Prokurori që po heton Tahirin del sot para vetingut, zbardhen disa detaje…

0
131

Prokurori i Krimeve të Rënda, Dritan Prençi do të dalë zot para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për të dhënë sqarime për pasurinë dhe vendimet. KPK ka nisur me ritëm të shpejtë procedurat e vetingut dhe nesër do të mbajë dy seanca dëgjimore, ku në një prej tyre do jetë Prençi, i cili është pjesë e grupit që po heton ish-ministrin Saimir Tahiri. Trupa gjykuese në këtë hetim administrativ përbëhet nga Genta Tafa Bungo, Pamela Qirko dhe Suela Zhegu. Dritan Prençi e ka filluar karrierën e tij në sistemin e drejtësisë si oficer i policisë gjyqësore në rrethin e Tropojës. Ai ka shërbyer për disa vite si prokuror dhe drejtues prokurorie në Tropojë, Kukës dhe Kurbin përpara se të emërohej në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në Tiranë. Prençi është gjithashtu kandidat për Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. “BIRN” ka bërë një analizë të plotë se si ka ndryshuar pasuria e tij, bazuar në deklarimet pranë ILDKPI. Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se prokurori Dritan Prençi nuk zotëronte asnjë pasuri në vitin 200, kur e ka deklaruar atë për herë të parë. Në fund të vitit 2016, pasuria familjare e prokurorit Dritan Prençi kap vlerën e 4.59 milionë lekëve. Diferencën në rritjen e pasurisë së zotit Prençi e bën blerja e një apartamenti me kredi në vlerën e 4.3 milionë lekëve; pasuria e vetme e paluajtshme që ai zotëron. Gjithashtu, në fund të vitit 2016 prokurori ka deklaruar se zotëron likuiditete në bankë në vlerën e 9.444 lekëve dhe një automjet të blerë për rreth 277 mijë lekë. Të ardhurat e familjes Prençi përbëhen vetëm nga paga e tij dhe ajo e bashkëshortes. Përgjatë 13 viteve të deklarimit, të ardhurat familjare të prokurorit Prençi kapin vlerën e 21.1 milionë lekëve. Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin artimetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’ që identifikohen gjatë kontrollit. Në rastin e zotit Prençi iu nënshtruan kontrollit aritmetik-logjik 12 deklarata pasurie dhe asnjëra prej tyre nuk rezulton me probleme. Duke qenë se ky raport bazohet në të dhëna statistikore të analizuara nëpërmjet një databaze, ai nuk nxjerr përfundime mbi pasurinë e subjektit nëse ajo mbulohet me burime të ligjshme ose jo, por mëton të informojë publikun mbi pasurinë e deklaruar të zyrtarit publik nëpërmjet një formati të thjeshtë dhe të kuptueshëm grafik.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here