojë çelja e negociatave për Shqipërinë. Ata kanë thënë që është shumë herët, bazuar në ato fakte që ata kanë mbledhur edhe gjatë vizitës në Shqipëri, por ky nuk është një lajm i mirë. Unë dua ta përsëris se edhe sikur të ketë një vullnet pozitiv më datën 26, për sa kohë nuk ka një datë dhe ka kushte për Shqipërinë, ky do jetë një nga lajmet më të trishtueshme që ne mund të kishim deri në këto momente për procesin e integrimit evropian. Merrni dhe shikoni të gjitha konkluzionet e Këshillit Evropian të Serbisë dhe Malit të Zi, pikërisht në 2012 dhe 2014. Ju do të shikoni që vendimi që është dhënë për çeljen e negociatave për këto dy vende ka një datë të prerë, ku thuhet se Serbia në fund të janarit të vitit 2014 duhet të çelë negociatat dhe duhet të vazhdojë procedurat në kapitullin e parë, ndërsa për Shqipërinë nuk do ketë një datë. Mos të harrojmë që edhe kur të jepet data, do i duhet 6 muaj apo 1 vit para çeljes së kapitullit të parë. Pse? Sepse do duhet të bëhet një analizë e mirëfilltë e legjislacionit, standardit që ka vënë në të gjithë sektorët për të parë se sa janë plotësuar ato kushte apo standarde evropiane që kërkohen nga vetë vendet anëtare. Prandaj, them që është një rrugëtim shumë i gjatë dhe sa më shumë shtyhet, aq më i pamundur bëhet për të realizuar atë çka ne duam dhe që kemi punuar, që është pikërisht anëtarësimi.

 

Për të mbetur te 5 prioritetet kyçe. Sipas jush, cilat janë ose cili është një prioritet, që është realizuar plotësisht nga Shqipëria?

Ne kemi pasur një prioritet që realisht ka qenë një sukses i madh dhe mendohej që do të hiqej nga kushtet apo 5 prioritet kyçe. Ka qenë reforma në administratën publike. Fatkeqësisht, edhe sot që flasim mbetet ende një prioritet për t’u plotësuar. Nuk quhet i realizuar.

 

A mendoni se 1 nga prioritetet, pra është realizuar nga Shqipëria?

Asnjëra nga ato edhe këtë e them me bindje. Pra, unë mendoja që në shtator, kur kam lënë detyrën, reforma në administratën publike do duhej të hiqej nga 5 prioritetet kyçe. Sot, ajo vazhdon të mbetet ende një nga reformat më kryesore që mbetet ende për t’u plotësuar. Pse? Sepse qeveria vendosi të kryej sërish një reformë, edhe pse e kishte kryer njëherë atë në vitin 2013, ku ne kaluam dhe ligjin e nëpunësit civil, ku ka qenë dhe një nga kushtet për statusin e vendin kandidat. Ishte një reformë, e cila u krye me një sforco jashtëzakonisht të madhe, sepse të kryesh reformë në administratën publike është një ndryshim mentaliteti i jashtëzakonshëm, nga mënyra se si do duhet të funksionojë administrata dhe njerëzit që duhet të kryejnë ato detyra dhe përgjegjësitë që marrin, ndërkohë që qeveria vendosi të bëjë një reformë, e cila nuk ishte e tillë, por mori emrin tepsi. Kjo ishte fatkeqësia më e madhe që i ndodhi prioritetin numër një, ku sot nuk duhet të ishte një ndër pikat e vendosura të BE-së.

 

Cili mesazh mendoni se duhet besuar nga Gjermania, pasi ka shumë të tilla?

Unë jam e prirur të dëgjojë mesazhet të cilat janë kritike. Sa herë do ketë kritikë brenda mesazheve, do duhet që qeveria të fillojë të mendojë realisht dhe seriozisht për të kuptuar se pse është thënë kjo. Çfarë duhet bërë për të rregulluar pikërisht ato prioritete që ata kërkojnë. Mendoj që Reforma në Drejtësi vazhdon të mbetet ende një pikëpyetje shumë e madhe për vendet anëtare, ashtu sikurse u tha edhe këtu që jemi vetëm në hapat e parë dhe vetingu nuk ka dhënë rezultate të jashtëzakonshëm për të kuptuar mënyrën se si po funksionon dhe implementohet e gjithë reforma. Ato pak emra që janë bërë publik dhe kanë pasur probleme me ligjin, kanë sjellë një mbyllje të kësaj gjëje. Disa shkojnë drejt lirimit dhe disa të tjerë as moralisht nuk japin dorëheqjen nga qeveria. Pra, këto janë gjëra që nuk diskutohen, janë standarde evropiane. Shqipëria për aq kohë sa nuk e ka kuptuar këtë, gjithmonë do mbetet pas jo vetëm në procesin e integrimit, por dhe në zhvillimin dhe mënyrën se si do ndërtojë sistemin e saj demokratik.

 

Megjithatë ka disa media ndërkombëtarë që e përmendin Gjermaninë si një vend i cili pritet të ketë një vendim pozitiv për Shqipërinë. Ne përmendëm edhe më herët vendet e tjera skeptike si Franca apo Holanda. A mendoni se Gjermania mund të ndikojë pozitivisht në këto dy vendet e tjera që mbeten disi si skeptike për Shqipërinë?

Mesa po lexoj deri tani nga mesazhet e ardhura nga Gjermania, ne e thamë këtu edhe më parë, maksimumi që mund të japë Gjermania dhe vendet anëtare është pikërisht shprehja e një vullneti pozitiv, por pa datë dhe me kushte do duhet të presim sërish raporti ne radhës të Komisionit Evropian. Pra, Shqipëria do duhet të hyjë sërish në rutinën e procesit normal të raportimit, të plotësimit të kushteve dhe pastaj të shohim nëse vendet anëtare do të vendosin për negociatat.

 

Çfarë mund të bëjë politika shqiptare në këto pak ditë që kanë mbetur për të shmangur një votë negative nga ana e këtyre vendeve skeptike?

Duhet të çlirojë drejtësinë nga ndikimi politik. Dhe besoj që kjo i thotë të gjitha.

 

Si e gjykoni ju faktin që ka pasur një largim të zv.ministres Kleopatra Maliqi, e cila ishte në fakt edhe e ngarkuar për integrimin?

Nuk e di arsyen se përse është larguar. Nuk kam asnjë koment për këtë çështje.

 

A mendoni se e penalizon Shqipërinë fakti që nuk ka një ministri për Integrimin tashmë?

E ka penalizuar që në momentin që Ministria e Integrimit u shkri, sepse humbën realisht shumë ekspertë, të cilët e kishin themeluar këtë proces. Ishin njerëz që e njihnin shumë mirë procesin e integrimit evropian, koordinimin e institucioneve, gjuhën evropiane, e cila nuk është e njëjtë me gjuhën që përdorin institucionet shqiptare. Është një gjuhë që kërkon një standard të caktuar, një anglishte të caktuar, një analizë të mirë të mirë të legjislacionit shqiptar dhe të përafrimit të tij me legjislacionin e BE-së dhe nuk është e thjeshtë të gjesh njerëz të tillë sot me eksperiencën e duhur.

 

Kryeministri ka pasur një tur që ai e quan ‘turi i lobimeve’ ku është ndalur edhe në Austri. Pas takimit që ka pasur me kancelarin Sebastian Kurz është folur gjatë, madje ka pasur debate se mund të krijohet një kamp pritjeje për emigrantët në Shqipëri. Si e vlerësoni ju këtë ide?

Së pari, nuk është normale, sepse ne zbuluam një mundësi të tillë, pra ngritjen e një kampi refugjatësh pikërisht nga kryeministri bullgar, gjatë vizitës së tij në vendin tonë, gjatë konferencës për shtyp të dy kryeministrave. Kjo tregon mungesën e thellë që qeveria shqiptare ka për vendimet që merr. Vendime, të cilat e prekin drejtpërdrejtë politikën por edhe jetën e qytetarëve shqiptarë, sigurinë e tyre dhe gjithçka tjetër. Nëse do të kemi një kamp tjetër të shtuar, ku siguria do duhet të jetë edhe më e madhe, pra funksionimi i shtetit duhet të jetë shumë herë më i lartë dhe në nivel më me standarde seç është tani, besoj se ky është një rrezik shumë i madh. Por, mungesa e transparencës më shqetëson jashtëzakonisht shumë dhe ky është një vendim që kurrsesi nuk mund t’i takojë një individi të vetëm që është Kryeministri. Ky duhet të ishte patjetër një vendim që do duhej të diskutohej në nivele shumë herë më të larta.

 

Por, Kryeministri Rama për agjencinë ‘Anadolu’ ka thënë që nuk është e vërtetë kjo që thuhet, madje e ka quajtur një fantazi gjithë këtë…

Atëherë Kryeministri do duhet të shpjegojë analizën apo atë çka u tha në konferencën për shtyp me Kryeministrin e Bullgarisë. Pra, ose duhet të përgënjeshtrojë fjalën e tij, ose ta shpjegojë atë që ai tha. Besoj që kaq gjë duhet ta bëjë për qytetarët.

 

A mendoni se mund të bëhet në vendin tonë ky kamp dhe a mund të kërkohet një votim për këtë edhe në Shqipëri?

E thashë edhe pak më parë. Nëse do të ketë një vendim të tillë, nuk mund t’i takojë vetëm Kryeministrit të vendit.

 

Çfarë do të fitonte sipas jush Shqipëria nëse do të merrte një vendim pozitiv më 28 qershor?

Së pari, do të hynte në një epokë të re të procesit të integrimit, do të hynte në një fazë konkrete ku do të përfitonte jo vetëm në rritjen e standardeve, në ngritjen e institucioneve funksionale në vend, por edhe një monitorim të rreptë nga vendet anëtare për zbatimin e reformave ligj-zbatuese në Shqipëri. Do të shihej me lupë reforma zgjedhore, mënyra se si do të realizoheshin zgjedhjet me të gjitha standardet që ne duam të arrijmë dhe patjetër do të kishte edhe përfitime financiare, madje për t’u bërë pjesë edhe e atyre projekteve që ne sot realisht i kemi të pamundura.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here