GRABITJA NË FIER/ Si “humbi” celulari i viktimës dhe misteri i…

0
276

Identitetet e tre  grabitësve që tentuan të vjedhin me armë banesën e Minella Muçës mëngjesin e të premtes në qytetin e Fierit mbeten ende enigmë. Detajet e reja nga hetimet zbuluan se në fakt nuk ishin katër hajdutë, por pesë të tillë. Gjë e cila, e vështirëson edhe më shumë ngjarjen.

Nga burime të sigurta është mësuar se gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes dhe kontrollit të ushtruar në trupin e viktimës e të plagosurit, nuk është gjetur asnjë aparat celular. Këtu nis dhe misteri.
Fakti se 20-vjeçarit Xhuliano Sollaku, që mbeti i vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë dhe Arben Muçës që u plagos, nuk u janë gjetur me vete telefonat celularë, ka bërë që tre autorët e tjerë të mund t’u shpëtojnë prangave deri tanimë.

Për këtë arsye, deri tani ka qenë e pamundur që të verifikohet se me kë kanë komunikuar natën e ngjarjes Xhuliano Sollaku dhe Arben Muça. Por, pavarësisht se nuk u janë gjetur me vete aparatët celularë, burimet shprehen se hetuesit janë duke siguruar të dhënat e numrave që janë përdorur së fundmi nga viktima dhe i plagosuri prej të afërmve të këtyre të fundit. Më pas, do t’u kërkohet kompanive celulare përkatëse që të mundësojnë tabulatet telefonike të numrave që janë përdorur nga Sollaku dhe Muça.

Çfarë u gjet në telefonin e Arben Muçës:

Një prej sendeve të sekuestruara në vendin e ngjarjes është telefoni i të plagosurit Arben Muça. Policia po merr në pyetje të njohur dhe numra kontaktesh që janë gjetur në telefonin e 33- vjeçarit.

Gjithashtu me anë të telefonit, grupi hetimor bën të ditur se ka rënë në gjurmë të një personi, nga i cili grupi merrte informacion mbi familjet që kanë fëmijë në emigracion apo që mbajnë shuma të konsiderueshme parash në banesë. Hetuesit dyshojnë se ky grup, pas kësaj vjedhjeje, kishte piketuar dhe dy familje të tjera që kanë fëmijët në emigracion.

Burimet shprehen se nuk dihet nëse grabitësit kanë përdorur të njëjtin numër si për të komunikuar me familjarët, ashtu edhe me njëri-tjetrin. Dyshohet se para se të shkonin për të kryer grabitjen, t’i kenë lënë celularët në automjetin tip “Fuoristradë” me të cilën u larguan tre prej tyre.
Ndërkohë, mësohet se janë gjetur vetëm armët e zjarrit e përdorura prej dy grabitësve dhe çanta me veglat që hajdutët kanë përdorur për të hapur bravën e derës së banesës së çiftit Muçi.

Natën e grabitjes: 
Nga burimet bëhet e ditur se të pestë grabitësit kanë qenë duke hapur derën e çiftit Minella Muça, madje, kanë tentuar të hapin edhe derën e një fqinji. Në momentin kur policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes, pranë hyrjes së pallatit ku jetojnë çifti i të moshuarve Muça, të pesë grabitësit kanë zbritur me vrap shkallët dhe kanë shtënë me armë zjarri ndaj policisë.

Arben Muça ka zbritur në trotuar dhe ka qëlluar me kallashnikov drejt policisë, duke mundësuar largimin e tre prej pesë grabitësve. Kur Arben Muça është plagosur dhe ka rënë në tokë, ka qenë Xhuliano Sollaku që ka mbuluar shokët e tij duke qëlluar kundër policisë.

Por, gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë, Sollaku ka mbetur i vdekur në vend. Duke përfituar nga mbulimi i dy shokëve të tyre, tre grabitësit e tjerë kanë mundur të largohen me një automjet tip “Fuoristradë”, ndërkohë që fatmirësisht në radhët e policisë nuk ka pasur të lënduar. Burimet pohojnë se pavarësisht se ka persona që dyshohet që kanë dijeni mbi ngjarjen, ende nuk janë arritur të sigurohen prova konkrete për të dyshuar të tjerë si të implikuar.

Dyshohet se të paktën një prej grabitësve ka qenë nga qyteti i Fierit, por ende nuk ka një emër përfundimtar. Nga hetimet paraprake dyshohet se autorët e tentativës së vjedhjes me armë të mëngjesit së të premtes në Fier, kanë pasur informacione se në banesën e Minella Muçës mund të kishte një sasi të konsiderueshme parash. Ndërkohë, nga rindërtimi i dinamikës së ngjarjes dhe këqyrjes së provave të sekuestruara në vendngjarje, janë ngritur dyshimet se autorët kanë qenë hajdutë profesionistë.

Kështu, mësohet se në vendngjarje, hajdutët kanë braktisur një çantë me veglat që kanë përdorur për të hapur një prej bravave të derës së banesës së Minella Muçës. Në këtë çantë janë gjetur një çelës papagall, një kaçavidë, pinca, një levë e mjete të tjera që përdoreshin prej grabitësve.

Grupi në fjalë kishte kohë që vepronte në disa qytete të vendit.

Policia dhe prokuroria janë duke verifikuar të kaluarën e Sollakut dhe Muçës për të siguruar informacione dhe prova ndaj bashkëpunëtorëve të tyre të mundshëm në këtë ngjarje. Vetë i plagosuri Arben Muça nuk ka pranuar të bashkëpunojë, duke pohuar para hetuesve se ishte i tronditur e nuk mbante mend gjë.

Një ditë më parë Gjykata vendosi masën e sigurisë “arrest në burg” pa afat ndaj tij, ndërsa Muca ndodhet në spitalin e Fierit, duke bërë që masa të jepet në mungesë. Avokati i tij, i caktuar kryesisht, është shprehur se Muca nuk mban mend asgjë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here