“Dita zë fill” premierë botërore në Festivalin e Sarajevës, regjisori Koçi: Filmi vjen në Shqipëri në vjeshtë

0
246

Irini Meçe

 

Një dramë intime, e cila ndodh në një apartament në Tiranë do të shfaqet në festivalin më të rëndësishëm të filmit për rajon. Bëhet fjalë për filmin e Gentian Koçit, “Dita zë fill”, i cili është në konkurrencë zyrtare dhe do të ketë premierën botërore në Festivalin e Sarajevës. Është filmi i tij i parë me metrazh të gjatë, por po ecën me këmbë të mbarë çdo ditë e më tepër. Dhe kjo jo më kot, pasi skenari i filmit është një vulë çertifikimi që provon paraprakisht se kjo histori komunikon me një audiencë ndërkombëtare. Marrëdhënia e brishtë mes një gruaje të re dhe një të moshuare, një marrëdhënie që luhatet mes empatisë reciproke dhe qëllimeve pragmatike e trajtuar në film ka tërhequr audiencën botërore . Një histori që flet për kompromise të heshtura e të paperceptueshme që secili prej nesh i bën në përballjen e pareshtur me mbijetesën. Role në filmin e tij regjisori ia ka besuar aktorëve si Ornela Kapedani, Suzana Prifti, Kasem Hoxha dhe Adele Gjoka.  “Dita zë fill” është filmi i parë me metrazh të gjatë për regjisorin Gentian Koçi dhe është një bashkëprodhim shqiparo – grek i financuar nga Eurimages, QKK Qendra Kombetare e Kinematografise, Greek Film Center, SEE etj. Ky film është financuar gjithashtu edhe nga RTSH Radio Televizioni Shqiptar. Filmi shqiptar është pjesë edhe katalogut të kompanisë të distribucionit franceze ‘WIDE’, i cili është një nga distributoret më të mirë ndërkombetarë me një numër shumë të madh filmash në katalogun e saj. “Dita zë fill”  deri më tani është prezantuar edhe në shumë festival të tjera, por ende nuk është shfaqur për publikun shqiptar. Për gazetën “Standard” regjisori Gentian Koçi pohoi që premiera në Shqipëri mendohet të jepet në vjeshtë.

Projekti “Dita zë fill” përfaqësues i Shqipërisë në Canne 2015

Shqipëria mori pjesë në Cannes 2015, me projektin “Dita zë fill” i Art Alb Film. Nëpërmjet një drame sociale që vjen prej ndarjes së thellë klasore që ka pësuar shoqëria shqiptare, skenari i Koçit pasqyroi në stendën shqiptare në Canne, një pjesëz së ndryshimeve në shoqërinë shqiptare. Ky film flet për përpjekjen e një nëne të re për të mbajtur me thonj një vend pune në një mjedis të pasurish të rinj. Projekti “Dita zë fill” është përzgjedhur fitues ndër 14 projektet më premtuese të rajonit për vitin 2014 në Cinelink. Histori e mirë që të flasë me gjuhë moderne, janë çka përzgjedhësit në Cinelink duan të mbështesin, me perspektivë përfaqësimin në festivalet e kategorisë A ku kriter mbi të tjerë është niveli artistik. Gjithashtu ky film është edhe pjesë e katalogut të kinematografisë greke, e cila sjell në vëmendje se ky projekt kinematografik është bashkëprodhim shqiptaro-grek.

Gentian Koçi

Regjisori Gentian Koçi është një emër i vlerësuar në kinematografi me projektet e tij. Filmi i tij i shkurtër  “Antena” (2008) u shfaq në shumë festivale filmi, kombëtare dhe ndërkombëtare, duke përfshirë Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Trieste. “Antena” mori çmimin si filmi më i mirë kombëtar në “Dokufest”, Prizren 2009, si dhe filmi më i mirë shkurtër në “Food & Film Festival” në Pogradec 2013.  Filmi i tij i tretë i shkurtër realizuar në 2009, “Për ters at’ çast” (Jinx in a jiffy) ka marrë pjesë në një sërë festivalesh ndërkombëtare të filmit, prej Festivalit të Mynihut, Tel Avivit deri në SEEFest (Los Angeles), Uruguaj dhe Nigeri, duke marrë pesë çmime, përfshirë çmimin si filmi më i mirë në Festivalin e Filmit SëiKos në Basel, Zvicër.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here