I riu qe u vetëvra duke u hedhur nga ballkoni, pasi masakroi me thikë babanë dhe nënën në shtëpinë ku jetonin prej 10 ditësh në Tiranë, vetem para pak ditesh ishte kthyer nga Gjermania.
Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e së shtunës në rrugën “Nasi Pavllo”, në një pallat në krah të Ambasadës Amerikane. Brian Skrapari, i cili mbeti i plagosur rëndë pasi u hodh nga kati i tretë, nuk mundi t’u mbijetojë plagëve.
Ai ndërroi jetë dje në orët e para të mëngjesit. Ndërsa prindërit e tij, Ermir dhe Anila Skrapari, ndodhen në Spitalin Ushtarak. Në gjendje kritike dhe në rrezik për jetën ndodhet babai 66- vjeçar, i cili u godit të 10 herë më thikë nga i biri, në bark dhe në qafë.
Ndërsa e ëma, ndonëse ka një plagë të rëndë në qafë, sipas mjekëve ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Por ajo ende nuk e di që i biri ka ndërruar jetë. Burime nga Policia thanë se shkak për krimin e rëndë në familje është bërë një debat që viktima Brian Skrapari ka pasur me të atin.
Sipas Policisë, nga dëshmitë e disa të afërmve të familjes Skrapari, është mësuar se 25-vjeçari vuante nga depresioni dhe prej dy vitesh kurohej me medikamente. Ndërsa kishte vetëm disa ditë që ishte kthyer nga Gjermania, ku shkonte herë pas here tek e motra, e cila studion atje për mjekësi.