Qeveria s’do mbajë përgjegjësi/ “Se na ranë mbi krye një herë piramidat, mos lëmë të na zënë përsipër ndërtimet”

0
234

Nga Sonila MEÇO

Se na ranë mbi krye një herë piramidat, mos lëmë të na zënë përsipër ndërtimet. Ka rrezik? Ja faktet:

Në treg, shumë kompani ndërtimi, sipas deklaratave në Qendrën Kombëtare të Biznesit, kanë të ardhura të ulëta, ose deklarojnë zero, duke qenë rregullisht me humbje.
Në treg po hyjnë gjithnjë e më shumë kompani që kanë pak ose aspak përvojë, nuk kanë likuiditete, por që çuditërisht zotërojnë leje ndërtimi.
Por gjen edhe të tjera nga firmat ndërtuese, që prej vitesh nuk janë marrë me ndërtim dhe krejt papritur shfaqen me likuiditete, duke hyrë në një treg të cilit i kanë thënë lamtumirë prej më shumë se një dekade. Këto fakte pohohen publikisht edhe nga shoqata e ndërtuesve në vend.

Apartamentet e reja shiten me çmim më të lartë, edhe aty ku nuk ka logjikë ekonomike. Çmimet e apartamenteve janë thuajse trefishuar, ndërsa sasia e kredisë dhënë nga bankat për apartamente apo edhe rritja e nivelit mesatar të pagave, nuk e justifikojnë një kërkesë të tillë … në një treg normal.

Kredia bankare për këtë sektor është në rënie, teksa euro ka arritur minimumin e vet historik në këmbim me lekun, kur në tregjet ndërkombëtare forcohet gjithnjë e më shumë ndaj dollarit. Kjo dëshmon praninë e një oferte të lartë, apo pranisë së një sasie shumë të madhe eurosh në qarkullim, që nuk kalojnë nga sektori bankar.

Po kush blen? Sa i njohur është burimi i financimit? Në vitet e fundit është rritur dukshëm numri i pasurive të paluajtshme, që financohen nga burime të panjohura. Vetëm gjatë viteve 2015-2016 janë mbi 700 blerje në banesa e toka, të cilat e kanë të panjohur burimin e financimit sipas të dhënave nga Drejtoria e Parandalimit dhe Pastrimit të Parave. Këto për aq sa kanë rënë në rrjetën e institucioneve ligjzbatuese shqiptare.

Se ç’do ndodhë me vlerën e apartamenteve ekzistuese, pas pak kohësh, e kemi të qartë. Prona jonë do zhvlerësohet ndjeshëm, me disa herë. Apartamentet do ngjajnë fantazma të pabanuara, mundi i një jete për të patur një shtëpi, do vlejë sa nje makinë e përdorur sot. Bankat e shpëtuan kokën kësaj here, ne e kemi jashtë, tas. Dhe ekonomia s’do dijë ku të mbahet më, pasi ndërtimi të ketë ezauruar brenda dy-tre vjetësh shkëlqimin e tij. Pyesni bizneset, edhe ato të suksesshme se pse nuk investojnë në industri, bujqësi…

Qeveria s’do mbajë përgjegjësi, bankat asnjë risk, bizneset nuk do ta vrasin mendjen i shitën a jo apartamentet, bëjini llogaritë vetë se kush janë viktimat.

Herën e parë turp për Ata, herën e dytë turp për Ne!

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here