INTERVISTA/ Mehmetaj: PPP-të, skemë e përvetësimit të parave të shqiptarëve nga oligarkët e Ramës

0
235

Në një intervistë për “Standard” deputetja e LSI-së, Kejdi Mehmetaj deklaroi se 1/3 e shqiptarëve sot jetojnë me vetëm 1 dollarë në ditë, duke akuzuar qeverinë se nuk jep asnjë alternativë për një jetesë më të mirë. Mehmetaj duke folur për gjendjen në vend tregoi edhe nismën e LSI-së “Paketa Antivarfëri” që sipas saj “synon që 80 mijë familjeve të varfra tu ofrojë rreth 240$ në muaj”. Për reformën në arsim ajo theksoi se universitetet rrezikojnë të mos akreditohen. “Është që kemi arritur në ditën që një pjesë e universiteteve publike rrezikojnë seriozisht të mos akreditohen ose të mbyllen” – tha Mehmetaj. Planin për ndërtimin e Tetarit Kombëtarë Mehmetaj e quan si korruptiv dhe kriminal pasi sipas saj “nuk po fal thjesht 3000 metra katrorë tokë publike, por po tenton të shkatërrojë edhe 75 vite histori të teatrit shqiptar”. “Partneriteti Publiko Privat është vetëm një skemë “e thjeshtëzuar e përvetësimit të parave të shqiptarëve nga oligarkët e Ramës” – deklaroi Mehmetaj. Kurse për bisedimet Shqipëri-Greqi, Mehmetaj akuzon qeverinë si “arrogante dhe jo transparente”.

Intervistoi: Vedat Vehbiu

Si i komentoni raportet e fundit të organizatave evropiane për varfërinë në vend? Po lidhur me raportin e OKB që e shpalli vendin tonë në 20-shën e parë të vendeve më të korruptuara të botës?

Raportet e organizatave ndërkombëtare mbi varfërinë dhe korrupsion janë vërtetim i shqetësimeve që opozita ka ngritur prej kohësh tashmë. Qytetarët nuk kanë nevojë për raporte për varfërinë, pasi e ndjejnë atë në të përditshmen e tyre. 1\3 e qytetarëve shqiptarë jetojnë në varfëri ekstreme, me 1$ në ditë për familje ose me aq pak të ardhura sa të mund të blejnë vetëm ushqimet bazë. Rreth 70% të shpenzimeve të shqiptarëve shkojnë vetëm për ushqim dhe kjo tregon sa jetë të vështirë të bëjnë, gjithmonë në përpjekje për të mbijetuar. Mirë se varfëria është ulur këmbëkryq, mirë se qeveria nuk jep asnjë alternativë për një të ardhme më të mirë, por vazhdon të rëndojë jetën e shqiptarëve duke rritur taksat, duke rritur çmimin e dritave dhe të ujit, duke nxjerrë 30 mijë familje nga skema e ndihmës ekonomike e kështu me radhë. Qytetarët sot jetojnë të pa shpresë, pa drejtim. Të pasigurt nëse do të munden tu ofrojnë fëmijëve të tyre mundësi për të ardhmen. Dhe kjo bëhet në mënyrë të e qëllimshme. Kryeministrit dhe qeverisë së tij u intereson ta varfërojnë këtë vend sa të munden, kështu i sigurojnë vetes jetëgjatësi në pushtet dhe fryrje xhepash. Përballë varfërisë së shqiptarëve janë vendosur një grusht oligarkësh që përfitojnë në emër të qeverisë prona publike, koncesione dhe tendera korruptivë, miliona euro që qeveria ua jep nga taksat e qytetarëve nëpërmjet skemave të PPP-ve. Konkurrenca po vdes dhe bashkë me të edhe tregu i lirë. Shqipëria nga një vend me resurse të denja për të zhvilluar një shtet social të ngjashëm me vendet nordike, po konkurron për vendin e fundit me shtetet më të varfra Afrikane.


Cili është mendimi juaj për skemën e re të qeverisë për ndihmën ekonomike, kur opozita akuzon qeverinë për heqjen nga skema të më së paku 20 mijë familjeve në nevojë?

Në gjykimin tim nuk ekziston një skemë e re për ndihmën ekonomike, por një marifet i ri nga ana e qeverisë për të rënduar jetën e qytetarëve. Nëse realisht do të kishte një skemë të re, qeveria do të kishte kurajo ta bënte atë transparente, tu shpjegonte qytetarëve sistemin e pikëve dhe kriteret që i bëjnë ata përfitues të ndihmës ekonomike. Preteksti i qeverisë se ndihma ekonomike i bëka qytetarët dembel është krejtësisht i pavend, pasi duhet të kuptojmë se ndihma ekonomike nuk është më shumë se 3 mijë e pesëqind lek në muaj dhe askush nuk do të jetonte me kaq pak të ardhura nëse do të kishte mundësi të punësohej. Madje edhe më keq, në buxhetin e shtetit nuk mungojnë të ardhurat për të përfshirë këto 20 mijë familje në skemën e ndihmës ekonomike, por qeveria ka zgjedhur këtë formë për ti nënshtruar ato familje. Për ti përdorur ata gjatë fushatës elektorale, për ti futur e nxjerrë nga skema sipas interesave të rilindjes ose për të ulur çmimin e blerjes së votës si pasojë e skamjes ekstreme. Lëvizja Socialiste për Integrim ka paraqitur alternativën e saj: Paketën Antivarfëri, që synon që 80 mijë familjeve të varfra tu ofrojë rreth 240$ në muaj dhe aftësim profesional në të njëjtën kohë me qëllim që brenda 2 viteve së paku një anëtar i familjes të punësohet dhe të dalë nga skema.

Keni folur shpesh me tone kritike për situatën e arsimit në vend. Mund të specifikoni se cilat janë sipas jush mangësitë kryesore në këtë fushë? Duke mbetur këtu a besoni se qeveria po e mbështet sa duhet rininë, kur flasim për sapo të diplomuarit nëpër fakultete ?

 

Me shumë përgjegjshmëri dhe duke u bazuar në të gjithë të dhënat dhe raportet ndërkombëtare ju them se arsimi në Shqipëri është në ditët më të vështira. Cilësia po humbet dhe bashkë me të edhe besimi në institucionet arsimore dhe stafet petagogjike. Sigurisht, arsyeja kryesore pse është krijuar kjo situatë është mungesa e financimit, sot arsimi financohet aq sa të paguhen vetëm rrogat (që duhet thënë se janë shumë të ulëta), pa krijuar mundësinë e përmirësimit të infrastrukturës, të rritjes së kapaciteteve në mësimdhënie dhe përmirësimit të kurrikulës. Arsyeja e dytë është mungesa e vizionit të kësaj qeverie që i mungon dija edhe dëshira për ta zhvilluar sistemin arsimor. Shembulli konkret është arsimi i lartë, dështimi i reformës më të zëshme të qeverisë Rama 1, reformë të cilën ne e kemi kundërshtuar edhe gjatë kohës kur miratohej në parlament. Dyshimet tona se aktet nënligjore nuk do të dilni në kohë dhe do të shërbenin për qëllime klienteliste u vërtetuan. Sot universitetet publike janë në kaos menaxherial dhe akademik. Shenja e parë publike u dha me vonesën e pagave të pedagogëve. Çdo hallkë e sistemit ka ngecur duke e bërë ingranazhin të ndalojë punën. Pasojat e këtij kaosi padyshim bien mbi studentët të cilët sot paguajnë më shumë për të ndjekur studimet e lartë edhe pse cilësia  bie çdo ditë e më shumë. Pedagogët nuk janë të qetë e të lirë për të kryer detyrën e tyre (cilësimi nga ana e kryeministrit si “fundi i kavallit” tregon pikërisht këtë). Fatkeqësia është që kemi arritur në ditën që një pjesë e universiteteve publike rrezikojnë seriozisht të mos akreditohen ose të mbyllen. Pasi përfundojnë studimet, të rinjtë nuk janë të përgatitur të përballen me tregun e punës sepse punë nuk ka, por edhe kur ka si rrjedhojë e mungesës së aftësive praktike të rinjtë nuk punësohen. E vetmja zgjidhje që Kryeministri Rama u ka dhënë të rinjve është të emigrojnë. Çdo e dhënë zyrtare është kthyer në një këmbanë alarmi se Shqipëria po humbet mendjen, pasi të rinjtë e shkolluar po largohen drejt vendeve të Evropës dhe Shteteve të Bashkuara. Me këtë ritëm për shumë pak vite nuk do të kemi më mjek, inxhinier, mësues, avokatë e të tjerë profesionistë sepse të gjithë po ikin. Të dhënat më të fundit thonë se 75% e fëmijëve të moshave 7-14vjeç duan të largohen nga Shqipëria, ky fakt i dhimbshëm duhet të na trondisë dhe të na nxisë të luftojmë pa kushte për të rikthyer shpresën në gjeneratën e re të këtij vendi.

Si e komentoni projektin e ri për ndërtimin e Teatrit Kombëtarë?

Mendja e mbrapshtë e kryeministrit ka shpikur një formë të re të PPP-ve që është përveç korruptive edhe kriminale. Nuk mjafton dëmi i përditshëm ekonomik që po bën me vendimet e qeverisë së tij, tani synon të bëjë edhe dëme të përjetshme duke përvetësuar pronën publike e duke e dhënë falas në dorë të privatit, pas së cilëve qëndron vet ai. Në rastin e Teatrit Kombëtar, nuk po fal thjesht 3000 metra katrorë tokë publike, por po tenton të shkatërrojë edhe 75 vite histori të teatrit shqiptar. 2 javë pasi Ministrja e Kulturës me shkrim pranoi se nuk ka asnjë projekt apo studim për Teatrin Kombëtar, kryeministri prezantoi përpara aktorëve një projekt që ndër të tjera ishte plagjiaturë dhe jo estetik për syrin. Askush nuk duhet të gënjehet nga fabula e kryeministrit se kur qeveria nuk ka leke duhet ndërtimet publike ti bëjë privati në këmbim të privilegjeve. Duke bërë një llogari të thjeshtë, ndërtuesi privat do të fitojë minimalisht 15 milion euro, kundrejt vetëm 3 apo 4 milionëve që do shpenzojë për të ndërtuar teatrin. A ka kuptim kjo? Një vendimmarrje e tillë padyshim ka prapavijë kurruptive dhe duhet dënuar me ligj. Unë jam e bindur që aktorët do e vazhdojnë luftën e tyre për të shpëtuar teatrin, por unë u bëj thirrje qytetarëve të bashkohen me aktorët, pasi Tirana është e jona, teatri është i yni dhe nuk duhet të lejojmë askënd ti përdorë sipas qejfeve dhe interesave personale.

Përtej akuzave të opozitës, kohët e fundit kemi pasur shkrime nga revistat gjermane por edhe të vendeve tjera të Evropës, të cilat e paraqesin Shqipërinë si vend me kriminalitet të lartë dhe kultivim të lëndëve narkotike?

Lëvizja Socialiste për Integrim e ka dënuar edhe gjatë kohës që ishte në qeveri kultivimin e lëndëve narkotike dhe kriminalitetin në vend. Ju rikujtoj deklaratën e Z. Manjani lidhur me ndërhyrjen e ushtrisë për të pastruar territorin nga plantacionet e Kanabisit dhe të gjithë denoncimet publike që kemi bërë mbi përfshirjen e bandave kriminale gjatë fushatës elektorale. Rastet e  ish ministrit Tahiri dhe ish drejtorëve të policisë të përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike, vërtetuan akuzat tona dhe lidhjen e drejtpërdrejtë të kryeministrit. Krimi luftohet vetëm kur në krye të shtetit ta qeveritarë me integritet dhe përgjegjshmëri qytetare, të cilët nuk frikësohen nga banditët dhe as kontrollohen nga ata. Për sa kohë që qeveria shqiptare e bashkë me të edhe mazhoranca do të mbrojnë trafikantët e do të përdorin institucionet e drejtësisë si lodra personale, dyshoj se Shqipëria do arrijë të përmirësojë rezultatet në raportet e ndërkombëtarëve. Përtej imazhit në sytë e të huajve, shqetësimi më i madh për mua lidhet me të rinjtë shqiptarë që janë kthyer në transportues dhe konsumues të lëndëve narkotike. Kjo nuk mund dhe nuk duhet të jetë e ardhmja e të rinjve shqiptarë.

 

Cili është mendimi juaj lidhur me praktikën e shumë përdorur nga qeveria “Rama” të PPP-ve?

 

Partneriteti Publik, Privat është një skemë që nuk ka funksionuar në shtete të zhvilluara të botës ku mekanizmat kontrollues janë shumë të fortë dhe procedurat zhvillohen me shumë transparencë, jo më të mendojmë se mund të ecin në një Shqipëri të drejtuar nga Rama. Qeveria shqiptare e ka vërtetuar tashmë që PPP-të nuk janë asgjë tjetër veçse një skemë e thjeshtëzuar e përvetësimit të parave të shqiptarëve nga oligarkët e Ramës. Edhe FMN ka folur mbi rrezikun që vjen me PPP-të, mbi korrupsionin që mbajnë nënvete dhe koston e madhe financiare që do të duhet ta paguajnë shqiptarët në shumë vite në vazhdim. Korrupsioni fillon që me dhënien e projekteve pa konkurim dhe pa studim fizibileteti dhe vazhdon me buxhete të tejfryra dhe interesa shumë të larta që ndikojnë drejtpërdrejtë në rritjen e borxhit publik. Ndër të tjera PPP-të janë po ashtu një shpikje interesante e Kryeministrit për të pastruar paratë e narkotrafikut.

LSI prej vitesh ka depozituar në parlament një iniciativë ligjore mbi koncesionet dhe PPP-të  pasi ne gjykojmë se të tilla marrëveshje me kosto të larta financiare dhe të shtrira në vite duhet të kalojnë nëpër më shumë filtra. Asnjë marrëveshje koncesionare dhe PPP-je nuk duhet ndërmarrë pa u bërë transparentë çdo detaj, mbi të gjitha fatura që duhet të paguajnë qytetarët.

 

A besoni se do BE do të hap negociatat me Shqipërinë në qershor të këtij viti?

Lëvizja Socialiste për Integrim beson se e ardhmja e Shqipërisë është në Bashkimin Evropian dhe çdo përpjekje politike e jona synon të afrojë ditën kur ne do e shohim veten pjesë të BE. Kryetarja e LSI-së Znj. Kryemadhi i ka dërguar personalisht Komisionerit Hahn një letër në të cilën i kërkon hapjen pa kushte të negociatave. Shqiptarët janë evropian gjeografikisht dhe janë po aq evropian në sjellje, sidomos të rinjtë. Ndër vite janë bërë shumë përpjekje dhe janë ndërmarrë me sukses reforma që Institucionet e BE-së kanë vendosur përpara nesh dhe e gjithë përpjekja jonë vlen të stimulohet me hapjen e negociatave. Sigurisht, ne nuk harrojmë se situata e kriminalitetit në vend dhe përfshirja e qeverisë në trafikun e lëndëve narkotike përbëjnë një pengesë të jashtëzakonshme në progresin tonë drejt integrimit, por në të njëjtën kohë ndajmë bindjen se hapja e negociata gjithashtu do e vendoste qeverinë përballë një presioni pozitiv për të pastruar veten. Nga ana tjetër hapat pas që ka Shqipëria si rrjedhojë e lakmisë kryeministrore, për shembull në administratën publike, nuk kalojnë pa u vënë re nga partnerët evropian. Unë besoj se Komisioni Evropian do të japë një rekomandim pozitiv për Shqipërinë dhe shpresoj që  shtetet anëtare, të mbyllin njërin sy e njërin vesh e të na mbështesin në rrugën tonë.

Së fundmi një ndër debate më të nxehta në vend ka qenë çështja e bisedimeve mes Shqipërisë dhe Greqisë për “temat e nxehta” mes dy vendeve. Si e gjykoni sjelljen e qeverisë shqiptare në këtë aspekt?

Gjykoj se temperaturën e diskutimeve mbi bisedimet me Greqinë e rriti vetë qeveria me sjelljen e saj arrogante dhe jo transparente. Duke vlerësuar ndryshimet në sjellje të qeverisë shqiptare kundrejt asaj greke çdokush do të ngrinte hije dyshimi. Ndërkohë që pala greke i kishte kryer detyrat e saj lidhur me informimin e të gjithë institucioneve dhe transparencës ndaj publikut, Ministri ynë i Jashtëm vriste mendjen se si të shfaqej sa më arrogant dhe cinik përballë qytetarëve. Pavarësisht kërkesave të vazhdueshme nga ana e deputetëve anëtarë të Komisionit për Politikën e Jashtme, asnjë informacion qoftë edhe me dyer të mbyllura nuk u dha nga ana e qeverisë. Këto janë sjellje që tregojnë natyrën e papërgjegjshme të qeverisë dhe kur bëhet fjalë për çështje me rëndësi të lartë kombëtare është mirë që çdo situatë e pakëndshme të parandalohet. Me përfshirjen në këtë proces të Presidentit, unë besoj se bisedimet me Greqinë po futen në rrugën e drejtë ligjore dhe uroj që negociatorët të kryejnë detyrën me profesionalistet dhe përgjegjshmëri të lartë atdhetare.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here