Ikja e keshilltareve te LSI: flet Braimllari, ja arsyeja pse i ben Rama keto…….

0
157

Sekretari i Përgjithshëm i LSI, Endrit Braimllari, ka folur për herë të parë për largimin e këshilltarëve të LSI drejt Partisë Socialiste.

Deputeti i LSI thotë për “Shqiptarja.com” se largimet janë një skenar i përgatitur nga kryeministri Edi Rama për të hequr vëmendjen nga droga, varfëria dhe çështja e përjashtimit të 20 mijë familjeve nga skema e ndihmës ekonomike.

Sipas tij, këshilltarët janë larguar nga LSI që para zgjedhjeve të 2017, por ata po përdoren në këtë moment nga PS për të hequr vëmendjen nga skandalet qeveritare. Braimllari tha se LSI nuk ka asnjë merak, ka nisur përgatitjet për zgjedhjet lokale, ndërsa nuk e përjashtoi një koalicion të mundshëm me Partinë Demokratike.

-Z. Braimllari, ç’po ndodh në LSI, këshilltarët bashkiakë të së cilës po largohen pasivisht drejt PS? Çfarë fshihet pas kësaj lëvizjeje?
Të gjithë këshilltarët që po largohen në këto momente nga Lëvizja Socialiste për Integrim, janë këshilltarë, të cilët janë larguar më parë nga LSI. Edhe rasti në Shkodrës është i tillë. Ato emra janë larguar më parë nga LSI. Është një skenar i Rilindjes dhe i makinerisë mediatike e Edi Ramës, për të bërë shoë-n e radhës. Të gjithë janë larguar më parë, por në këtë moment ata po i përdorin. Kanë ikur para zgjedhjeve të 2017. Tani po përdoren nga Edi Rama politikisht për të ushtruar presionin e radhës.

-Çfarë interesi politik ka kryeministri Rama sipas jush? Për çfarë po ushtron presion?
Edi Rama kërkon që të heqë vëmendjen nga skandalet e tij qeveritare. Kërkon që të heqë vëmendjen nga 613 kg kokainë që u ndalua në Shqipëri. Kërkon që të heqë vëmendjen nga varfëria që ka pushtuar të gjithë shqiptarët si dhe nga ndihma ekonomike. Si mendoni ju, a mund të dalë një këshilltarë lokal nga Belshi dhe flasë për një politikë kombëtare apo për një politikë ndërkombëtare siç është lobimi rus? Këto janë deklarata të përgatitura nga PS dhe janë standard. Nuk mund që një këshilltar të flasë për politika të tilla.

-Gjithsesi, a është shqetësuar LSI për këtë largime në bllok? Çfarë masash po merrni?
Ne nuk kemi asnjë lloj meraku. Kemi filluar organizimin e strukturave. Këshilltarët e Vlorës që ikën, unë kam qenë vetë në Vlorë, kur i larguam para pesë muajsh, pasi thyen vendimin e grupit, duke votuar pro PS. Në Vlorë, këshilltarja qante para se të dilte, pasi i kishin bërë presion se do të heqim burrin nga puna. Është presion dhe strategji për të tërhequr vëmendjen. Është frymë lokale. LSI është duke përgatitur strukturat për zgjedhjet lokale. Kemi takim të përditshëm me njerëzit.

-Do jeni pjesë e një koalicioni apo do të hyni vetëm në zgjedhjet lokale?
Po marrim opinionet dhe mendimet e bazës. Jemi në front të bashkuar opozitar me Partinë Demokratike dhe me të gjitha partitë e tjera në opozitë për keqqeverisjen. Sa i takon koalicionit për zgjedhjet lokale, do të merret vendimi në momentin e duhur se si do të ndërtohet koalicionet dhe cili do të jetë qëndrimi i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ne si LSI po përgatitemi për të gjithë skenarët e mundshëm, pasi parimi kryesor është që të kemi një sistem zgjedhor, cili t’i shërbejë pikësëpari Shqipërisë, por edhe një sistem zgjedhor që të jetë përfaqësues, pasi zgjedhjet lokale kanë të bëjnë drejtpërdrejt me individin dhe komunitetin.

-Më konkretisht, a do hyjë LSI bashkë me PD në zgjedhje, pasi çështja e koalicionit ka shumë rëndësi sa i takon projektimit të rezultatit?
Kjo nuk është një çështje, të cilën mund ta vendos unë. Është një çështje që u takon strukturave të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ne kemi një bashkëpunim me Partinë Demokratike dhe me të gjithë frontin opozitar për keqqeverisjen. Protesta e 27 janarit ishte masive dhe tregoi se kauza e opozitës së bashkuar është kauza që përkrah interesat e qytetarëve. Edhe një herë, janë strukturat e LSI, ato që do të marrin vendimin. Vendimi do të merret në kohën e duhur.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here