“Masakra” e aksionit tatimor: 111 mijë biznese kalojnë në status pasiv!

0
216

Ka arritur në 13 mijë numri i bizneseve që kanë kaluar në status pasiv gjatë gjithë vitit 2017, sipas të dhënave të subjekteve me status pasiv të publikuara nga Tatimet. Me këto ritme, rezulton që në Shqipëri janë mbyllur gati 50 biznese në ditë gjatë vitit 2017, duke përjashtuar fundjavat. Numri më i lartë i subjekteve të mbyllura është në Tiranë, me rreth 4,120. Në Durrës janë mbyllur rreth 1,900 subjekte, në Vlorë 1,085, në Fier 802, në Elbasan 673. Pjesa më e madhe e bizneseve të mbyllura janë persona fizikë, të vetëpunësuar, që kishin hapur subjektet me emrat e tyre. Biznese të tilla, kryesisht në tregti me pakicë, hapen dhe mbyllen vazhdimisht, teksa konkurrenca nga rrjetet e organizuara të tregtisë po shtohen ndjeshëm. Lokalet janë një tjetër kategori që falimentojnë vazhdimisht.

10 kompani janë nga Drejtoria e Tatimpaguesve të Mëdhenj, kryesisht në fushën e naftës. Dy vitet e fundit, Tatimet kanë zhvilluar një proces intensiv për pastrimin e listës së kompanive, duke evidentuar subjektet me status pasiv dhe duke kaluar me këtë status bizneset që kishin më shumë se 12 muaj pa deklaruar asnjë aktivitet. Në total, janë rreth 111 mijë kompani që kanë kaluar me status pasiv, të hapura që nga fillimi i viteve 90 e deri tani.

Vetëm në 6 ditë, nga 3 janari deri më 8 janar 2018, janë mbyllur 247 biznese, sipas të dhënave të përditësuara nga tatimet, kryesisht persona fizikë, ku mbizotërojnë Tirana dhe Durrësi. Ka vijuar edhe mbyllja e call center, që janë vënë në vështirësi pas presionit të qeverisë italiane që synonte të ndalonte ikjen e vendeve të punës nga Italia në Shqipëri. Dyrrah Calling në Durrës, e hapur në 2015-n ka kaluar në fillim të këtij viti në status pasiv, duke iu shtuar mbi 30 subjekteve të tjera të kësaj fushe që u mbyllën në vitin 2017. Ndërsa disa subjekte deklaruan se ishin mbyllur, pasi kishin hapur shoqëri me përgjegjësi të kufizuar. Ndërkohë, nga 1 prilli, subjektet me xhiro vjetore mbi 2 milionë lekë do të paguajnë TVSH, sipas vendimit të marrë nga qeveria në fund të vitit të kaluar. Tatimet kanë njoftuar tashmë tatimpaguesit, të cilët kanë realizuar një qarkullim mbi 2.000.000 (dy milionë) lekë, për vitin kalendarik 2017, si dhe ata që parashikojnë të realizojnë këtë qarkullim gjatë këtij viti, nga data 1 Prill 2018 duhet të regjistrohen me përgjegjësinë tatimore të TVSH-së (tatimi mbi vlerën e shtuar) dhe të bëjnë inventarët.

Albert Nasta, kryetar i shoqatës së biznesit të vogël, tha se ky vendim i ka gjetur të përgatitur sipërmarrjet, të cilat nuk kanë njohuri për procedurat e përfshirjes në skemën e TVSH-së. Bizneset e vogla, që të funksionojn,ë duhet të kenë një xhiro ditore prej 50 mijë lekësh, fakt që tregon shtrirjen e gjerë që do të ketë skema, duke rrezikuar që të nxjerrë nga tregu shumë prej tyre.

 Shteti bllokon investimet

Situata tek bizneset lidhet ngushtë edhe me mungesën e financimeve publike. Investimet bruto në ekonomi (private dhe ato publike) kanë hyrë në trend rënës. Në vitin 2013, investimet publike ishin 5.1% e PBB-së dhe ato private ishin 22.1% e PBB-së, duke shënuar një total prej 27.2% të PBB, sipas të dhënave që ka publikuar Fondi Monetar Ndërkombëtar së fundmi për Shqipërinë. Më pas të dy zërat e investimeve, si ato publike dhe private, nisën rënien progresive, dukë shënuar 26.7% e PBB-së, dhe në 2015 ranë në 24.9% e PBB. Rënia e investimeve ka qenë me të njëjtat ritme si për ato private dhe publike. Sipas Fondit pritshmëritë për 2017 janë për një rritje të lehtë të investimeve private në ekonomi, teksa ato publike pritet të mos ndryshojnë në raport me PBB-në. Pritshmëritë e FMN-së për investimet Bruto në ekonomi janë ulur. Për vitin 2018, investimet bruto pritet të arrijnë në 24.5% të PBB-së dhe në 2019-n në 24.4 (-3% dhe -2.2% më pak). Edhe për 2017-n FMN pret që rritja e investimeve të jetë 24.8% e PBB, me një ulje prej 3.9 pikë përqindjeje nga parashikimi fillestar i janarit 2017.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here