Tension dhe përplasje që në orët e para të mëngjesit të sotëm në Tiranë. Forca të shumta
policie kanë rrethuar gjykatën e Tiranës, por në një perimetër të madh. Policia nuk lejon deputetët e opozitës të kalojnë, apo të futen në sallën e gjykimit. Kjo ka sjellë reagime dhe përplasje mes tyre.
Momente të forta tensioni brenda Gjykatës së Tiranës janë shënuar, atje ku do të jepet masa e sigurisë për 23 protestuesit e arrestuar, si përgjegjës për dhunën në protestën e organizuar të shtunën në ‘Rrugën e Kombit’ kundër taksës.
Dera e gjykatës është thyer, ndërsa nuk munguan as tonet e larta. Në video shihen momentet e tensionit mes deputetëve të PD dhe punonjësve të policisë.
“Mos më prek me dorë”, dëgjohet zëri i një deputete të PD, pasi ata nuk lejohen të futen brenda sallës.
“Hiqe dorën” i drejtohen deputetët punonjësve të policisë. Por forcat e policisë nuk lejojnë, duke krijuar përplasje fizike.
Në pamjet e siguruara shihet se deputetët i kundërvihen policisë, ndërsa i përsërisin se po shkelin ligjin. Ndërkohë, pasi u shtynë para derës, njëri nga deputetët e PD ngeli i lënduar. Bëhet fjalë për kreun e grupit parlamentar të PD-së Edmond Spaho. Ndërkohë turma të mëdha kanë rrehtuar gjykatën në distancë dhe po tentojnë të kalojnë kordonet e policisë.