‘Të korruptuar dhe të lidhur me krimin, kjo nuk është policia që duam’

0
227

Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim Luan Rama ka reaguar ndaj kryeministrit Rama duke theksuar se kjo nuk është policia që duam. Deputeti Luan Rama këto akuza i bëri në fjalën e tij në Komisionin e Sigurisë.

Ja fjala e plotë:

Dua të them që në fillim; parimisht jam dakord me nismën dhe më lejoni të shpreh këtu në komision edhe qëndrimin e grupit parlamentar të LSI-së, pro procesit të vetingut të policisë dhe të strukturave të tjera nën varësinë e ministrisë së brendshme.

Duke e vlerësuar nismën të rëndësishme, për të mundësuar krijimin e një policie që bazohet vetëm në zbatimin e ligjit, dhe të funksionojë si një strukturë ligjore, profesionale dhe me integritet në përballimin e sfidave që janë objekt i misionit të saj kushtetues dhe ligjor, mendoj se ka vend për kontributin e të gjithëve ne.

Natyrisht kjo është edhe një çështje vullneti, dhe unë e kuptoj edhe angazhimin e ministrit Xhafa, që shpreh vullnetin pozitiv për ta bërë këtë strukturë efiçente në finksionimin ligjor dhe për zbatimin e ligjit.

Por, ky vullnet dhe kjo nismë, natyrisht ka brenda edhe një moment reflektimi. Reflektim që vjen mbi bazën e asaj situate apo të njohjes së gjendjes reale që ai si iniciator i ligjit ka për strukturën që drejton.

Dhe reflektimi ka brenda dhe konfirmimin e një situate që nuk është normale, që shprehet edhe në atë çfarë tha ministri, që shprehet edhe në relacionin që shoqëron projektligjin dhe që lexohet qartë në frymën e vetë projektit që na ka ardhur përpara, për të mundësuar luftën kundër pandëshkueshmërisë në rradhët e strukturave të Ministrisë së Brendshme, por në mënyrë të veçantë do të thoja të Policisë së Shtetit, për të ndëshkuar ligjërisht shfaqjet e korrupsionit dhe të bashkëveprimit herë-herë si pjesëtarë në grupet kriminale dhe herë si mbështetës ndaj tyre me veprimet ose mosveprimet e punonjësve të policisë.

Natyrisht kjo, duam apo nuk duam ne, megjithë përpjekjen që mund të bëjmë për ta fshehur realitetin, konfirmon se kredoja që “policia që duam” rezulton një dështim, që “policia e çunave” dhe jo policia e punonjësve të shtetit, që “policia e shokëve” dhe jo policia e ligjit, ka përgjegjësinë e vetë në këtë realitet kriminal, në të cilën gjendet Shqipëria. Dhe kur them policia, këtu dua të bëj një diferencë, nuk e kam fare fjalën për strukturën masive të Policisë së Shtetit. Unë kam respekt, kam punuar me ta dhe atje shumica janë profesionistë të zotë, shumica janë profesionistë të ndershëm, të përkushtuar, njerëz të sakrificës. Janë pjesa më e sakrifikuar në Shqipërinë e 28 viteve të fundit. Është pjesa me më shumë dëshmorë në luftë përballë krimit dhe t’a kemi parasysh këtë gjë.

Por jemi gjendur përballë keqpërdorimit të kësaj vlere, të kësaj pasurie kombëtare, të këtij institucioni të shtetit nga drejtues të papërgjegjshëm në rastin më të mirë, dhe të lidhur dhe bashkëpunëtorë me krimin në rastin më të keq, siç dëshmon edhe vetë realiteti i gjendjes, atë që tha edhe drejtori i SHKB-së këtu, të dosjeve të relatuara në Prokurori, i proceseve, i dënimeve të dhëna nga organet e drejtësisë etj.

Unë nuk mund të mos them që jemi përgjegjës, unë ndihem përgjegjës si përfaqësues i LSI në përbërje të mazhorancës me Partinë Socialiste në katër vjet, që dështuam në katër vjet të krijonim policinë që donin qytetarët. Dhe kur them dështuam, këtu e kam për aspektin politik, sepse ne nuk kemi pasur si forcë politike as përqindjen në pjesëmarrjen në Ministrinë e Brendshme dhe në Polici për shkak të specifikës që ka ajo Ministri.

Por nëse në zbatim të ligjit janë sot në organet e drejtësisë të arrestuar drejtues, dy, tre, pesë, nuk ka rëndësi, që janë etiketuar si drejtues të LSI-së, pavarësisht se ata kanë qenë drejtorë që janë rekrutuar në zbatim me ligjin, jemi sot përballë një realiteti që ish-ministri i brendshëm është nën hetim, që Drejtori i Përgjithshëm i Policisë është i shkarkuar, që të 12-të drejtorët e Policisë të Qarqeve janë të shkarkuar, që kemi një mori drejtuesish të policisë të shpallur në kërkim nga policia për shkak se i janë shmangur drejtësisë, këta që duhet të ishin garantët e zbatimit të ligjit dhe në garantimin e drejtësisë. Kemi dhjetëra punonjës policie, të arrestuar e të kapur në flagrancë si lidhje e krimit, si bashkëpunëtorë të bandave të trafikimit të lëndëve narkotike etj dhe asnjëherë nuk kemi ngritur gishtin e akuzës politike, që kjo është Partia Socialiste në Policinë e Shtetit, sepse nuk veprohet kështu.

Ata janë individë, kanë emrin e tyre personal dhe të përgjigjen individualisht dhe personalisht për të gjitha çfarë kanë bërë në shkelje të ligjit.

Policia e Shtetit është e të gjithë qytetarëve e këtij vendi, është edhe e imja, është e të gjithëve ne këtu dhe nuk ndahemi përballë detyrimit për të mbështetur Policinë e Shtetit, për të bërë një reformë që e bën atë efiçente, nuk ka opozitë dhe mazhorancë, jemi të gjithë një. Por kërkohet natyrisht një vlerësim objektiv dhe një diskutim racional dhe në funksion të krijimit të kësaj strukture, edhe me projektligjin që kemi përpara për Vettingun, le të quajmë kështu, meqënëse është termi më popullor që perceptohet nga publiku.

Ne jemi bashkëpunues, por ju lutem shumë zonja Kryetare, duhet të krijoni klimën e vullnetit të mirë që sugjerimet konstruktive dhe propozimet racionale t’i konsiderojmë me objektivitet dhe të mos i paragjykojmë nga fakti që këtë e thotë Luani apo e thotë Flamuri. Kur vlen dhe e ndihmon procesin për të bërë një ligj që të jetë në funksion të misionit për të cilin po flasim, kërkoj nga ana juaj, më shumë fleksibilitet dhe vullnet pozitiv për të bërë që ky ligji, me propozimet që mund të bëhen, të jetë produkt i konsensualitetit brenda nesh.

Dhe përvoja e reformës në drejtësi mund të na ndihmojë këtu për të evituar disa difekte që dolën rrugës në krijimin e institucioneve, mosfunksionimin e komisioneve etj me qëllim që të ruajmë (dhe kjo është e rëndësishme), integritetin e strukturës së policisë, duke bërë një ligj që të garantojë pikërisht këtë, integritetin dhe autoritetin në zbatimin e ligjit.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here