Rama/ Tashmë ligji për rritjen e çmimit të ilaçeve për të sëmuret dhe të moshuarit është gati

0
203

ZGJIDHJA e cilësoi tentativë mizore dhe antihumane rikthimin në kuvend të koncensionit për pullat e sigurisë në barnat mjekësore. Në një reagim në Facebook, partia e drejtuar nga Koço Kokëdhima deklaroi se koncesioni tjetër do të shtrenjtojë ilaçet, ku kategoria më e prekur do të jenë shtresat e varfra. ZGJIDHJA u bëri thirrje deputetëve të majtë, shumicë në Kuvend, që të mos e votojnë këtë koncesion, sepse është një shërbim që Rama u bën oligarkëve të tij dhe në kurriz të popullit.

Reagimi në Facebook

Rama, tentativë mizore për rritjen drastike të çmimit të ilaçeve. Rama ka nisur me shpejtësi të vërë në zbatim synimin e tij të vërtetë: jo bashkëqeverisje me popullin, por me oligarkët. Përveç ligjit famëkeq të importit të plehrave, në kalendarin dy javor të punimeve të parlamentit, ka infiltruar pa bujë, një tjetër projektligj që ka të bëjë direkt me shëndetin dhe xhepat e qytetarëve. Bëhet fjalë për një rritje drastike të çmimit të barnave mjekësore. Në janar të vitit 2014, Rama deklaroi se do të anulonte koncesionin e pullave të ilaçeve, sepse ishte i papranueshëm dhe do ta kthente këtë shërbim te Ministria e Financave.

Por ashtu siç bëri me shumë premtime të tjera, edhe për këtë koncesion ai u dorëzua në prehrin e oligarkëve, duke firmosur një vendim qeverie në tetor 2016, sipas të cilit rritet çmimi i pullës së kontrollit të ilaçeve, e cila është e detyrueshme për çdo paketë barnash. Kjo do të thotë që nga afërsisht 2 lekë për çdo paketë barnash që është sot (14.43 euro për 1 mijë copë pulla) çmimi për çdo pullë do të bëhet 2,4 për qind e çmimit të barit, duke rritur çmimin e pullës për çdo bar më të shtrenjtë se 83 lekë. Edi Rama dështoi në dy përpjekje që bëri për të miratuar në Kuvend këtë projekt në fund të vitit 2016 dhe në fillim të vitit 2017. Tani që ai e ka marrë i vetëm edhe timonin edhe tepsinë, projektligji është rifutur i pandryshuar në kalendarin e katër javëve të ardhshme të Kuvendit dhe miratimi i tij pritet që të jetë thjesht një formalitet. Nëse ndodh kjo, për barnat e shtrenjta rritja e çmimit të pullës do të jetë deri në dhjetëra herë më i lartë, kurse për barnat e rralla që kurojnë sëmundje të rënda, do të jetë marramendëse.

Shumëfishimi i çmimit të pullës së kontrollit do të çojë direkt në rritjen e vetë çmimit të barnave, pasi kostoja e pullës do t’i kalohet si gjithmonë konsumatorëve për barnat që shiten në farmaci dhe buxhetit të shtetit për barnat që furnizojnë spitalet dhe klinikat shtetërore. Nga kjo rritje, të ardhurat e koncesionarit, shtohen afërsisht 25 herë më shumë. Aktualisht të ardhurat nga pulla fiskale për barnat janë rreth 200 mijë euro në vit, ndërsa me formulën e re, koncesionari do të marrë rreth 5,3 milionë euro, në tregun tonë farmaceutik që është gjithsej 128 milionë euro në vit. Ky është një fitim i jashtëzakonshëm pa bërë asnjë investim të ri. Rama po ia “dhuron” koncesionarit monopolist këto para, duke rrjepur shtresat më delikate e më të varfëra të shoqërisë. Koncensioni i pullave fiskale që është dhënë që në vitin 2011 nga Berisha, nuk ka garantuar asnjë përmirësim të tregut farmaceutik në Shqipëri. Këtu vijnë masivisht ilaçet e skaduara dhe ato me cilësinë më të ulët të kontinentit.

ZGJIDHJA u bën thirrje deputetëve të shumicës, që të mos e votojnë këtë gjobë të re të vënë nga Rama dhe oligarkët e tij, për të sëmurët, të moshuarit dhe qytetarët e Shqipërisë. Të gjithë tashmë e dinë se Rama nuk është as i majtë dhe as socialist, por, duke futur duar edhe te paratë e ilaçeve e të varfërve që luftojnë të mbijetojnë, ai po tregon edhe pjesën më të errët: anti-humanizmin ekstrem dhe frymën mizore të qeverisjes së tij!
#ZgjidhjaPërPopullin

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here