Deputeti i Partisë Socialiste, Bashkim Fino ka komunikuar se i ka paraqitur dorëheqjen Kryetarit të Partisë dhe Sekretarit të Përgjithshëm nga funksioni i sekretarit organizativ dhe administrativ. Kandidati për kreun e FSHF, ka vendosur që të heq dorë nga këto funksione edhe pse sipas tij nuk ishte i detyruar.
“Pavarësisht se nuk jam i detyruar ligjërisht, sapo i paraqita dorëheqjen Kryetarit të Partisë dhe Sekretarit të Përgjithshëm nga funksioni i sekretarit organizativ dhe administrativ të Partisë Socialiste. Ky akt, vjen për të evituar çdo paragjykim, për një garë të drejtë dhe të ndershme, në kuadër të kandidimit tim për postin e presidentit të FSHF,” shkruan Fino në “Facebook”.
Vendimi për dorëheqjen nga funksionet partiake vjen pas debateve që ka shkaktuar në opinioni kandidimi i një sekretari partie për kreun e FSHF.
Në komunikimin në rrjetet sociale Fino informon largimin vetëm nga funksionet në selinë rozë, por jo dorëheqje nga mandati i deputetit të PS-së në Parlament.