Zaloshnja: këshilla kineze për Edi Ramën,Sundimtari duhet të jetë i paanshëm, kur vjen puna për të zbatuar ligjin …..etj

0
201

Nga Eduard ZaloshnjaNë shekullin e dytë p.e.r., Liu An, mbreti i Huainanit, u kërkoi dijetarëve të oborrit të tij, të përgatisnin një libër mbi qeverisjen, filozofinë dhe botën në tërësi. Ata përgatitën një libër të quajtur “Huainanzi” i cili, i përkthyer në anglisht nga Sarah A. Queen and John S. Major, është plot 900 faqe. Më poshtë, vijojnë disa këshilla nga ky libër, të cilat vlejnë sot për çdo qeverisës. Në rastin tonë, për Edi Ramën:

  1. Në qoftë se një sundimtar mban larg ata që vërtetë punojnë për të mirën publike, dhe punëson në vend të tyre miq apo aleatë politikë, atëherë promovohen njerëz me aftësi të dyshimta apo të çuditshme, ndërkohë që zyrtarët e ndërgjegjshëm do të mbeten në hije. Në këtë rast, punët publike do të bëhen çorap, në të gjithë strukturat e shtetit dhe zyrtarët e aftë do të vuajnë.
  2. Në qoftë se një sundimtar është në luftë të vazhdueshme me vartësit e tij, atëherë zyrtarët e lartë do të jenë vazhdimisht të shqetësuar për të mbajtur postet e tyre, duke i plotësuar tekat sundimtarit, për të ruajtur veten. Kjo gjë do të shkaktonte tutjen e zyrtarëve të aftë, në rastet kur ata duan të japin këshilla, që mund të mos i pëlqejnë sundimtarit.
  3. Në qoftë se sundimtari merr pjesë në aktivitete të pafundme, disa të rëndësishme e disa jo fort të rëndësishme, qeverisja do të përkeqësohet. Dijet e sundimtarit, sado të mëdha, nuk mund të jenë të mjaftueshme për qeverisjen e shtetit. Sundimtari nuk mund të zgjidhë i vetëm çdo problem të madh apo të vogël të shtetit.
  4. Kur zyrtarët u lëpijnë menderet eprorëve, ndërkohë që bëjnë gabime, nuk është e mundur që ata të vihen para përgjegjësisë. Kur ata që kryejnë vepra penale nuk ndëshkohen dhe zyrtarët e tjerë do të bien në pasivitet dhe çrregullim, ndërkohë që të mençurit nuk do të jenë në gjendje ta rregullojnë situatën. Akuzat e pabaza ndaj atyre që nuk i pëlqejnë sundimtarit dhe mburrjet e pabaza në drejtim të tij, do të lulëzojnë, ndërkohë që të përndriturit nuk do ta ndriçojnë dot situatën.
  5. Kur njerëzit e thjeshtë nuk kanë një kasolle për të mbuluar kokën, një sundimtar i përndritur nuk duhet të shijojë shtëpi me shumë kate dhe zyra luksoze.
  6. Një sundimtar duhet t’i nuhasë vështirësitë, para se ato të materializohen; të përgatitet për situatat e jashtëzakonshme, përpara se të ndodhin; të kujdeset përditë për punët e shtetit dhe jo të jepet pas qejfeve e dëshirave të tij. Ai duhet të jetë i drejtë, i vendosur, i pastër, i pa korruptuar dhe i aftë. Kur promovon apo shkarkon vartësit, ai duhet të mbajë parasysh të mirën publike dhe jo tekat e tij. Vendime të tilla duhet t’i marrë me qetësi dhe balancë.
  7. Fjalët nuk duhet t’i dalin një sundimtari nga goja, pa u menduar mirë. E njëjta gjë vlen edhe për veprimet e tij. Atij i duhet të zgjedhë me kujdes se, ç’është e mirë për publikun, para se të ndjekë një linjë të caktuar veprimi.
  8. Gjërat që u ndalohen njerëzve të thjeshtë, duhet të jenë të ndaluara edhe për sundimtarin. Në qoftë se sundimtari është i korruptuar dhe manipulon shoqërinë, ai një ditë do të dështojë me siguri.
  9. Shtetin e mban në këmbë njerzillëku dhe drejtësia. Në qoftë se i mungojnë këto dy gjëra, një ditë do të dështojë me siguri.
  10. Në kohë krize, ata që janë në pushtet, nuk ngopen me pushtetin. Pushtetarët pakësojnë të mirat për publikun dhe rrisin ndëshkimet ndaj tij. Njerëzit e thjeshtë stërmundohen të zemëruar dhe përpjekjet e tyre nuk japin fryt.
  11. Sundimtari duhet të jetë i paanshëm, kur vjen puna për të zbatuar ligjin ndaj atyre që pëlqen apo nuk i pëlqen. Ai nuk duhet të përkrahë të korruptuarit apo të përqafojë gënjeshtrën.
  12. Kur gjenden njerëzit e duhur për punët e shtetit, kryerja e tyre nuk është e vështirë. Kur sundimtari cakton njerëzit që e meritojnë detyrën e tyre, punët e vendit shkojnë mirë.
  13. Kur sundimtari është i sinqertë dhe i drejtë, zyrtarët e ndershëm punojnë me zell, ndërsa të korruptuarit s’gjejnë vrimë ku të fshihen. Në të kundërt, zyrtarët e djallëzuar arrijnë objektivat e tyre, ndërsa të ndershmit struken.
  14. Në një vend të qeverisur mirë, ata që përpunojnë politikat, duhet të mbajnë parasysh ligjet e vendit; ata që i zbatojnë politikat, duhet të mbikëqyren rreptësisht. Eprorët duhet të vlerësojnë me rigorozitet mbarëvajtjen e vartësve të tyre, në mënyrë që ta bëjnë punën me efektivitet. Mburrjet nuk duhet të tejkalojnë realitetin dhe veprimet nuk duhet të tejkalojnë ligjet.
  15. Në një vend të keqqeverisur, ata që mburren më shumë ,bëjnë më pak për vendin e tyre. Ndërsa ata që i qëndrojnë besnikë detyrës, ndëshkohen pa të drejtë. Në këto kushte, sundimtari qeveris në errësirë dhe nuk i kupton mirë punët e vendit. Të aftët nuk guxojnë të bëjnë propozime, ndërsa servilët janë pranë veshit të sundimtarit. Në këto kushte, klikat dhe fraksionet mbizotërojnë, duke e bërë sundimtarin të ndërmarrë nisma të pavlefshme për njerëzit e vuajtur.
  16. Sundimtari duhet të bazohet në përvojën njerëzore, kur bën plane. Parapëlqimet e tij personale, nuk duhet të përcaktojnë dhënien e favoreve; inatet e tij nuk duhet të përcaktojnë ndëshkimet. Vetëm në këtë mënyrë, ai mund të fitojë dinjitet, dhe ligjet e urdhrat e tij, mund të konsiderohen nga njerëzit si të drejta.
  17. Një vend nuk dështon prej mungesës së sundimtarit, por prej mungesës së sundimit të ligjit.

“Albanian Free Press

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here