“Temeratura e lartë” nuk zbutet me “aspirina sociale”…

0
208

Unë besoj se tashmë jemi në fazën postmoderne të zhvillimeve sociale kur shoqëria si tërësi dhe njerëzit individualisht, po përballen përditë dhe me intensitet të lartë me sfidat e jetës që është “fatalisht” e shoqëruar dhe në mënyrë të pashmangshme me zhvillime sociale të vrullshme, me përjetime individuale marramendëse.  Problemi është se në vështrimin e tipizuar të fenomeneve sociale me të cilat po përballen njerëzit tanë, por dhe në skanerin e ngjarjeve të personalizuara të secilit individ, duket se jemi në një situatë kaotike në pikëpmjen e vlerësimit empirik nga njerëzit e zakonshëm, por edhe  në shumë raste të vështira për t’u shpjeguar dhe interpretuar konceptualisht drejt.

Njeriu i zakonshëm, qytetari i jetës së përditshme, është në vështirësi me veten dhe imperativin e domosdoshëm të integrimit social, adoptimit me kërkesat ultimative të një shoqërie të atomizuar, liberale e individualiste, sepse gjithnjë e më shumë ndihet vetëm dhe përgjithësisht i vetmuar në përballimin e sfidave, pasigurive dhe ankthit të jetës së përditshme që buron nga frika dhe rreziku i dështimit në jetë.

Nuk ka njeri në shoqërinë shqiptare që të ndihet tërësisht i sigurt dhe totalisht i garantuart, përballë goditjeve të forta të një shoqërie kaotike dhe një jete eruptive. Duam apo nuk duam jemi të detyruar të përshtatemi me këtë tipologji të jetës që jetojmë (akoma më e vështirë do jetë ajo që po vjen), pa shume piketa të qarta jetike, si mjet me të cilin njeriu mund të sigurojë orientim social të qartë social dhe individual të sigurt. Është e natyrshme që për të shmangur paqartësitë sociale dhe keqkuptimet individuale të imperativave të vërteta të jetës së sotme, është e nevojshme dhe e duhur që të sqarohen drejt fenomenet sociale që janë të pashmangshme dhe që dominojnë tërësisht jetën tone.  Sepse shumë dukuri me të cilat përballen njerëzit tanë, nuk janë kaq të thjeshta sa duken në pamje të parë për t’u interpretuar.  Ca gjëra duke qënë të ndërlikuara nuk mund të interpretohen drejt nga “mëndjet e thjeshta”. Kjo situatë është e tillë që në jetën e shoqërisë dhe përjetimet individuale të njerëzve ka sjellë shumë anomali e pasiguri sociale. Sepse edhe pse ata i shikojnë nga ana sasiuore dhe i përjetojnë personalisht dukuritë normale dhe anomalitë sociale të jetës postmoderne, jo gjithnjë janë kompatibël me të “vërtetën e vërtetë” kur vjen fjala për të bërë interpretimin e tyre.

Shpesh takojmë njerëz pesimistë, të pezmatuar dhe në gjëndje ankthi e pasigurie personale, që kur duan t’i japin përgjigjen e duhur situatave të tyre jetësore, të ndoshur përballë vrulleve, tufaneve dhe stuhive të jetës së “lirë por të pasigurt” në të cilën jetojmë, e kanë më për kollaj të kthejnë “kokën pas” duke idolatrizuar “shoqërinë kazermë”, jetën në turmë, totale e të totalizuar, dhe për pasojë kërkojnë rikthimin e një “shoqërie sociale”, që shmang frikërat dhe pasiguritë dhe që mund të krijojë “porte të sigurta” për jetën e njeriut. Prandaj kur bisedon me ta menjëherë përballesh me rikthimin e ideve të vjetra, që jo vetëm janë të kaluara por dhe të tejkaluara.  Në këto kushte, duke qënë të bindur që nuk ka “kthim pas” por ka detyrim për ta kapur veten “prej flokësh” dhe të ecësh përpara, është e udhës që të angazhohemi Brenda dhe jashtë shoqërisë tonë, në rrugë teorike e sociologjike por dhe praktike e empirike, për të bindur njerëzit, se kjo situatë në të cilën ndodhemi, në mënyrë të natyrshme duhet të shoqërohet me nevojën e kuptimit të vështirësive të jetës reale, të shkaqeve që sjellin këtë “temperaturë të lartë” individuale të shoqëruar edhe me vështirësi reale të adoptimit social. Unë besoj se sot është detyrë imperative sociale dhe intelektuale dhe obligim fare i ndershëm që të operojmë me të vërtetat, të flasim në përputhje me to. Kjo do të thotë që duhet bërë detyra në mënyrë që njerëzit tanë të binden, se është e “pamundur të kërkosh të pamundurën”.

Është fakt që si në të gjitha shoqëritë e vendeve ish komuniste, që shoqëritë e tyre akoma nuk janë purifikuar nga mentalitetet supersociale e populiste, edhe shoqëria jonë shfaqet si shoqëri me demokraci të brishtë dhe ekonomi tregu të pakonsoliduar (ekonomi pazari më shumë). Kjo situatë është një gjëndje e përgjithshme sociale, e përbërë nga një shumicë njerëzish individualisht të deformuar dhe tejet të shqetësuar. Akoma është i pranishëm mentaliteti i vjetër që shfaqet në kërkesën këmbëngulëse të njerëzve, që kanë akoma të lartë “temperaturën sociale” të mënyrës së jetës kolektive, që janë akoma në pritje të mundësisë së gjetjes së një shoqërie me “dimension social”.  Kjo patologji sociale që sipas mendimit tim, tek ne është akoma e përhapur në përmasa jo të natyrshme, buron nga ideja e gabuar e njerëzve që nga që nuk kuptojnë kohën dhe imperativat e saj, që synojnë dhe kërkojnë me çdo kusht mbështetjen tek “shoqëria e madhe” si mjet për të siguruar orientimin e shëndetshëm në jetë.Mund të ketë shumë arsye historike, politike, kulturore e psikologjike që mund të përdoren për të shpeguar dhe interpretuar si duhet këtë situatë të zgjatur të tranzicionit.

Por tani që kanë kaluar 27 vjet nga rënia e Murit të Berlinit, duket se jo vetëm janë zbehur por kanë rënë për tokë shumë nga iluzionet sociale dhe utopitë politike me të cilat njerëzit prisnin ndryshimin e dëshiruar. Është një periudhë historike jo fare e shkurtër kjo që ka kaluar dhe që e ka vënë shoqërinë shqiptare para realiteteve të reja, të pamenduara dhe të paparashikuara më pare, se ato edhe pas 27 vite jetë politike pluraliste, demokraci dhe ekonomi tregu do të ishin të tilla.

Njerëzit tanë menduan se kalimi nga totalitarizmi dhe shoqëria barazitariste në liri dhe brenda shoqërisë liberale e individualiste, do të ishte një realitet që do ta ndihmonte njeriun që të “gjënte veten” më lehtë duke patur një orientim social më të sigurt. Në të vërtetë shumë ide, pritmëri e iluzione sociale rezultuan krejt ndryshe nga sa i menduan njerëzit tanë. Ata u ndodhën përballë me dukuri të tjera të paparashikuara e të befasishme. Në një farë mënyre u kalua nga shoqëria e “ftohtë” e barazitarizmit në shoqërinë modern, por me “temperaturë të lartë” sociale dhe ankthe e pasiguri individuale. Në shumë raste e vështirë për t’u përballuar nga trupi, mendja dhe “lëkura” e individit. Nuk është kohë për iluzione sociale, por për angazhim të shëndetshëm dhe riorientim social të sigurt individual.  Sepse jeta e njeriut në kohën tonë është përtej konceptit të determinizmit social dhe fare afër përpjekjeve dhe vullnetit për të ndërtuar “fatin individual” të çdo njeriu. Jeta e sotme është në mënyrë të sigurt përtej skemave të vjetra të “normalitetit social”. Nuk mund të kërkojmë që jeta e njeriut të sotëm, që në të gjithë aspektet dhe komponentët e saj zhvillohet në kushtet dhe me parametrat e postmodernitetit, të orientohet dhe bazohet në parimet arkaike të shoqërisë së kaluar. Kjo është e pamundur të ndodhë. Nuk mund të jenë më të sigurta skemat e vjetra të referencave sociale mbi të cilat njeriu orientonte dhe organizonte jetën e vet. Koha ka imponuar në shoqëri nevojën e rishikimit radikal të tyre, duke duke përmbysur disa parime sociale arkaike dhe duke korrigjuar disa të tjera për t’i sjellë në frymen e kohës dhe në përputhje me imperativat e jetës postmoderne.

Është e vërtetë që njeriu i kohës postmoderne ka shumë dilema, ankthe e paqartësi sociale me jetën e tij. Nga njëra anë ai po përballet me një tendencë agresive të fragmentarizimit social të jetës, e cila po e bën atë që të mbetet i vetëm në luftën me jetën, pa shpresa të forta për mbështetje sociale, humanizëm e solidaritet. Beteja e njeriut nuk është e mundur të drejtohet kundër kakofonisë dhe fragmentarizimit social. Ndërkaq tendencat e orientimit jo social të jetës liberale e individualiste, mungesa e normave të qarta sociale (anomia), janë bërë vështirësi serioze për njeriun dhe detyrën e tij prioritare të zgjidhjes së problemeve jetike të jetës personale. Kjo është situatë që i detyron sociologët e postmodernitetit që të japin “ilaçin” social, sipas të cilit, që njeriu të mos dështojë në jetë, duhet të mësohet që të mbështetet në “shpatullat e veta” dhe jo në “supet e dikujt tjeter”. Ato janë fakte që nuk janë në dorën e tij. Ai e ka të pamundur të ndikojë në ndryshimin e këtyre tipraeve konstante, thelbësore e ontologjike të kësaj shoqërie që jetojmë. Prirjet asociale të jetës janë të pakthyeshme nga që vetë jeta ka favorizuar orientimin liberal e super individualist. E vetmja gjë që mund të bëjë njeriu është të aftësohet, në mënyrë që të bëhet i gatshëm për të jetuar duke qënë i detyruar që të përshtatet me këto kërkesa të pashmangshme.

Kjo mënyrë jetese nuk e ka shumë qejf dhe nuk e ndihmon njeriun sehirxhi, dembel, parazit, të paaftë për tu orientuar dhe riorientuar me kohën dhe kërkesat e saj. Nuk e ka qejf as njeriun që akoma beson dhe pret “kamerdaren” dhe “aspirinat” sociale të shoqërisë për të “ulur temperaturën” e lartë të problemeve të jetës personale. Akoma më shumë janë të papranueshëm ata që duan të bëjnë “gjykatësin” e shoqërisë dhe dimensioneve të rrudhura sociale të saj. Të gjitha këto të zhveshura nga ambalazhet morale e justifikimet sociale të situatës së individit, janë tregues të sigurt të paaftësisë së njeriut për të zgjidhur hallet e jetës së vet.

Mundet që një pjesë e halleve janë pengesa me natyrë shoqërore, por detyra e njeriut për t’u përballur me to është kryesisht aksion e veprim individual. Kjo është jeta postmoderne. Ajo ka shumë sfida dhe rreziqe, por imperative është rindërtimi i kulturës që i mëson njerëzit, se shumicën e tyre janë të detyruar ta përballojnë vetëm. Në vend që të merremi dhe të bëjmë filozofira për utopinë sociale të pamundur, është bindja që duhet të ketë individi se barra e jetës më së pari duhet përballuar vetë. Ky është problemi. Secili duhet të mendojë që të përballet dhe të gjejë “rrugën e vet” të shpëtimit nga efektete e “krizave sociale” duke forcuar të vetmin mjet që ka në dorë:  Besimin tek Vetja…

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here