Shqiptarja që foli për “The Sun” mbi seksin në çift: Më vranë portalet shqiptare!

0
199

Kjo është historia e Borina Vokos, një gruaje të re shqiptare, që jeton në Londër me bashkëshortin e saj shqiptar dhe vajzën dy vjeçe.

Para pak kohësh, ajo u përfshi në një studim, bashkë me dy çifte të tjerë angleze, ku pyetja kryesore ishte; Çfarë ndikimi kanë orët e gjata të punës në jetën në çift dhe si e gjeni kohën për marrëdhënien tuaj?

Ajo dhe bashkëshorti ju përgjigjen pyetësorit, duke treguar historinë e jetës së tyre. Studimi u botua në 22 shtator, në gazetën angleze “The Sun” dhe të nesërmen, gruaja e re u gjet në mes të një morie telefonatash nga Shqipëria.

Portalet shqiptare, kishin botuar përgjigjet e saj, në artikuj me tituj të tipit: Ja si bëj seks! Ja çfarë seksi më pëlqen! Burri nuk më kënaq në seks….

Në një intervistë ekskluzive për Dritare.net, Borina Voko rrëfen tronditjen, keqardhjen, për mënyrën se si mediat shqiptare e keqpërdorën dhe banalizuan tregimin e jetës së saj. Tregimin e një gruaje shqiptare, të vrarë nga dhuna e titujve të gazetave./ Dritare.net

Kush është Borina Voko? 

Borina ka lindur në qytetin e Tiranës. Ka udhëtuar hershëm drejt Greqisë, ku ndoqi studimet për “Shkenca Politike dhe Kriminologji” në “University of Indianapolis Athens “. Aktualisht, jeton në Londër, ku punon si “Support  Worker” dhe njëkohësisht, përkthyese. Ajo ka publikuar tre vëllimet e saj me poezi dhe është vullnetare në organizatën “Crimestopper”, në Londër. Është e martuar dhe nënë e një fëmije 2 vjeç./Dritare.net

Dritare.net- A u tronditët kur patë fotot tuaja në të gjitha portalet shqiptare?

B.Voko- Patjetër që po. Tronditja ishte e madhe.

Dritare.net- Çfarë bëtë më pas?

B.Voko- Hapa kompjuterin të kontrolloja çfarë ishte shkruar, edhe çfarë ishte publikuar. Kontaktova disa prej portaleve dhe gazetave. I pyeta, se kë kishin kontaktuar për këtë lajm dhe nga i kanë marrë këto informacione.

Dritare.net- A kishit folur më parë për ndonjë gazetar?

B.Voko- Unë nuk kisha folur për asnjë gazetar portalesh apo gazetar të gazetave apo mediave shqiptare.

Absolutisht askush! Nuk kam marrë asnjë mesazh apo e-mail të vetëm. Absolutisht, asnjë kontaktim, para se të shikoja në gjithë mediat fotot e mia.

Dritare.net- Si ju bën të ndiheni një përvojë e tillë me median tonë?

B.Voko- Shumë të trishtuar dhe të shokuar. Të trishtuar nga shtrembërimi dhe banalizimi i lajmit. Nuk e di, nëse kjo quhet media apo injorancë nga mosdija (nuk dua të përfshij këtu, persona dhe individë profesionistë).

Dritare.net- Prej sa kohësh jetoni në Londër?  

B.Voko- Jetoj këtu prej dy vitesh tashmë.

Dritare.net- Ku punoni?

B.Voko- Puna ime kryesore këtu është “Support Worker” për njerëzit me aftësi të kufizuara. Por, punoj edhe si përkthyese e gjuhës greke dhe shqipe. Gjithashtu, jam vullnetare në organizatën “Crimestopper”.

Dritare.net- Sa vjeçe keni ikur nga Shqipëria?

B.Voko- Jam larguar nga Shqipëria kur kam qenë 20 vjeçe. Fitova të drejtë studimi në Greqi, në “Shkenca Politike dhe Kriminologji”, në Universitetin Amerikan “Indianapolis Athens Campus”, ndërkohë që vazhdoja studimet në Tiranë pranë Fakultetit Filologjik, në degën “Përkthim Interpretim”.

Dritare.net- Çfarë shijeje keni nga vendi juaj?

B.Voko- Si mendon se mund t’i përgjigjem kësaj pyetjeje?! Të them të drejtën, trishtohem pa masë, kur mendoj se kam shpenzuar një pjesë së jetës sime aty.

Dritare.net- Nuk ju merr malli për asgjë?

B.Voko – Më merr malli për Tiranën, pasi është vendlindja ime. Por, dita- ditës më zbehet dëshira për të marrë avionin dhe për të zbritur aty. Duke parë se çfarë më ndodhi, së fundi, me përforcohet kjo ndjesi.

Dritare.net- Në Shqipëri nuk flasin për seksualitetin. Ndaj u bëtë ju personazh.

B.Voko- Më përpara e dija që ishte shumë e vështirë. Madje, dhe kur ishim në shkollë, asnjëherë nuk e zhvillonin këtë lëndë mësimi, por na linin pushim. Konsiderohej turp. Dhe ja, shiko pasojat, reagimin e njerëzve, banalitetin dhe arsyetimin e tyre. Seksualiteti ka lindur me njeriun. Marrëdhënia është për një femër dhe një mashkull. Që duhet të jetë, jo diçka e jashtëzakonshme apo ndonjë fenomen i ri. Familja krijohet nga marrëdhënia e një mashkulli dhe një femre, për të sjellë në jetë një qenie të re. Ky besoj quhet “zhvillimi dhe shtimi i botës”. Por, mesa duket, në Shqipëri akoma seksualiteti krahasohet me “një nevojtore”.

Dritare.net- Ju nuk keni droje të tilla?

B.Voko- Nëse është diçka, që duhet diskutuar, pyetur edhe duhet zgjidhur, për të mos pasur pasoja më të mëdha, pse mos ta diskutojmë?!

Dritare.net- Pse është e rëndësishme që gratë dhe burrat të flasin për seksin, të tregojnë, ndajnë histori dhe pyetje?

B.Voko- Ju keni shumë të drejtë, që më bëni këtë pyetje, pasi jeni një njeri, që keni studiuar dhe lexuar. Dhe, e kuptoni shumë mirë, që në vende të ndryshme të Evropës apo botës, kudo, bëhen studime. Edhe unë e bashkëshorti ishim një pjesë e këtij studimi nga vouchercodespro.co.uk tek gazeta “The Sun” (e cila ka ndërhyrë me pas në disa portale për të kontaktuar, pasi pa banalizim të këtij lajmi).

Dritare.net- Si është jeta në çift, kur je i huaj në Angli?

B.Voko- Londra është një metropol shumë i madh, ku njerëzit humbin në vrullin e ditës dhe janë gjatë gjithë kohës në lëvizje, punojnë pa fund për të arritur më të mirën dhe mundohen te shijojnë, jo të shtrembërojnë dhe shëmtojnë gjithçka të bukur dhe, aq më tepër, të hyjnë në jetën private të çifteve apo personave të ndryshëm pa i vërtetuar dhe pa i kontaktuar vetë ata.

Familja është shumë e mbrojtur dhe çiftet kuptohen dhe mbështesin njëri-tjetrin në çdo hap dhe sekondë të jetës së tyre, për të ndërtuar një jetë sa më pak stresuese dhe me themele të forta ekonomike. Fëmija është përgjegjësia më e madhe. Punonjësi social të bën vizita të herëpashershme, për të parë nëse çifti ka marrëdhënie të mira me njëri-tjetrin, dhe fëmija rritet në një ambient të shëndetshëm. Jeta e një çifti të huaj në Angli është akoma më e zënë, pasi kuptohet të duhet pak kohë, që të ambientohesh me sistemin e një shteti si Anglia.

Dritare.net- Si është të jesh nënë e re?

B.Voko- Patjetër bëhesh shumë më e përgjegjshme dhe më e matur. Të jesh një nënë e re, d.m.th. të kujdesesh dhe të analizosh çdo detaj pa e anashkaluar, për të krijuar më të mirën dhe më të mundshmen për familjen dhe fëmijën tënd.

Dritare.net- A u shqetësua nga kjo histori bashkëshorti juaj?

B.Voko- Patjetër që po. Një titull dhe një artikull aq banal, kushdo qoftë, jo vetëm do bezdiset, por do i shkaktohet shqetësim moral dhe psikologjik, për një të pavërtetë dhe për këtë ofendim publik.

Dritare.net- Keni diçka për t’u thënë vajzave dhe djemve të portaleve, që ndërhynë në jetën tuaj?

B.Voko- Nuk e di, nëse këta janë djem dhe vajza të vitit 2017, por nëse duan të arrijnë diçka në jetën e tyre dhe të jenë të suksesshëm nuk është e nevojshme të publikojnë sa më shumë lajme rozë apo seksualitet të banalizuar.

Që të publikosh një lajm, do të thotë të transmetosh kulturë, mesazh dhe të ndihmosh shoqërinë e vendit, ku ti jeton, të reflektojë pozitivisht në ndarjen e eksperiencave dhe situatave të ndryshme, pa shkelur privatësinë e askujt, qoftë ky, individi apo institucioni. Duhet të bëjnë kujdes, sepse të jesh “publikues i një lajmi” ke përgjegjësi dhe mund ta paguash me dënim ose gjobë. Por mund ta paguash edhe duke t’u kthyer ty vete, e keqja qe i bën tjetrit. Sepse çfarë mbjell do të korrësh. /Dritare.net/

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here