I madhi ta zgjidh hallin

0
500

Nga Dr. Ndriçim Mehmeti

E dëgjuat apo jo? Hallin ta zgjidh vetëm i madhi. E pate apo jo sesi u ul këmbëkryq në fshatin Vërrë dhe ju fut me themel halleve të dynjasë e i zgjidhi sa hap e mbyll sytë. E çfarë hallesh! Jo dosido. Që nga atyre që u mbahej shurra e nuk kishin pare të bëheshin synet a të operonin prostatën e deri tek ata që po u rrënohej kasollja e lopës, e u duhej ca qereste për riparim.

Do thoni ju, po pse mbetën hallet në duart e të madhit?

I gjori në 4 vjet për ne e kishte mendjen, por ja që “zuzarë”, “maskarenj”, “shushunja”, “zagarë” dhe “të pabesë”, e kishin marrë “më qafë e ja kishin hedhur”. E kishin tallur, për kokë tuaj e kishin tallur. Dhe jo vetëm atë. Kishin gënjyer e tallur popullin që endej ndër zyrat e shtetit e kishin mbushur xhepat plot me para e punë nuk ju kishin mbaruar. Ky i ngrati, d.m.th. i madhi, që kur kishte marrë shtëpi në fshat e ishte regjistruar në kadastrat e katundit, e kishte humbur davanë në qytet. Vërtet ai ishte i pari i vendit, por që ja hurdhën, siç thonë nga zona e tij. E bënë gati vulëhumbur, duke e marrë nëpër gojë, ndërsa e ai rropatej për këtë popull, duke bredhur sa në njërin cep të Evropës, Kinës, Australisë, për të parë ne pakëz dritë. Nuk ja bënte syri tërr nga ata që i thoshnin se po vidhte ca si shumë. Ai i shikonte vëngër dhe nuk ja përtonte t’u thoshte “Ore keni punë tjetër ju apo me mua do të merreni”. “Më lini të qeveris, e pastaj e bëjmë hesapin”. Dhe bëri ç’është e mundur që këtij populli mos t’i mungonte asgjë: Ujë, dritat, shëndetësi falas, punë, rrugë të shtruara, kalldrëme të stolisura, fasada të lyera, shkolla të mira, e shumë e shumë gjëra, që duan net të tëra dimri të tregohen. Po ç’pati që zbërtheu pallën e tij, do thoni ju e në pikë të vapës, filloi të presë sa majtas e djathtas, kur erdhi koha e hesapit, do thoni ju? Po ja ca “grabitqar të vegjël” e kishin marrë më qafë parajsën e krijuar prej tij, duke dashur ta shndërronin në ferr. Filluan të japin tendera pa hesap, koncesione, mbollën bimë medicinale pa leje dhe i shisnin në treg të zi, u vodhën pak miliona euro nga bankat, etj. Dhe të gjitha këto, kur vendi po lulëzonte e kishte dalë nga gropa e madhe e paraardhësit të udhëheqësit tonë.

Po si jua mbushi mendjen njerëzisë, që faji nuk ishte tek ai por gjetiu?

Fare thjesht. Dy metër me atleten 45, 100 kg, është ai që kanë qejf shqiptarët. Me mazdap në dorë, tregoi me gishtin e majtë dhe të djathtë, e  hera-herës me të dyja, të gjithë maskarenjtë që na pinë gjakun, e mos gjeçin kurrë, rehat “deri nw xhehenem”. Nuk ju drodh dora ti etiketonte si të pangopur, njerëzit që hanin dhe kockat, pasi kishin mbaruar mishin. Ata dhe jo i madhi, nuk kishin të ngopur me bakllava, hashure, hasude, sheqerpare, tollumba dhe revani. I madhi e i përndritshmi nuk i hante këto gjëra se është në dietë, por ama këta të pangopur, që ishin njerëzit e rrethit të ngushtë të tij, e paskëshin gënjyer. Ishin futur “tinëz” në kuzhinën personale të tij dhe ai nuk i kishte dalluar. “Çudi-tha një nga miqtë e tij të ngushtë- sesi i shkau kjo punë të madhit. Ai kontrollon gjithçka, i vjen në vesh edhe pëshpërima më e vogël, madje dy herë në ditë kontrollon dhe mbeturinat e kuzhinës. Ku i fshehën këta të paudhë gjithë këto fitime”. Por ama ai vetë e kuptoi. Me vonesë por e kuptoi. Doli ballëhapur në popull e klithi fare pa droje: “Popull e kuptova vonë që ma futën. Prandaj ma bëni hallall. Dikur miqtë e mi, ata ishin të parët që ma bënë gropën. Nuk kisha faj kur ju thosha se nuk dua t’ja shoh bojën. Por ju nuk më besuat dhe më detyruar t’i ftoja tek oborri im. Ata u futën tek kuzhina ime e zbrazën, me kazan, kusi e tepsi dhe tani që nuk mbeti asgjë, e kuptova se kush ma kishte hedhur. Ju bëj rixha, të ma bëni hallall. Më votoni edhe ca vjet se nuk zhgënjej.” Do ti që populli inë trim, punëtor, liridashës, i pafjalë dhe i urtë e besoj dhe ja dha votën. Në fund të fundit, populli inë është largpamës. E kuptoi që fajin nuk e kishte i madhi, por të vegjlit, të cilët ujtë që e sillte ai akull e kristal, të vegjlit aty poshtë ja turbulluan aq shumë, saqë nuk shikohej më as shkëmbi, pale guriçkat e lumit.

Tani vraponi tek i madhi, t’u zgjidh hallin

Po, po. Vraponi e mos hezitoni. Certifikata martese, ndonjë mblesëri a krushqi me leverdi, kërkesë për koncesion e aeroport, lidhëset e këpucës që humbi fëmija, a kopshtin botanik në fshatin Kurusum. Të gjitha i zgjidh i madhi, pa merak. Edhe ndonjë bereqet të mbetur diku nga Vërtopi e Rrëza e Hajdutit, ja gjen vendin vetë i madhi. Se mos mendoj dikush tek hangari i tij. Ai s’ka nevojë për bereqet se ushqehet nga dashuria e popullit, as për para, se nuk i hyjnë në punë, ngaqë mendon për njerëzit. Ai gjithçka e do për ne. Nëse nisesh për spital e  ke merak, si do dali operacioni, apo vizita e radhës, zamet e ke një konsultë të vogël me të madhin. Ai s’përton. Punë tjetër, nuk ka. Pret popull, flet me ta e për ta, e ikën i drobitur diku nga mesnata në shtëpi. Shyqyr që ka vënë dorën në zemër një taksist e merr falas, se me kaq punë e rraskapitje, do na kishte humbur udhën shkurreve të fshatit të tij, lumëmadhi.

Për të madhin ka shumë për të treguar. Po më mirë dilni priteni vetë. Do të kënaqeni nga qetësia e tij, djalë babaxhan, të lë të flasësh 5 sekonda e pastaj fillon e nuk mbaron vetë. Por përsëri mos u mërzisni, për të mirën tuaj dhe tonën e ka. Prandaj zathmet e keni të dilni e ta prisni me kuç e me maç. Mos harroni. Merrni me vete, një stol, bukë e ca djathë, e një pagure me ujë, se nuk dihet sa zgjat daveti.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here