Pas kërcënimit me jetë të kreut të Bashkisë së Belshit, Arif Tafani nga vëllai i ish-rivalit të tij ditën e djeshme, ‘BalkanWeb’ zbardh të tjera detaje rreth këtij konflikti.
Ashtu siç edhe u tha dje, shkak i kërcënimit ishte bërë prishja e lokalit të Rajan Qamil Tafanit, 31-vjeçari që i zuri pritë me armë kryebashkiakut, ndërsa i kërkoi si dëmshpërblim 3000 mijë euro. Ndërkohë, media në fjalë, ka arritur të sigurojë urdhrin e sekuestros së këtij lokali, i cili prej vitesh ishte i bllokuar si dhe vendimin për shpronësim të këtij objekti.
Duhet të theksojmë faktin objektet përgjatë bregut të liqenit të Belshit janë prishur me Vendim të Këshillit të Ministrave.
NGJARJA
Ngjarja ndodhi dje në mesditë, pak pas orës 12:00 në vendin e quajtur Pekisht te Puset e Naftës. Sipas burimeve zyrtare shtetasi Rajan Qamil Tafani 31 vjeç banues në Belsh i ka zënë pritë në një kthesë kryebashkiakut dhe i ka vënë pistoletën në ije.