Negociatat me Greqine. Te gjithe dakord me presidentin

0
155

Sot Presidenti i Republikës Ilir Meta priti komisionin parlamentar të politikës së jashtme në selinë e Presidencës në lidhje me negociatat me Greqinë, duke parashtruar edhe njëherë mendimet dhe vendimet e Tij, të cilat janë në zbatim të Vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Nuk dihet se çfarë ka thënë Kreu i Shtetit Shqiptar para tyre, por nisur nga deklaratat e dy përfaqësuesve të grupeve kryesore parlamentare në këtë Komision Parlamentar, Edi Paloka dhe Mimi Kodheli mund të thuhet se gjithçka ka thënë, kërkuar e deklaruar Presidenti Meta kanë rënë dakort edhe anëtarët e komisionit parlamentar të politikës së jashtme.

Ky takim me vendimmarrësit parlamentar të politikës së jashtme, erdhi pas një sërë takimesh që Kryetari i Shtetit Ilir Meta zhvilloi me ish-presidentët e Republikës si Berisha, Mejdani, Moisiu, Topi dhe Nishani.

Dihet se ka patur një sërë replikash nga ministri i jashtëm Ditmir Bushati në lidhje me kërkesat e Presidentit, por me sa duket edhe vetë PS-ja nuk e mbështet ministrin e saj të diplomacisë. Kjo duket hapur edhe nga përgjigja e kryetares të komisionit të jashtëm Mimi Kodheli, e cila fill pas takimit sot në presidencë, deklaroi para medias, ndër të tjera, se “ne si komision parlametar jemi krejtësisht dakort me parashtrimet e Presidentit Meta dhe e mbështesim të zbatoj vendimet e Gjykatës Kushtetuese”. Më tej zonja Kodheli, si një ish-ministre e sprovuar dhe korrekte, theksoi se po punojmë të gjitha palët politike për një zgjidhje afatgjatë në këtë Marrëveshje me Greqinë. Zonja Kodheli shtoi se Presidenti ka kërkuar që të jenë si konsulentë në grupin negociator edhe disa profesorë të shquar që janë specialistë në të tilla çështje specifike, siç flitet për ndarjen e detit mes Shqipërisë dhe Greqisë.

“Ramë dakort dhe ndamë të njëjtin mendim me Presidentin lidhur me nevojën që kjo marrëveshje të mos dështojë, me nevojën dhe meritën që ka vendi ynë për të hapur negociatat me BE. Këta janë elementë të domosdoshëm që e bëjnë këtë marrëveshjen më të rëndësishme të qeverisë shqiptare me atë greke”, deklaroi deputetja socialiste Kodheli.

Sa u takon negociatorëve, Kodheli tha se nuk u diskutua për ta, por u la e hapur dera për përfshirjen e të tjerë personave në këtë grup.

“Grupit mund t’i atashohen edhe njerëz dhe ekspertë të tjerë, që mund të jenë këshilltarë të mirë”, u shpreh Kodheli.

Zonja Mimi Kodheli ishte e qartë, ndonëse nuk e tha me plot gojën se ministri i jashtëm Ditmir Bushati duhet të jetë më i kujdesshëm kur flet me dhe për Presidentin e Republikës.

Ndërsa opozita kryesore PD theksoi se nuk ka transparencë nga ana e qeverisë ndaj shikonte si garant ndërhyrjen e Kryetarit të Shtetit, zotit Ilir Meta, tek i cili edhe PD-ja manifestoi besim në këtë çështje të madhe, delikate dhe diplomatike me Greqinë.

“Pas parashtrimit të Presidentit lidhur me qëndrimin e tij, ramë dakort që të gjithë, që qëndrimi i Presidentit është qëndrim korrekt dhe i përgjigjet përgjejgësisë dhe detyrimit që ka për të qëndruar tek vendimi i Gjykatës Kushtetuese”, deklaroi Paloka.

Deputeti i PD-së tha se shqetësimi kryesor i opozitës ishte transparenca, ndërsa pati edhe kërkesa për një verifikim më të mirë të grupit të negociatorëve.

Ndërkohë, Tritan Shehu ritheksoi edhe njëherë se Partia Demokratike është e gatshme që çështja të dërgohet në Gjykatën e Drejtësisë në Hagë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here