Zbulohet 1 ton drogë vetëm 30 metra larg Portit të Vlorës. Autorët ikën me gomone

0
153

Sekuestrohet një tjetër sasi e madhe droge në Vlorë, e cila ishte bërë gati për t’u transportuar drejt Italisë. Sasia prej 1030 kg është sekuestruar në një banesë private të pabanuar në lagjen “1 Maji” të qytetit bregdetar, madje në një distancë vetëm 30 metra larg portit detar.

Policia e Vlorës bëri të ditur se janë shpallur në kërkim tre persona. Aksioni i Policisë është kryer dje, rreth orës 01:00, në të cilin janë përfshirë efektivë për hetimin e narkotikëve në drejtorinë e Vlorës, në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda Tiranë dhe reparti special “Delta Forcë” e Guardia di Finanza në Vlorë.

Pas hetimeve disaditore, forcat e policisë kanë hyrë në banesë, ku kanë konstatuar sasinë e lëndës narkotike, e cila ishte e vendosur në 49 pako të mbështjella me natriban dhe gati për t’u transportuar drejt Italisë. Sasia e lëndës narkotike ishte 1030 kg, ndërkohë që janë sekuestruar edhe gjashtë armë, tri prej të cilave kallashnikovë dhe tri armë pistoleta. Gjithashtu është sekuestruar edhe një sasi municioni luftarak.

Gjatë aksionit për sekuestrimin e lëndës, nga Policia janë vërejtur në afërsi të banesës në det tre persona mbi një mjet lundrues tip gomone, të cilët, sipas policisë, ishin gati për të transportuar sasinë e lëndës narkotike drejt Italisë.

Pasi kanë vënë re prezencën e uniformave blu, të tre personat janë larguar me shpejtësi të madhe me mjetin lundrues, ndërsa në ndjekje të tyre janë vënë Policia Kufitare dhe “Delta Forcë”, por pa mundur t’i arrestojnë. Burime nga Policia konfirmojnë se ata janë identifikuar, por për efekt hetimi jepen vetëm inicialet e tyre.

Ata janë shtetasit G.S., A.I. dhe J.S., shpallur tashmë në kërkim, pasi janë të përfshirë në këtë vepër kriminale. Ndërkohë që konfirmohet se aksioni i Policisë vijon ende për gjetjen e tyre, duke ushtruar kontroll në det, por edhe në zonat e Karaburunit apo në zona të tjera bregdetare, ku mendohet sipas policisë që mund të jenë fshehur apo të kenë braktisur mjetin lundrues me të cilin u larguan gjatë ndjekjes në orët e natës.

Ndërkohë burime nga Policia kanë konfirmuar se po vijojnë hetimet edhe për identifikimin e pronarit që mendohet se i përkiste banesa në lagjen “1 Maji”, e cila ishte private dhe e pabanuar prej disa kohësh.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here