Task-Forca e Veliajt bën kërdinë në Tiranë, 36 gjoba për lidhje të paligjshme në ujësjellës

0
154

Në këto ditë të nxehta moti, kur temperaturat pritet të arrijnë deri në 40 gradë celsius, bashkia e Tiranës ka bërë thirrje të vazhdueshme për të pasur kujdes në përdorimin e ujit të pijshëm.

Pas dërgimit të 22 grupeve task-force në terren nga ana e Bashkisë së Tiranës, janë ndërprerë 226 lidhje të paligjshme në ujësjellës, dhe gjithashtu janë vendosur 36 gjoba.

Në zbatim të planit të masave për menaxhimin e situatës së emergjencës në kryeqytet, të ardhur si pasojë e të nxehtit të madh dhe thatësirës së zgjatur, Bashkia e Tiranës dhe Ujësjellës-Kanalizime, vijuan edhe sot aksionin për monitorimin e situatës në terren, duke ndërhyrë me ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme, kryesisht në periferi të kryeqytetit, dhe duke ndaluar çdo abuzim me ujin e pijshëm.

22 grupet e Task-Forcës, me pjesëmarrjen e Policisë së Shtetit, Policisë Bashkiake, Prefekturës dhe stafit teknik të Ujësjellës-Kanalizimeve të Tiranës, të shpërndara prej ditës së djeshme në gjithë territorin e Tiranës, përfshi zonat rurale, ashtu edhe atë urbane, kanë patur në fokus të punës së tyre pikërisht shkëputjen e çdo lidhje të paligjshme në rrjetin e ujësjellësit, si dhe të çdo rasti tjetër të abuzimit me ujin e pijshëm.

Aksioni i Task-Forcës është përqendruar në dy drejtime: në linjat e transmetimit në periferi të Tiranës si Yrshek, Mëzes, Kashar, Babrru, Astir, Kodër-Sharrë, Shkozë, Sauk, etj, si dhe në rrjetin e shpërndarjes brenda në qytet, përfshi subjektet private dhe shtëpitë me bahçe dhe lulishte. Vetëm gjatë ditës së sotme, grupet e Task-Forcës kanë identifikuar dhe shkëputur 226 raste të lidhjeve të paligjshme në rrjetin e ujësjellësit, ku uji i pijshëm përdorej për ujitje, ndërsa kanë vendosur 26 gjoba për familjarë dhe 12 të tjera për biznese të ndryshme.

Një pjesë e këtyre rasteve janë referuar në organet ligj zbatuese të Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë, ndërsa është bërë edhe shoqërimi i tre personave në polici. Gjithashtu, grupet e punës në terren kanë bërë edhe verifikimin e 2130 abonentëve, duke ndërprerë aktmarrëveshjet lehtësuese me 34 prej tyre që rezultojnë debitorë.

Në fokusin e këtij aksioni të përgjithshëm kanë qenë edhe rastet e abuzimit me ujin e pijshëm nga subjektet private brenda qytetit. Gjatë verifikimeve në terren janë konstatuar dhe ndërprerë të gjitha lidhjet e ujit që përdorej nga lavazhet e makinave. Edhe në këto raste subjektet janë gjobitur sipas parashikimit në ligj, ndërsa për çdo shkelje penale është bërë gjithashtu denoncimi në organet përkatëse.

Ndërkohë, qytetarët kanë në dispozicion dy numra telefoni, 08004488 të Ujësjellësit të Tiranës dhe atë të Bashkisë së Tiranës 08000888, për të raportuar problemet e furnizimit me ujë të pijshëm, apo të denoncojnë rastet e abuzimit të cilat dëmtojnë rrjetin e ujësjellësit.

Bashkia e Tiranës u bën thirrje banorëve që të bashkëpunojnë si në rastet e denoncimit të çdo rasti abuzimi ashtu edhe në përdorimin me kursim të ujit të pijshëm.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here