Masakroi të atit, zbardhet dëshmia e nënës: Djali ofendohej nga babai, e fejoi pa dëshirën e tij!

0
183

Në seancën e djeshme ku u la ne burg 28-vjeçari Selman Aliaj, i cili, të dielën që shkoi, vrau të atin me çekiç dhe trupin e hodhi në liqenin e Farkës është lexuar edhe dëshmia e nënës së të pandehurit, e cila ka thënë se në momentin e ngjarjes ka qenë në banesë dhe nuk ka dëgjuar asgjë.

Ajo ka thënë se djali ofendohej shpesh nga i ati dhe se kishin konflikte që kur u fejua pa dëshirën e tij. Këtë fakt e ka pohuar edhe i pandehuri, i cili do t’i nënshtrohet edhe një ekspertize mjekësorë psikike, për të përcaktuar shkallën e përgjegjshmërisë, para dhe pas krimit që tronditi kryeqytetin.

Dëshmia e nënës
Para oficerëve të Policisë, ka dëshmuar edhe nëna e të pandehurit, ish-bashkëshortja e viktimës, shtetasja Sofie Sh. Ajo ka thënë para efektivëve të Policisë, se me Fejzo Aliajn ishte divorcuar, por jetonin në një banesë, shkruan panorama.

Nëna ka shpjeguar se në momentin kur ndodhi ngjarja ka qenë duke gatuar brenda në shtëpi dhe nuk ka dëgjuar gjë. Ajo ka treguar se Fejzo ishte një person, që sillej keq me të birin dhe konfliktet mes tyre ishin shtuar pas fejesës që ishte bërë vetëm me pëlqimin e tij.
“Selmani është fejuar me porosi të të atit, pa marrë pëlqimin e tij. Që nga ajo kohë, djali nuk ka qenë shumë mirë. Ai ka pasur konflikte me të atin si për fejesën, por edhe për gjëra të tjera.

Në momentin kur ka ndodhur krimi, unë kam qenë brenda në banesë. Kam dalë që t’i thërras të dy për të ngrënë darkë, por nuk kam gjetur njeri në oborr. Kam tentuar t’i telefonoj, si Selmanin ashtu edhe Fejzon, por nuk më janë përgjigjur. Vetëm kur kam parë njollat e gjakut në oborr, kam njoftuar Policinë.

Fejzo ishte person i dhunshëm. Ai nuk sillej aspak mirë me Selmanin. Që kur u bë ajo fejesë, pa miratimin e tij, konfliktet nisën të ashpërsoheshin mes tyre”, ka thënë nëna e të pandehurit para oficerëve të Policisë.

Po kështu, prokurori i çështjes ka nisur të lexojë edhe dëshminë e të motrës së të pandehurit, por është ndërprerë nga gjyqtarja e seancës, e cila i ka thënë se provat mjaftonin dhe se mund ta dorëzonte procesverbalin e dëshmive pranë saj.

Në përfundim të leximit të dëshmive, avokati i të pandehurit, Fran Dashi, u shpreh dakord për masën e sigurimit dhe nuk shfaqi asnjë kundërshti për provat e paraqitura nga Prokuroria. Ai kërkoi vetëm kryerjen e një akt-ekspertimi mjeko-ligjor, për gjendjen psikike të të pandehurit, para dhe pas ngjarjes. Kjo kërkesë u pranua nga gjyqtarja e seancës.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here