Ëndrra për saraj e eunukut kupë përmbysur

0
297

 

Dr. Ndriçim Mehmeti

Eunukët njihen si një nga gjetjet më interesante që fshihnin mistere të mëdha në jetën e tyre. Mes sojit të tyre gjen mashtrues zuzarë, njerëz që punonin për madhërinë dhe kundër tij njëkohësisht, eunuk që kishin kaluar sa në prehrin e njërit dhe tjetrit sulltan e kështu me radhë. Siç ndodh në këtë jetë kishte lloj e soj. Por mes tyre binte në sy, ai më “mendimtari”, i ardhur prej viseve të largëta e të humbura të Skrepisdarit. Sa mbërriti në oborrin e madh mbretëror nën kohën e Sulejmanit të Madhërishëm, ashtu kokëulur por me sytë që i rrotulloheshin gjithandej, i bëri betimin vetes, se “do të bëhej i pasur me çdo kusht. Në gjithë këtë sini mbushur me pasuri e me njerëz që mund t’i mashtroj me urtësinë time, unë mund të bëj çudira”

Nga e filloi do të thoni ju?

Zanati i tij ishte të lidhte tela, sa nën një shtyllë në tjetrën. Por tani duhet patjetër të merrte një profesion të fisshëm. Fillimisht mendoj  ta niste si terxhëman (përkthyes). Nuk ishte fort i gjezdisur por dikur me një anije të vogël kishte mbërritur deri në Iliakë dhe kishte ndenjur ndo dy vite si punëtor i thjeshtë. Më pas u kthye në vendin e tij të “dashur” Uji i Helmuar të krahinës Skrepisdar. E prej andej rruga drejt sarajit ju hap porsa ju shkrep e doli në mes të mexhlisit e popullit që turfullonte kundër pretendentit për fron e bërtit: “Rroftë e qoftë Sulejman Pasha, kreu u i ardhshëm i miletit, drita e syve të mi”. Ky devocion nuk kaloi pa u vënë re prej Sulejman Pashës, që i pëshpëriti miqve të tij, se nuk ishte keq ta afronin këtë djalë. Djali i “ndrojtur” e plot ambicie, do të bëhej shumë shpejt ylli në ngjitje. Me të mbërritur në oborr filloi të lëçiste libra e të mësonte ndonjë fjalë të huaj që jo vetëm të mburrej për njohuritë e tij, por mbase i pari i vendit, e hidhte me pampor të shikonte botë me sy, se deri atë kohë një kup qiell kishte parë nën kazanë e tij Uji i Helmuar. Dalëngadalë i ishte hapur rruga të mbërrinte afër të madhit. Ai u përlot e u përul duke u bërë njësh me tokën, kur e thirrën e i thanë se do të merrte detyrën si eunuk. Pasi e mori veten dhe piu një gotë ujë, e kuptoi se vendi i tij nuk do të ishte ai që kishte menduar, por mendoi se më mirë me hapa të vegjël. Shkurt muhabeti do të bënte spiunime të vogla për njërin e tjetrin, do t’i përmblidhte në kartë e do t’i niste atje ku duheshin. Pra ëndrra e tij për të qenë sa më afër të madhit ende nuk ishte realizuar. Por e mira të vjen nga se pret. Djaloshi që dikur lidhte telat në Ujin e Helmuar, i erdhi dita e shumëpritur, që të vishej me mantelin e terxhëmanit e të vendosej si i një nga tre të dërguarit e të madhit të vilajetit Karamandi. Ai shkoi dhe zgjodhi vet, cohën që do të qepte kostumet e reja, qostekun që do të varte në xhep të jelekut, e deri tek çorapet e këpucët që duhet të ishin në lartësinë e detyrës që kishte marrë. Aventura zgjati pak por mjaftueshëm që terxhëmani të kthehej në oborr me mendje tjetër dhe me ambicie të mëdha.

Çfarë kishte kurdisur në mendjen e tij të hollë e plot djallëzi terzxhëmani.

Nuk kishte nevojë të mendonte gjatë, por të bënte atë gjë për të cilën ishte i zoti. Do ta fillonte përkohësisht si eunuk, pastaj do të tregonte se jo vetëm kishte përmbysur kupën aty kishte ngrënë bukën por ishte gati të lëpinte atë që pështynte. Pra për të nuk kishte asnjë farë rëndësie Sulejmnan Pasha mirëbërësi që e nxori prej mizerjes dhe e çoi në qiellin e shtatë. As fakti që nga lidhës telash e kishin graduar në rangun më të partë të terxhëmanve. As që vetë Sulejman Pasha, e kishte nanurisur duke i dhënë jo vetëm një vend në oborrin e tij, por edhe banesë, që të rronte si njeri. Por Mahmut Efendiu i kishte harruar ato kohë që me kinse i quante të largëta. Dikur donte të ndërronte mbiemrin që e i kishte njësoj me atë që zëvendësoi në krye të vendit Sulejman Pashën, pastaj brohoriste kudo se e kishte për nder që kish të njëjtin llagap. Shëtiti fletore më fletore, shkroi sa duart ju bënë gjak. Kundër kujt? Sigurisht kundër atij që e mbështeti më shumë se të tjerët. Thirrej kuvend më kuvend dhe fliste vetëm për një gjë, për të njëjtën temë: Poshtë Sulejman Pasha, aferim kujtdo që ulet në kolltukun e kreut të Vilajetit. E pasi mbaronte, priste me padurim që t’i sillnin qesen me verdhushka, për një meritë të vetme: Villte vrer pafund, ligësinë e kishte të pakufishme, gojën të shthurrur më keq se hamallët varfër pas tre tekeve të rrëkëllyera. I pa përmbajtshim i, i furishëm, i tërhequr, me gjeste duarsh, fryrje e damarësh gati në plasje, nuk kursente asgjë. I veshur me pupulinë, pambuk e mëndafsh nga koka në këmbë, nuk din të ndalet edhe kur të shan nga nëna, fisi e shoqëria. Zuzar, qyqar, gomar, hajnxhar i padobishëm, kërriç e mushkë, pelë e hajvan, ishin pjesë e fjalorit të pandarë, sa herë që i shan udhëheqësin e tij të madh Ejup Pashanë apo të preferuarin ndër vezirët Xhafer Beun. Do thoni i dogji malli për ta? Jo gjetiu e ka synimin. Kërkon me patjetër që të ketë një saraj, apo qoftë edhe një konak të hijshëm ën bregdet. Si ëndërrimtar i papërmbajtshëm, “mendje e fuqishme filozofike, si një njohës i mirë i gjithçkaje” prej çitjaneve e syreve të Kur’Anit, deri tek perizonet e femrave të hijshme, atij dhe vetëm atij i takon, që me verdhushkat e marra pa bërë asnjë ditë punë, por me profesionin e mashtrimit të miletit, përmes elokuencës dhe hedhjeve së truve të gomarit, sigurisht që mendoj se i takon. Jo vetëm që i takon, por është shumë vonë, që Ejup Pasha, por edhe Fatih Pashës që i shërbeu me aq zell, duhet t’u shkojë mendja vetë e t’u japin atë që meriton Mahmut Efendiut, të preferuarit të tyre. Me paratë e fituar lum nga tregtia e opiumit që Mahmut Efendiut i duket si tregtia e zambakut dhe luleve të deles, sigurisht që ky nder duhej bërë me kohë. Por Mahmut Efendiu e ka vendosur vet, që ta bëjë realitet objektivin e radhës. Ëndrra për sa më shumë pasuri dhe një saraj madhështor në brigjet e Aleksandrisë. Armët i ka mprehur me kohë për të fituar sa më shumë e sa më shpejt. Bombardimi i miletit, sulm nga të gjitha anët kundër “zuzarëve, zagarëve, hajvanëve, kërriçëve, maskarenjve, e të pafeve,”, që i zunë udhën për realizimin e ëndrrës së madhe: Pasuri dhe Saraj në bregdet. Motua e punës së tij, është dhe mbetet: “Lavdi kreut të Vilajetit, poshtë paraardhësit e tij, që na morën në qafë Dovletin”.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here