Punonjësit e naftës në protestë/ Thirrje Ramës: “Jemi duke kërkuar bukën e fëmijëve që na e vjedhin pa të drejtë”

0
130

Punëtorët e uzinës së përpunimit të thellë të naftës në Fier kanë dalë në një protestë para prefekturës, ku kërkojnë rrogat e prapambetura si dhe pagesën e sigurimeve shoqërore. Rreth 70 protestues pretendojnë se kanë rreth 7 muaj pa marrë rrogat e tyre dhe 18 muaj pa sigurime.

“Le të dalë Gjiknuri e të përballet me ne. Sindikata nuk ekziston, ta themi troç. Si do të vemi në Europë ne, kur ne akoma jemi duke kërkuar bukën e fëmijëve që na e vjedhin pa të drejtë”, kanë thënë protestuesit. Ata kërkojnë zbatimin e statusit të naftëtarit, ndërsa i bëjnë thirrje Kryeministrit Edi Rama të mbajë premtimet që u ka dhënë.

“Na ndihmo, mbaj premtimin që na ke dhënë! Na kanë mbajtur me shpresë se do të fillojmë punë. Do vazhdojmë protestat nëse nuk marrim pagat”, janë shprehur ata. Punonjësit e rafinerisë së naftës në Fier, pjesa më e madhe e tyre gra kryefamiljare, janë shprehur se do të vijojnë të protestojnë deri në fitimin e së drejtës legjitime. Një prej protestuesve shprehet se pavarësisht premtimeve për rikthimin në punë, ka pasur vetëm rikthim selektiv.

“Kam 25 vjet në punë, tani dal në rrugë të madhe. Kryeministri na premtoi se problemi do zgjidhet. Të mbajë fjalën që dha në takimin e paradokohshëm! Sot jemi ndoshta pak në numër në protestë, na thotë një zonjë. Nesër do jemi akoma më shumë në protestë. Mund të kenë hyrë vetëm 20 ose 25 punonjës në uzinë për të kryer remontin”, tha një prej protestuesve. Përveç rikthimit në punë, disa prej punonjësve kërkojnë edhe zgjidhjen e ngërçit të krijuar për ata që kanë dalë në pension.

“Na thanë që do të nisnin procedurat për statusin e naftëtarit. Unë kam 43 vite punë dhe jo një status, por kam dy statuse. Ne dërgojmë dokumentet te Sigurimet Shoqërore dhe ata na thonë tani se presim vendim nga Ministria e Financave që të fillojë ulja e moshës së pensionit për burrat nga 65 në 60 dhe për gratë nga 60 në 55. Mirëpo ne kemi bërë shkëputje nga puna dhe ne kemi tetë muaj në rrugë tani, si të ushqehemi ne. Kontributet tona ku shkuan, këtë ne nuk e kuptojmë”, shprehet një protestues 63-vjeçar. Pas protestës, prefekti ka marrë ankesat e protestuesve dhe më pas ka kryer një takim informimi për situatën.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here