Pornografia, seksualiteti dhe njeriu hedonistik…

0
312

 

Gëzim  Tushi

Nuk është gjë e keqe as mëkat moral e social, fakti që sot në shoqërinë tonë është shtuar kërkesa e njeriut për edukim, kulturë seksuale dhe bashkë me to edhe nevoja e natyrshme për një “ligjërim publik” për problemet e ndërlikuara morale, fizike dhe erotike të rindërtimit modern të parametrave të “qejfit individual” dhe seksualitetit human. Koha që jetojmë dhe natyra ikonoklaste e postmoderne e shoqërisë shqiptare, duket se përfundimisht e theu paradigmën e vjetër seksuale, moralin fals puritan dhe qëndrimin antihuman e asketik të diskutimit për me “gjuhë të prerë” për problemet e seksit dhe seksualitetit.

Ne jemi të ndërgjegjshëm se shoqëria e sotme shqiptare, përditë dhe në mënyrë këmbëngulëse po shfaq një lloj “tolerance seksuale”. Dimensioni i kësaj tolerance dhe ligjërimit për problemet e seksit, sot është shumë herë më i madh se të gjithë shoqëritë e mëparshme shqiptare. Tani për seksin qoftë në mënyrë sociale apo individuale, si instrument i riprodhimit apo si mjet hedonistik, si relacion që i sjellë njeriut kënaqësi, flitet hapur. Herë me norma eduktaive, në mënyrë humane, të kulturuar e qytetare, e shumë herë në mënyrë banale. Ide për këtë problematikë pak sensitive, që dikur ka qënë e “paprekshme në publik (tabu) shfaqen në rrugë dhe media, në ambiente intime të jetës private dhe në media nga njerëz të ditur e të ekuilibruar por dhe hiperseksualë, nga moralistë hipokritë, puritan e asketë por dhe nga “qejfllinjtë” e seksit.

Gama e diskutimeve në shoqërinë tonë është zgjeruar dhe sofistikuar. Për pasojë tashmë janë të pranishme kërkesat për dije të zgjeruara për seksin dhe seksualitetin, për teknikat dhe teknologjitë e “përdorimit” të tij riprodhues, dhe hedonist. Kjo është në përgjithësi situata aktuale e debatit që zhvillohet për këtë temë. Qoftë në aspektin fizik e individual apo në shikimin metafizik e social. Praktikisht shoqëria shqiptare është duke u përballur me “frutet” e ëmbla dhe të hidhura të “revolucionit seksual”, që tek ne për arsye që dihen, ka ardhur i vonuar.

Pornografia, ndihmon apo dëmton “edukimin seksual”?

Një nga “mjetet” që po përdoret gjërësisht në kohën tonë, për qëllime të mira dhe të mbrapshta është edhe zgjerimi i përdorimit të pornografisë. Nga të gjithë, fëmijë, adoleshentë e të rritur. Një problem kulturor, moral e social përballë të cilit as mund të mbyllim sytë, as mund të mendojmë me parimet e “moralit të strucit”. Televizioni, letërsia, fotat dhe vizatimet por sidomos interneti, celularët e sofistikuar, kanë zgjeruar mundësitë e këtij lloj kontakti me pamje dhe informacion pornografik.

Personalisht, duke parë kurbën e përhapjes dhe intensitetin në rritje të përdorimit të pornografisë, besoj se nuk gaboj po të them se ajo është bërë një komponent me ndikim social në jetën e shoqërisë tonë. Sidomos në jetën dhe përjetimet e fëmijëve, adoleshentëve dhe të rinjve tanë. Kjo është arsyeja pse nuk mund të heshtim. Përkundrazi, besoj se është koha që mënyrën si e përdorin njerëzit tanë pornografinë dhe efektet dhe kundërefektë që ajo po jep në shoqërinë tonë, duhet ta bëjmë temë të “debatit shoqëror”. Sepse atë tashmë e ndeshim dhe e kemi të pranishme jo vetëm në gamë të gjërë, por edhe kontaktet me të janë në të gjithë format e mundshme të trajtimit të pornografisë përmes shkrimeve, vizatimeve, fotografive, filmave.

Një industry e madhe gjigande, mijra orë xhirime dhe një sasi kolosale produktesh pornografikë po qarkullojnë si kudo edhe tek ne. Besoj se në një masë të konsiderueshme qëllimi i kësaj industrie është padyshim në rradhë të parë “stimulimi seksual” i lexuesit apo spektatorit. Ky konkluzion evidentohet nga që pornografia e ka fare të ulët komponentin e edukimit seksual, apo të përhapjes dhe kultivimit të kulturës së seksualiutetit human. Sepse ajo është bërë thjesht “industri” e shfaqjes vetëm të veprimeve seksuale të trajtuara në mënyrë sempliste, biologjike, si “akt fizik”. Por përgjithësisht filmave dhe pornografisë në tërësi i mungojnë tërësisht aspektet e tjera, përbërës të rëndësishëm të gamës së seksualitetit human, sikurse janë dashuria, ndjenjat afeksioni reciprok, etj.

Është fakt që pornografia në shoqërinë tonë ka marrë përdorim të gjërë, nga shtresa të ndryshme të shoqërisë. Madje nuk kam dyshim, se tashmë kemi edhe shfaqje të sigurta të “pornodipendencës”, apo të njerëzve të cilët nga që shikojnë vazhdimisht filma pornografikë, kanë filluar të kenë vartësi prej saj. Shumë studiues të kësaj dukurie, sociologë e psikologë kanë arsye të plota që abuzimin me pornografinë, (pornodipendencën) e krahasojnë me efektet që jep droga. Në një farë mënyre, pornografia është një tjetër lloj “droge” që i shtohet numurit të drogërave klasike, dhe që edhe ajo tashmë ka përdoruesit dhe “konsumuesit” e saj rastësorë apo dipendentë. Studimet social-psikologjike kanë vërtetuar se një edukim seksual i mësuar prej pornografisë, sjell pasoja sociale e gjinore të deformuara, si dëshira e meshkujve për dominimin e femrës, prirje sadiste, urrejtje për grate dhe sjellje mizogjine, mungesë respekti dhe dashurie të vërtetë për partnerin seksual. Në një masë të konsiderueshme, filmat porno krijojnë kulturën e deformuar seksuale, sipas të cilës fëmra është e “destinuar biologjikisht” për të qënë në çdo rast thjesht dhe vetëm “objekt seksi”. Këto ide e sjellje të deformuara krijohen nga që  të rinjtë po përballen dhunshëm me një letërsi pornografike që po zëvendëson letërsinë erotike, me filma që kombinojnë erotizmin me dhunën. Kombinime midis erosit të bukur dhe dhunës seksuale të shëmtuar, shkatërruese e personalitetit të njeriut.

Sidoqoftë duhet të jemi të ndërgjgegjshëm që as nuk duhet as nuk mundemi të ndërpresim “marrëdhëniet” dhe kontaktet e njeriut të kohës së sotme me fjalët, pamjet, fotot dhe filmat pornografikë. Njerëzit edhe shikojnë filma pornografikë (kjo nuk është e ndalur) sepse vetë kjo shoqëri është në një farë mënyre “Shoqëri e Qejfit”. Në këtë kontekst edhe njerëzit shpesh shikojnë të tillë filma, për të mësuar më mirë “teknologjinë” dhe “teknikalitetet” që mund t’i shërbejnë shtimit të kënaqësisë seksuale. Në këto kushte ajo që mund të bëjmë si prindër dhe edukatorë është puna intensive, sidomos me fëmijët tanë për të ndikuar në “dimensionin edukues” të seksualitetit të tyre.

Kjo kërkon së pari një aksion social dhe intervenim edukativ publik, për të siguruar kushtet për një rregullim të raporteve të pornografisë legale me moralin publik kontekstual të shoqërisë tone, sepse duam apo nuk duam, gradualisht pornografia po bëhet një faktor që ka ndikim në jetën sociale, në shëndetin mendor të njerëzve tanë. Sepse jo gjithnjë, madje shumë rrallë mund të ndeshesh me filma pornografikë, që mund të shërbejnë apo të sjellin modele të dobishme të mënyrave të ndërtimit të “sjelljes seksuale” të njeriut normal. Më shumë bëhen nxitëse të një lloj degradimi të seksualitetit, nëpërmjet nxitjeve instiktive, të cilat në jo pak raste bëhen “frymëzim” për sjellje seksualisht kriminale.

Fëmijët dhe adoleshentët, “viktimat” të pornografisë…

Ne jemi të ndërgjegjëshëm që qasjet e gjërave me përmbajtje seksuale për njerëzit, sidomos për fëmijët dhe adoleshentët është bërë më e lehtë dhe më e mundur se kurrë. Të mos harrojmë që adolesshentët dhe të rinjtë, për shkak të moshës dhe tipologjisë së seksualitetit të tyre, shpesh i marrin për “model imitimi” skenat e sajuara të filmave pornografikë. Rreziku social që vjen nga përdorimi i zgjeruar i pornografisë është në rritje. Por dhe pasojat individuale janë në zgjerim. Sepse pornografia si rregull u jep fëmijëve dhe adoleshentëve një përfytyrim të pavërtetë, për të mos thënë anormal të seksualitetit human. Kjo sepse përmes pornografisë njerëzve, sidomos të rinjve dhe fëmijëve u krijohet ideja se “seksi është vetëm dhe thjesht marrëdhënie fizike seksuale”, duke mohuar vlerat e komponentëve të tjerë të seksualitetit, intimitetit, atraksionit fizik, shprehjes së ndjenjave reciproke dhe mbi të gjitha, të shfaqjes së kënaqësisë shpirtërore, etj.

Padyshim që në këto rreziqe sociale që vijnë nga përdorimi pa kriter i pornografisë, më të rrezikuarit janë fëmijët dhe adoleshentët. Fatkeqësisht dhe jashtë dëshirës së humanizimit të seksualitetit, pornografia po u mëson atyre një varg “teknikash” dhe “teknologjish” që nuk janë pjesë e seksualitetit real. Dhe të mos harrojmë një fakt. Shumica e fëmijëve dhe adoleshentëve bien në kontakt me foto apo filma porno, pa patur asnjë koncept për seksualitetin e vërtetë. Sepse në përgjithësi akoma shoqëria jonë ka “tabunë e ligjërimit” për seksualitetin. Dhe kjo bën që të flitet pak ose aspak me ta në familje dhe në shkollë.

Për pasojë është evidente një lloj epidemie sociale e “edukimit të deformuar seksual” të adoleshentëve, nga ndikimi degradues i filmave pornografikë. Ne jemi të ndërgjegjshëm për disa shfaqje e shformime serioze të seksualitetit të tyre, duke filluar nga një lloj “hipersekualizmi” i parakohshëm, ulje e moshës së fillimit të aktivitetit seksual, nënështrimi pa kushte ndaj insitkteve seksuale që vijnë turbulencat që vijnë nga “mishi i tyre”, pjekuria seksuale e parakohëshme. Shpesh herë të shoqëruara edhe me një varg krimesh. Qoftë me natyrë seksuale apo të prejardhura prej tij.

Ne duhet të bëjmë diçka për një lloj orientimi të shëndetshmëm pse jo edhe të një “disiplinimi dhe vetë disiplinimi” të seksualitetit të fëmijëve dhe adoleshentëve tanë. Kjo është arsyeja që unë mendoj, se në familje dhe në shkollë duhet bërë një punë e dëndur, kapilare dhe e personalizuar me të rinjtë dhe adoleshentët, në mënyrë që ata të kuptojnë e të ndërgjegjësohen për dëmet morale të pornografisë. E cila ka edhe pasoja në ecurinë, shëndetin dhe jetëgjatësinë e seksualitetit të tyre. Aq më keq pastaj që në filmat e sotëm pornografikë të rinjtë dhe adoleshentët përballen me skena të “sekualiteteve periferike” dhe antihumane, si marrëdhëniet mazokiste, veprime sadiste, incestuale, pedofilike, zoofilike, etj.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here