Janari i opozitës/ Nga protestat tek skenarët ekstremë. Ç’po përflitet në korridoret e PD dhe LSI

0
1683

Protesta e opozitës e mbajtur në seancën e fundit parlamentare të vitit 2017, ku u zgjodh edhe Prokurorja e përkohshme Arta Marku, u cilësua si një pikënisje për një valë tubimesh që pritet të ndodhin në Janar. Fronti i përbashkët opozitar, me në krye Partinë Demokratike dhe Lëvizjen Socialiste për Integrim, mësohet se ka nisur prej ditësh përgatitjet për strategjinë që do përdoret këtë muaj e në vazhdim me synimin e përqëndruar në tre objektiva: Së pari rikthimi në shina kushtetuese të procesit të zgjedhjes së Kryeprokurorit, pasi opozita pretendon se zgjedhja e Markut ishte antikushtetuese. Së dyti beteja me krimin dhe drogën që sipas opozitës ka mbështetje qeveritare dhe së treti ndalja e mazhorancës në tentativën e saj, të zbatuar tashmë në disa pika, për kapjen e sistemit të drejtësisë.

Protestat

Burime të mirëbesuara nga PD dhe LSI bën të ditur për gazetën se një ndër format kryesore të kundërshtimit të kapjes politike të drejtësisë dhe ndaljes së lidhjeve krim-drogë-pushtet do të jenë protestat. Të njëjtat buruime pohuan se tubimet pritet të zhvillohen jo vetëm në Tiranë, por edhe në disa nga qytetet kryesore të vendit. Mësohet po ashtu se një protestë kryesore me pjesëmarrje të gjerë do të zhvillohet brenda datës 20 Janar, ku në këtë të fundit nuk përjashtohen skenarët e tejzgjatjes së saj në kohë përtej ditës kur zhvillohet. “ Ka një plan që pritet të rakordohet me tej mes palëve të frontit opozitar, plan i cili nuk përjashton protestat e pandalshme. Nuk mund të zbardhim publikisht se cila do jetë strategjia opozitare por mund të pohojmë pa më të voglin dyshim se qeverinë “Rama” e pret një Janar i acartë”, bëri të ditur një prej burimeve opozitare për gazetën.

Pak ditë para mbylljes së 2017-ës, kreu i PD-së zhvilloi takime në Lezhë, Tiranë dhe Kavajë, në kuadër të përgatitjeve për aksionin popozitar që do të ndërmerret këtë muaj e në vazhdim. Kryedemokrati pritet t’i vazhdojë këto takime këto ditë për të konkluduar më pas në një ahxendë të përbashkërt me frontin opozitar. Vazhdimësinë e protestave kreu i PD e pohoi edhe me reagimin kundër burgosjes së aktivistëve të opozitës duke theksuar se kjo është shenja e frikës nga protesta e ardhshme e opozitës. “Ndalimi i protestuesve edhe ne naten e nderrimit te viteve eshte reagim prej frikacaku i Edi Rames nga zemerimi masiv i qytetareve, qe fale bashkeqeverisjes se tij me krimin, jane sot me te varfrit ne Europe. Keto jane shenjat e tmerrit qe i ka kapur nga protesta e rradhes. Burgosja e qytetareve nuk e shpeton dot Edi Ramen, sepse nje popull te tere nuk e burgos dot. Burgu eshte vendi per trafikantet, bashkepuntoret e krimit ne pushtet, per te korruptuarit qe Edi Rama po ben gjithcka per t’i mbrojtur, jo per qytetaret qe ngrihen se nuk sigurojne dot buken e femijeve te tyre, ngrohjen ne kete dimer te acarte, nuk paguajne dot faturat qe rriten cdo vit. Me akte te tilla Edi Rama nuk ben gje tjeter veçse po firmos me shpejtësi fundin e tij politik. Shqiptaret e vrane friken 28 vite me pare. Kushdo qe perpiqet te riktheje sundimin permes frikes, do te kete te njejtin fund”, ka pohuar ai.

Po ashtu mësohet se edhe kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ka nisur angazhimin e strukturave të saj, ku në zyrat e partisë, jo vetëm në Tiranë, por edhe në rrethe, po zhvillohen takime në kuadër të aksionit opozitar. Pak ditë para fundvitit, kryemadhi në një intervistë televizive deklaroi se,: “Ne jemi në hartimin e një strategjie, protestat do të vazhdojnë. Çdo ditë e më shumë njerëzit po bëhen më të pakënaqur, madje dhe vetë socialistët. Njerëzit po hiqen nga puna pa arsye. Nuk mund të hiqen njerëzit që kanë 20 vite në punë. Ai do të kënaqë servilët, bandat dhe grupet e familjarët rreth tyre, por shqiptarët do të kenë gojë shumë shpejt, ashtu siç kanë sy e vesh. Edhe ne si opozitë ishim të papritur për ngjarjet që po ndodhin në jetën politike. Zgjedhjet e 25 qershorit janë maja e Ajsbergut, vetë ne opozita ishim të papërgatitur, ndaj dhe duhet t’i mendojmë hapat për të mos gabuar. Protesta ne do të bëjmë, do shohim kur do të hapet seanca plenare, do shohim kur do jetë data më e mirë, temat. Çdo lëvizje është e koordinuar, Basha ka qenë në Lezhë, unë në Skrapar, sigurisht që i koordinojmë të gjitha lëvizjet. Jemi në një moment kolaudimi të opozitës, e kemi të nevojshme”.

Beteja në Parlament dhe…

Ndërkaq opozita krahas betejës në rrugë pritet të zhvillojë një betejë të ashpër në Parlament. “Përballja me mazhorancën për ligje dhe vendime që bien në kunërshtim me interesin qytetar pritet të jenë në krye të axhendës së opozitës në këtë sezon të ri parlamentar”, pohoi burimi pranë opozitës. Po ashtu beteja kundër krimit e drogës dhe kapjes politike të drejtësisë do të ketë si arenë, krahas rrugës, edhe Parlamentin. Përfaqësuesit e opozitës pritet të ngrenë kauzat e tyre në aulën e Kuvendit, duke synuar vetëdijësimin e sa më shumë qytetarëve për problematikat e mëdha që po kalon vendi.

Ndërkohë pas vështirësive të mëdha që opozitarët po hasin në jetën parlamentare, ku akti më i fundit ishte “prita për ish-kryeministrin”, dhe realitetit që ofron vendi nën qeverisjen “Rama2”, opozita gjithashtu po mendon edhe skenarë të bojkotit. Në korridoret e PD-së janë përfolur deri më tani tre skenarë: Së pari vazhdimi i betejës parlamentare si një mundësi unike për t’ju kundërvënë drejtpërdrejt mazhorancës qeverisës. Së dyti bojkoti i Parlamentit për arsyet që i rënditëm më sipër dhe së treti djegia e mandatave të deputetit, skenar që u propozua nga ish-kryeministri menjëherë pas seancës së fundit parlamentare. Ky skenar nuk mori fillimisht mbështetje nga spektri opozitar, duke e cilësuar si një zgjidhje ekstreme, por duhet nënvizuar nga ana tjetër se nëse situata do të vijojë të paraqitet në kushtet aktuale, ky plan me siguri do të marrë më shumë vëmendje. Në intevistën e fundit televizve, kryedemokrati Basha tha se të gjitha opsionet mbeten të hapura. “Nuk është vendosur akoma. Skenari i parë është marrëdhënie e kushtëzuar e parlamentit, rikthimi në kushtetueshmëri i Prokurorit të Përgjithshëm. Skenari i dytë është bojkot pa afat. Kjo do ta simbolizonte krizën kushtetuese dhe politike. Skenari i tretë është invalidimi (djegia) i mandateve. Nëse kryhet, kryhet me opozitën e bashkuar. Nëse e bën e vetme, vendet e saj i merr partia tjetër. Nëse bëhet, avantazhi është se ekspozohet parlamenti monist”, ka deklaruar ai.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here