Shqiptarët duhet të protestojnë për t’i kujtuar pushtetit se “Ne jemi këtu dhe bëni kujdes”.

0
125

Nuk besoj se ka qytetar tjetër në rruzull që të ketë një arsye më shumë se shqiptarët për t’u ngritur në protestë. Sepse këtu arsyeja për të dalë në protestë është kudo. Sapo shikon një qendër qyteti ke një arsye për të protestuar, sepse është abuzuar me paratë publike për ndërtimin e saj…

Nga Saimir Kola

Një ditë më parë në rrjetet sociale është bërë shpërndarje një tekst-koment i kolegut tim Bledian Koka, ku thelbi ishte që qytetarët të mos merrnin pjesë në protestë.

Nuk kam asnjë replikë me kolegun por thjeshtë kam disa argumenta pse duhet të marrim pjesë në këtë protestë. Në fakt deri më tani publikisht thirrje për të mos marrë pjesë në protesta kanë bërë kryeministri Rama, Ambasadori Amerikan, dhe ish Drejtori i Policisë Haki Çako. Të gjithë u bënin thirrje qytetarëvë të mos merrnin pjesë në një protestë që organizohej nga opozita. Unë, në rreth 13 e kusur vjet në media nuk di asnjë rast tjetër që bën thirrje për mos dale në protesta. Kam një qëndrim tjetër sa i përket protestave. Qytetarët duhet të dalin në protestë edhe kot, edhe kur nuk kanë ndonjë problem, duhet të protestojnë për t’i kujtuar pushtetit se “Ne jemi këtu dhe bëni kujdes”.

Unë nuk di asnjë vend që të ketë luksin që qytetarët të mos marrin pjesë në protestë, unë nuk di asnjë vend tjeter veç vendit tonë që të ekzistojë termi “Protestë paqësore”. Protesta është protestë dhe është hapi i fundit i një konflikti mes palëve. Është e fundit gjë që u mbetet qytetarëve apo një pjesë të tyre kur i preket një interes. Protesta është akti kur pushteti apo qeveria e humbin monopolin e dhunës, dhe ushtrimi i saj u takon tashmë dy palëve. Një moment kur të dy palët e humbin legjitimitetin derisa sa fundi i saj e përcakton se kujt i takon.

Protestat nuk bëhen vetëm për situata apo ngjarje të rënda. Në kemi zhvilluar protesta për një pemë, për qentë e vrarë, jemi sensibilizuar për eksodin e refugjatëve. Bota proteston kundër gjithçkaje që bie ndesh me të drejtat universale të çdo gjëje mbi tokë, që nga krimbat e deri tek njeriu. Ndaj mendoj se thirrjet për të mos marrë pjesë në një protestë nuk kanë kuptim.

Nuk besoj se ka qytetar tjetër në rruzull që të ketë një arsye më shumë se shqiptarët për t’u ngritur në protestë. Sepse këtu arsyeja për të dalë në protestë është kudo. Sapo shikon një qendër qyteti ke një arsye për të protestuar, sepse është abuzuar me paratë publike për ndërtimin e saj. Sapo shikon një godinë qeveritare ke arsyen tjetër për të protestuar sepse ajo godinë mban brenda, në pjesën më të madhe të saj, llumin e shoqërisë, njërëz pa arsim, të emëruar politikisht, korrupsion, falsifikatorë dokumentash, falsifikatorë faturash, preje fletësh arresti për të varfërit, abuzues seksualë, gjithfarëlloj ndyrësirash, deri tek intelektualët që hartojnë ligje në kurriz të të gjithëve. Arsyeja për të protestuar është shumëfish në një edicion lajmesh, madje aty gjen qindra arsye për të dalë në protestë. Po arsyeja më e madhe ka të bëjë pikërisht me varfërinë tonë ekstreme, jemi një popull 2.7 milion banorë dhe vuajmë për bukën e gojës, pavarësisht se kemi pasuri përrallore mbi dhe nën tokë. Lumi që dikur kishte ujë sot nuk ka, ajri që dje ishte i pastër sot nuk është i tillë, makutëria për të vjedhur është në kulm. Sot e dimë të gjithë që krimi është në pushtet, më saktë ka ambasadorët e tij aty.

Në fund pas gjithë kësaj diskutojmë për kauzën. A po përdor PD kauzën e duhur në këtë protestë. Po cilën kauzë të përdorë më parë? Kauza ka humbur, sepse këtu çdo gjë është një kauzë. Kjo është arsyeja pse qytetarët duhet të marrin pjesë në një protestë, sepse gjithësecili ka të paktën 10 arsye për të qënë aty, sepse çdo shqiptar ka të paktën 10 halle në familjen e tij.

Nëse dikush ka votuar këtë qeveri, sot ai i ka një borxh të madh këtij vendi. Sepse ky nuk është shëmbulli ynë si qytetarë. Kjo qeveri në rastin më të mirë në 80% të saj nuk kap dot as mesataren e popullsisë. Kjo qeveri nuk na shërben dot për asgjë, punën e qeverisë nuk e bën dot, por as shembullin e mirë nuk na e jep dot.

Ndaj unë mendoj se në protestë duhet të jemi të gjithë, madje duhet një protestë që i tregon dhëmbët pushtetit, një protestë mësimi që kjo qeveri ose të ndryshojë rrugë ose të hapë rrugë për procese që shqiptarët i kërkojnë prej qindra vjetësh. Duhet të marrë fund koha kur protestat të jenë një lajm, dhe duhet të nisë koha kur protesta është pjesë e përditshme e jetës tonë dhe që qeveritë ta ndjejnë gjithnjë veten nën presionin e qytetarët. Nuk duhet të kemi qeveri apo qeveritarë që na tregojnë burgun, por që e dinë çfarë përgjegjësie kanë marrë përsipër, madje ta dinë se ai burg i pret njësoj si çdo qytetar kur abuzojnë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here