Si na “rrjepin” bankat, interesat e kredive 8 herë më të larta se të depozitave

0
561

Nga statistikat zyrtare zbulohet se aktualisht ekziston një diferencë e madhe mes normave të interesit të kredive dhe atyre të depozitave në banka. Bankat e blejnë sot lekun me 0.9% (interesi i depozitave) dhe e shesin me 6.8% (interesi i kredive). Kjo diferencë e madhe konsiderohet si risku që bankat marrin. Por që gjithashtu, kjo u siguron atyre një fitim të lartë. Sipas të dhënave, gjatë vitit 2017, bankat realizuan një fitim neto prej 22.1 miliardë lekësh, gati dy herë më shumë se sa në vitin 2016,

Të mbyllësh para në banka vetëm sa i mban ato të sigurta, pasi fitimi që gjenerohet është pothuajse minimal. Interesat e depozitave kanë pësuar rënie të ndjeshme, si për ato në lek ashtu edhe në valutë. Banka e Shqipërisë evidenton në Raportin e Politikës Monetare për tremujorin e parë të këtij viti se normat e interesit për depozitat dhe kreditë e reja janë luhatur në nivelet më të ulëta të tyre edhe gjatë tremujorit të katërt të vitit 2017. “Gjendja e përshtatshme e likuiditetit në sistemin bankar ka mundësuar ruajtjen e normave në këto nivele, në linjë me politikën monetare lehtësuese të ndjekur nga Banka e Shqipërisë. Luhatjet e yield-eve gjatë vitit të fundit nuk kanë pasur ndikim të dukshëm në normat e interesit të kredisë”, vlerëson Banka Qendrore?

Interesi mesatar për depozitat e reja me afat në lekë rezultoi mesatarisht 0.9% në tremujorin e katërt, duke qëndruar kështu pranë nivelit mesatar të tij në dy vitet e fundit. “Në dy tremujorët e fundit është vërejtur një rritje e lehtë e normave të interesit për depozitat me afat maturimi mbi një vit, rritje e cila është balancuar nga norma marzhinalisht më të ulëta për depozitat me maturitet afatshkurtë”, vlerësohet në raportin e BSH-së.

Ndërkaq, rënie kanë pësuar edhe interesat e kredive në lek, megjithëse me ritme më të ngadalta. Norma mesatare e interesit për kreditë e reja në lekë rezultoi mesatarisht 6.8% në tremujorin e katërt të vitit, duke qenë lehtësisht nën mesataren e dy tremujorëve të mëparshëm. “Kjo tendencë rënëse është vënë re, si në kreditë për investime, ashtu dhe në ato për mbështetje me likuiditet. Ndërkohë, edhe normat e interesit të kredive për individë u reduktuan gjatë tremujorit të katërt, duke zbritur në 7.0%, nga 7.3% që ishin në tremujorin e tretë. Kjo rënie ishte e pranishme si në kredinë konsumatore, ashtu edhe në atë hipotekare”, theksohet në raport.

Norma mesatare (për të gjitha afatet e maturimit) e huave të reja në lekë u rrit në 6.8%, nga 6.59% që kishte qenë muajin e mëparshëm, njoftoi Banka e Shqipërisë. Kjo ka sjellë, siç pritej, atë që, me bazë vjetore (nëntor 2017/nëntor 2016), rritja e huasë për ekonominë të ishte minimale: vetëm 0.1%, duke shënuar të tretin vit radhazi kur ekonomia nuk po kreditohet, pavarësisht politikës lehtësuese të ndjekur nga Banka e Shqipërisë, e cila ka ulur normën bazë në nivele minimale prej 1.25%, në një përpjekje për të ulur koston e parasë dhe për të nxitur investimet private. Ndërkohë që shtrëngon rripin për kreditimin, nga ana tjetër politika që ndjekin pa përjashtim të gjitha bankat e nivellit të dytë që operojnë në tregun shqiptar ka bërë që norma mesatare e depozitave me afat (1-60 -mujore) të jetë 0.91%, në ulje nga 0.93% që kishte qenë në muajin e mëparshëm, duke arritur nivelin më të ulët në katër muaj.

Për depozitat me afat 12-mujor, që kanë qenë më të preferuarat nga kursimtarët, kthimi vjetor ishte 0.74% në nëntor, nga 0.81% muajin e mëparshëm. Por, duke pasur parasysh se inflacioni vjetor luhatet rreth 2%, kthimi real nga depozitat është negativ. Pra, shqiptarët nuk kanë interes të depozitojnë paratë në institucionet bankare. Në nëntor 2017, në krahasim me nëntorin e vitit 2011, kursimet me afat të rezidentëve kanë rënë me 94 miliardë lekë, ose gati 690 milionë euro. Depozitat e individëve me afat në lekë përbënin 26% të totalit në nëntor 2017, nga 40.5% që ishte kjo peshë në 2011-n. Individët aktualisht po kërkojnë për alternativa kursimi më fitimprurëse, si investime afatgjata (mbi 2 vjet), blerjen e letrave me vlerë të qeverisë, blerjen e pasurive të paluajtshme etj.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here