Një “8 Mars” aspak festiv në “Republikën e bananeve”!!

0
154

Në Shqipëri, gratë paguhen 6.3% më pak se burrat. Ky është hendeku gjinor i pagave sipas Institutit të Statistikave, që të dhënën e fundit ka atë të vitit 2016. Pra, paga mesatare grave në vendin tonë është sa 93.7 % e asaj të burrave. “Kjo vlerë është më e vogël se për disa vende të zhvilluara Europiane, por nuk do të thotë se në Shqipëri ka me pak diskriminim ndaj grave. Për shembull, në vitin 2015, hendeku gjinor i pagave në Gjermani ishte rreth 20 %, në Francë ishte 15,8 % dhe në Danimarkë ishte 15,1 % (Eurostat). Megjithatë, pjesëmarrja e grave në forcat e punës dhe niveli i pagave në këto vende është shumë më i lartë se në Shqipëri. Siç e kemi përmendur edhe më lart, të dy këto faktorë ndikojnë në rritjen e hendekut gjinor të pagave. Prandaj duhet thënë që në Shqipëri duhet të fillohet me luftimin e diskriminimit gjinor që shkurajon gratë për të marrë pjesë në tregun e punës dhe gjithashtu me marrjen e masave për ndalimin e diskriminimit gjinor në tregun e punës me anë të pages”, thekson INSTAT.

Instituti i Statistikave vlerëson se grup – profesioni i vetëm, për të cilin hendeku gjinor i pagave (HGJP ) është negativ është ai i forcave të armatosura. Por nga ana tjetër, përqindja e punonjësve gra në këta profesione është vetëm 12 %. Grup profesioni i punonjësve të bujqësisë, pyjeve dhe peshkimit paraqet një hendek gjinor në paga prej 3.6 % dhe një përbërje gjinore të punonjësve 57 % burra dhe 43 % gra. Hendeku gjinor i pagave i këtyre grup – profesioneve është ndjeshëm nën mesataren kombëtare.

Të gjitha grup – profesionet e tjera paraqesin HGJP përkatëse më të larta në vlerë se mesatarja e vendit. Profesionet elementare kanë hendek gjinor të pagave prej 7.2 % dhe një përbërje gjinore pothuajse të barabartë, me një dominim të lehtë të grave me 51 %. Grup – profesioni i nëpunësve, punonjësve të shitjeve dhe shërbimeve paraqet HGjP prej 10.5 %. Për këtë grup – profesion, 60 % e punonjësve janë burra dhe 40 % janë gra. Në grup – profesionin e drejtuesve, profesionistëve dhe teknikëve 51 % e punonjësve janë gra, por burrat paguhen 12.7 % më shumë për të njëjtën punë. Grup – profesioni me hendekun më të lartë gjinor në paga është ai i zejtarëve, punonjësve të montimit të pajisjeve dhe makinerive, me 24.9 %. Gjithashtu, vetëm 38 % e punonjësve janë gra.

Ekspertët vlerësojnë se ka një lidhje të drejtëpërdrejtë mes punësimit të grave dhe nivelit të pagave që ato marrin në krahasim me burrat. “Në sektorin e aktiviteteve ekonomike të ndërtimit dhe atë të tregtisë, transportit, hotelerisë etj, paga mesatare është më e lartë për gratë se sa për burrat. Ky fakt nuk do të thotë se në ndërmarrjet e këtyre sektorëve nuk ka diskriminim gjinor në paga, por ai është i lidhur me pjesëmarrjen e ulët të grave në forcat e tyre të punës. Një pjesëmarrje e tillë e ulët shpesh do të thotë që në këta lloj sektorësh arrijnë të punësohen vetëm ato gra që kanë arritur nivele të larta arsimi dhe kualifikimi dhe rrjedhimisht, punësohen pothuajse ekskluzivisht në poste të larta pune”, theksohet në raportin “Burrat dhe gratë në Shqipëri 2017”, publikuar nga INSTAT.

Në sektorin e industrisë nxjerrëse, energjisë, gazit dhe furnizimit me ujë paraqitet pothuajse e njëjta gjëndje. Për shkak të pjesëmarrjes së ulët të grave hendeku gjinor i pagave është ndjeshëm më i ulët se mesatarja kombëtare (2.5 %), por duke qënë se ky është sektori me nivelin e pagave më të lartë (paga mesatare 53.311 lekë, INSTAT) bën që të ketë më tepër vend për diskriminim. Për këtë arsye HGjP në këtë sektor nuk është në nivelet e sektorit të ndërtimit. Në sektorin e bujqësisë ku punojnë një numër pothuajse i barabartë grashë dhe burrash HGjP është gjithashtu më i ulët se mesatarja e vendit (2.7 %), por kjo lidhet me nivelin e ulët të pagave për këtë sektor.

Në sektorin e administrimit publik, shërbimeve sociale dhe aktiviteteve të tjera hendeku gjinor i pagave paraqitet në nivele të barabarta me mesataren e vendit, edhe pse në këtë sektor është e pritshme që zbatueshmëria e ligjeve dhe rregullave kundër diskriminimit të grave të jetë më e lartë. Sektori i prodhimit është edhe sektori me hendekun më të lartë gjinor në paga (23.3 %). Ky është sektori me përqindjen më të lartë të grave punonjëse, çka është një faktor që kontribuon në rritjen e HGjP-së. Edhe pse niveli i pagave mesatare në këtë sektor është i ulët (31.407 Lekë, INSTAT), vlera e lartë e hendekut gjinor të pagave mund të vijë si rezultat i punësimit të grave përgjithësisht në profesione me nivel të ulët page brenda këtij sektori, të cilat kërkojnë pak ose aspak kualifikim.

Edhe të marrësh një kredi në bankë, për një grua është më e vështirë se për një burrë.  Në këtë përfundim ka arritur Instituti i Statistikave, bazuar në Regjistrin e Kredive, sistemin e ngritur pranë Bankës së Shqipërisë me të dhënat e të gjitha huave që bankat kanë dhënë në vite.

INSTAT konstaton në dokumentin “Burrat dhe gratë në Shqipëri 2017” se për periudhën 6-vjeçare (2011-2016) të dhënat e regjistrit të kredive të Bankës së Shqipërisë pasqyrojnë një trend rritës për kredimarrjen për të dyja gjinitë, duke ruajtur dhe diferencat pothuajse të njëjta midis tyre. Numri i grave kredimarrëse është pothuajse sa gjysma e burrave, sikurse dhe shuma mesatare e kredisë së marrë nga një grua është sa gjysma e shumës mesatare të marrë nga një burrë.

“Të dhënat e Bankës së Shqipërisë mbi numrin e kredimarrësve, kreditë e marra dhe vlera totale e tyre sipas gjinisë na tregojnë gjatë vitit 2016 numri i grave kredimarrëse ka pësuar një rritje, ndërsa kreditë që ato marrin duket të jenë me vlera relativish te vogla. Burrat kredimarrës kanë pësuar një rënie gjatë 2016, por sërisht ato vazhdojnë të dominojnë në numrin e kredive të marra dhe me vlera më të larta sesa grate”, thekson INSTAT.

Të dhënat e detajuara tregojnë se që nga vitit 2011 deri në fund të 2016-ës, bankat kanë dhënë kredi për 240.632 gra. Për këtë periudhë, numri i kredive për gratë arriti në 307.763 të tilla, me një vlerë totale prej rreth 97.9 miliardë lekësh. Për të njëjtën periudhë 6-vjecare, bankat kanë dhënë kredi për një numër të më të vogël burrash, por numri i kredive dhe vlera e tyre është ndjeshëm më e madhe se ato për gratë. Kështu, sipas INSTAT-it,  në vitet 2011-2016, rezultojnë kredimarrës pranë sistemit bankar 232.796 burra. Numri i përgjithshëm i kredive të lëvruar për ta vlerësohet në 513.968, me një vlerë totale prej 220.7 miliardë lekësh.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here