Rrëfimi i Eni Janit; Nga roli i Erës te “Njerëz dhe fate” deri tek marrëdhënia me Genci Fugën

0
511

 

Nga Irini Meçe

Të gjithë e mbajnë mend dhe e kujtojnë Erën, gjimnazisten e shkëlqyer e cila kishte shumë ëndrra për jetën, tek seriali “Njerëz dhe fate”. Ai ka qenë dhe momenti ku aktorja rrëmbeu dashurinë e publikut me talentin e saj. Bëhet fjalë për aktoren Enerjeta Jani, por që publiku vazhdon ta identifikojë ende me personazhin luajtur tek seriali, me Erën. E njohur dhe e vlerësuar si aktore Eni Jani deri më tani në karrierën e saj ka ditur të tregojë se prej vitesh punon me një përkushtim të madh jo vetëm në skenën teatrore, por dhe gjatë angazhimeve në kinematografinë shqiptare. Ndërsa nuk ka munguar në veprat më të suksesshme teatrore, me role dhe personazhe të ndryshme. Duket sikur karriera e Janit pas kësaj telenovele u përqëndrua më shumë në teatër ku ka interpretuar në vepra të famshme “Vdekja e një mbretëreshe”, “10 vjet martesë”,”Amadeusi”, “Shtrigat e Salemit”, “Kopshti i Vishnjeve” , etj. Por gjithashtu Enin e kemi parë edhe në filma të tjerë si: “Tifozët”, “Tingulli i heshtjes” etj. Eni Jani është prezantuar  para publikut edhe si regjisore, duke ngjitur në skenën e Teatrit Kombëtar dramën ekzistencialiste, “Me dyer të mbyllura” të Zhan Pol Sartre. E bukur, elegante, plot talent dhe krijimatari vazhdon të jetë ende Eni, e cila është martuar me aktorin Genci Fuga dhe janë prindër të dy fëmijëve. Në këtë intervistë për gazetën “Standard”, Enerjeta Jani vjen për të folur dhe për të rikujtuar rolin e Erës, për të vazhduar tek rolet e tjera, për marrëdhënien me Genci Fugën, për vajzat e saj si dhe për projektet e radhës.

Eni, kur jeni njohur për herë të parë me pasionin për aktrimin?

Kur unë kam qenë e vogël kam qenë fëmijë jashtëmase i shkathët, shumë i lëvizur, isha e dhënë pas filmave i shikoja gjatë gjithë kohës , emisionet e fëmijëve, filmat vizatimorë i ndiqja shumë , filmat shqiptarë s’diskutohej që i dija përmendësh, teatrin e doja shumë. Ishte instiktive, por me thënë të drejtën, që fëmijë më kanë ndjekur kamerat dhe aparati fotografik i revistave të kohës. Kanë qenë filmat në atë periudhë në TVSH dhe erdhi televizioni në kopësht për një film për fëmijë, bën audicion dhe më përzgjodhën. Pastaj në shkollë 8-vjeçare,  isha pjesë e rretheve shoqërore jashtë shkollës dhe unë kam qenë në rrethin e teatrit. Më pëlqente dhe kërkoja që të isha pjesë, nuk e shpjegoja dot përsë po ndihesha mirë, kur luaja dhe interpretoja ato pjesë për fëmijë që ishin. Kur isha në përfundim të gjimnazit ka qenë Telebingo dhe kishin marr disa vajza, ku regjisor ka qenë Petri Bozo. Ka qenë ai që më tha që ‘ti ke shumë sy shprehës, e ke menduar ndonjëherë të shkosh tek Artet’? Dhe kur ma tha ai atëherë e mendova seriozisht. Më pas kam folur me prindërit, me tim atë shkuam takuam disa pedagogë, ku fillova studimet për regji dhe jo për dramë pasi duke studiuar shumë do të dija të zbërtheja rolet dhe karakteret më mirë, plus ata që bënin regjisurë merrnin dhe lëndë aktrimi. Kështu që mendova pse të mos i bëj të dyja dhe jo të studioja vetëm dramë. Gjatë gjithë kohës që unë kam qenë në shkollë, disa pedagogë sidomos e ndjera Drita Pelingu dhe Mario Ashiku më thoshnin që “Eni mos e ler aktrimin mbas dore”

Si e kujtoni rolin tuaj të parë?

Roli im i parë fare ka qenë roli i Erës tek seriali “Njerëz dhe fate”. Unë kam qenë në shkollë kur është bërë ai serial, viti i fundit i studimeve ku unë po punoja me diplomën. U bë një audicion dhe më vonë u përzgjodha. Ndërsa roli im në teatër ka qenë roli i Sonjës  tek drama “Xhaxha Vanja”. Pas aplikimit të serialit “Njerëz dhe fate”, u bëra pjesë e filmit “Natë pa hënë” me regji nga Artan Minarolli. Pastaj më tej kam qenë nga pjesa e teatrit, sepse edhe filmi ka qenë pak i vështirë.

Na trego pak për emocionet që kishit kur interpretuat rolin tuaj të parë dhe çfarë i trembeshit asokohe kur po futeshit në rrugën e aktrimit?

Të them të drejtën nuk jam trembur fare, pasi e pëlqeja atë që po bëja. Mbaj mend skenën e parë tek “Njerëz dhe fate” dhe partnerja që po interpretoja dhe kishim skenën e parë ishte pak e kompleksuar pasi nuk ishte mësuar me kamera, ndërkohë që unë isha shumë e lirshme, nuk e kisha kompleks kamerat dhe e bëja rolin sikur nuk kisha asnjë njeri aty. Dhe atyre ju bëri përshtypje sepse ishin me atë idenë që po dilja për herë të parë dhe mendonin se do kisha pak ngërç. Por jo, unë isha shumë e lirshme. Mbaj mend atëherë regjisori Ylli Pepon që më tha “Eni, ky film është i joti!” Nga këto fjalë u emocionova shumë, u ndjeva shumë mirë dhe u lumturova sepse fjalët që më tha më bënë të besoj akoma më shumë në potencialet e mia.

Tek “Njerëz dhe fate” interpretuat rolin e Erës dhe publiku akoma vazhdon dhe ju identifikon me atë emër. Si ndiheni ju për këtë gjë?

Po është e vërtetë që vazhdojnë më thërrasin Era dhe nuk ma dinë emrin tim të vërtetë. (qesh) Kur iu them që quhem Eni , më thonë që kështu jemi mësuar të të quajmë. Ska gjë ju them,nuk më vjen keq, më thërrit Era se mirë më vjen. Kjo është një ndjesi shumë e bukur, shumë pozitive që do të thotë që ai ka qenë një rol shumë i mirë, goxha i arritur dhe ka lenë shenjë tek njerëzit. Njerëzit vazhdojnë akoma më shkruajnë dhe më pyesin vazhdimisht se çfarë do bëhet me serialin sepse presin të ketë seri të reja dhe për këtë më vjen keq që televizioni nuk e merr seriozisht kërkesën dhe dëshirën e publikut. Di që skenaristi Ruzhdi Pulaha ka shkruar disa seri dhe i ka çuar tek televizioni, por nuk shikoj interes nga ta.

A mbani kontate me aktorët e tjerë të serialit dhe ruani miqësi me ta?

Takohemi, por  nuk ndodh që t’i kemi të planifikuaraj. Unë kam raporte shumë të mira me ta, por jemi dhe breza të ndryshëm. Unë kam shumë respekt për të gjithë ata. Por Pavlina për shembull ndodhet jashtë, me Marjetën takohem shpesh, ajo tani është bërë gjyshe. Rastisim nëpër evente dhe takohemi me shumë dashuri. Unë ruaj kujtime shumë të mira nga ata, unë isha dhe më e vogla e kastit të aktorëve dhe më mbanin si të voglën e grupit. Pavlina më thërriste “lepurushi i nënës”, pasi ishte shumë e dashur në mënyrën e të folurit dhe jashtë xhirimeve, të përkëdhelte, të mbante afër. Ne ishim breza të ndryshëm aktorësh dhe nuk mbanin aspak distancën dhe të më trajtonin si një aktore të re. Nuk kishim probleme të kësaj natyre dhe jam ndjerë shumë komode tek ai serial dhe me të gjithë aktorët.

Më pas rolet tuaja si në kinematografi dhe në teatër vazhduan. Ju në cilin rol, nën petkun e  cilit personazh jeni ndjerë më mirë dhe që i përshtatej më shumë natyrës suaj?

Nuk mund të veçoj ndonjë rol, pasi të gjitha rolet i marr me shumë dashuri, pasion dhe punoj me përkushtim njësoj me të gjitha, pra i trajtoj të gjithë rolet njësoj. Kam marrë emocion, kam ndjerë sadisfaksion tek të gjitha rolet. Mund të ketë ndonjë rol që them që këtu duhet të kisha bërë më shumë, pasi unë gjithmonë e shoh veten me një sy kritik.

Më mirë një aktore në teatër apo një aktore në kinematografi?

Unë dua shumë aktoren në teatër, por më mirë dhe që  ndihesh më komode është në film, sepse nuk je live, je me dubla, ke shans të korigjosh veten kurse në teatër nuk e ke këtë shans. Teatri është livë, është emocion. Më komod është film, më i dashur është teatri. (buzëqesh)

Keni përjetuar ndonjë situatë të sikletshme kur keni qenë në skenë në teatër?

Për fat të mirë jo, flas për momente që harron tekstin. Kam parë momente që ju ka ndodhur kolegëve dhe improvizonin që të dilnin nga situata. Ka patur situata të këndshme, për shembull me të ndjerin Fatos Sela, kur luaja tek “E Zonja e Bujtinës”. Ka qenë një moment që na kapi e qeshura të dyve në skenë dhe nuk mund të ndalonim dot, por publiku e kuptoi dhe filluan të duartrokisnin. Pastaj e mblodhëm veten dhe vazhduam. Të tilla gjëra janë të bukura, të këndshme dhe të memorizohen në mëndje.

A ju ka ndihmuar bukuria në suksesin tuaj si aktore dhe në karrierën tuaj artistike?

Sigurisht që ndikon. Do ishte naivitet në qoftë se do të thoja që jo. Të bukurën e duan të gjithë, edhe unë vetë kur shikoj një femër të bukur më pëlqen ta shoh. Por nuk është vetëm bukuria çelsi, ka dhe shumë komponentë të tjerë.

Ju aktualisht punoni si regjisore në TVSH. Si e përshkruani këtë eksperiencë dhe çfarë ju ka joshur ju nga televizioni?

Të them të drejtën, unë jam një natyrë shumë krijuese dhe nuk rri dot në një vend, dua të punoj, të krijoj,të mërrem me punën pavarësisht lodhjes që ka. Të jem e sinqertë, mua më pëlqen që të merrem me teatrin, me filmin , por nuk e kam këtë mundësi që të mund të jetoj më këtë dhe që të jetosh detyrohesh që të gjesh një alternativë tjetër. Televizioni ka qenë një nga këto alternativa dhe një mundësi për të qenë afër punës time, pavarësisht se teatri dhe televizioni janë dy gjëra të ndryshme. Por edhe ajo që bëj tani që unë rri aty tek pulti, nuk është ajo që dua, por për momentin jemi këtu. Do më pëlqente më shumë të isha tek pjesa e organizimit, të autorsisë , të bëja emisione etj., por kur t’i vijë momenti.

Le të ndalemi tek marrëdhënia juaj me bashkëshortin tuaj, Genc Fugën. Si e kujtoni momentin e njohjes me të dhe çfarë ju ka bërë më shumë për vete tek ai?

Me Gencin nuk ka ndodhur ajo situatë që e pash që momentin e parë dhe aty menjëherë lindi shkëndija. Genci ka qenë pedagogu im në Akademinë e Arteve dhe më jepte mësim, lëndën “Fjalë Artistike. Gjatë gjithë viteve të fakultetit nuk kemi patur asnjëlloj raporti bashkë. Pasi mbaroj fakultetin, rastistim që ishim bashkë në një shesh xhirim për një film. Aty Genci filloi që të më shihte me një sy ndryshe pas 4 vitesh që kisha mbaruar studimet në Akademinë e Arteve, ndërkohë unë vazhdoja t’i thërrisja profesor. (qesh)

Partnerë në jetë, por edhe partner në profesion. Ua ka lehtësuar kjo gjë marrëdhënien tuaj?

Që e bën më të thjeshtë, më të kuptueshme kjo dihet. Ne e kuptojmë shumë mirë njëri-tjetrin sepse jemi brenda një profesioni. Dhe nuk është një profesion shumë i thjeshtë për t’u bërë, pasi për një shfaqje punon minimalisht 2 muaj prova me të, paradite, pasdite. Kështu që krijohet një lloj tolerance dhe duhet të jetë një lloj mirëkuptimi shumë i madh sidomos tani që jemi prindër dhe duhet të dimë si të organizohemi. Por kemi dhe një gjë të mirë që dimë t’i ruajmë limitet dhe nuk ndërhyjmë tek punët e njëri-tjetrit. Mund të duket e pabesueshme, por unë një shfaqje kur luan Genci e shoh për herë të parë tek premiera. Sigurisht që flasim rreth rolit, por nuk kam ndërhyrë tek puna e tij dhe ai tek unë.

A është Genci një ndër aktorët tuaj të preferuar këtu në Shqipëri?

Po si të them unë tani jo? (qesh). Përtej shakasë, Genci është një aktor shumë inteligjent, gjë që rrallë e kanë aktorët në Shqipëri. Pjesa më e madhe e shohin në mënyrë shumë sipërfaqësore. Genci është nga ata persona që nuk sheh tekstin, ai shikon nën rreshta. Kjo kërkon inteligjencë për ta bërë dhe për fatin e mirë unë e kam patur dhe pedagog dhe e kam mësuar dhe unë këtë gjë se si duhet të zbërthehet një personazh. Genci ka mbaruar në Angli, ka bërë masterin atje. Ditën që ka dhënë provimin e kanë kërkuar në një audicion tek BBC për një serial filmi, pasi ai është një aktor me shumë finesë me shumë shije, kur u bëri përshtypje atyre atje dhe do donin që ta kishin si aktor në Angli por qëlloi që Genci kishte ikur direkt për fatin e tij të keq. Për këtë gjë nganjëherë më vjen keq, por nga ana tjetër them se si do të ishte njohur ai me mua. (qesh). Por që është aktor me shumë nuhatje, më shumë nivel. Genci në komedi gjithmonë shkëlqen, por më vjen keq që nuk e provoi në dramë, pasi është aktor shumë i mirë dramë. Regjisorët në Shqipëri, pasi del aktori shkëlqen në një lloj roli  e profilizojmë aty direkt. Dhe nuk e marrim që të eksperimentojmë, t’i japim dhe një rol tjetër, e lëmë aty dhe mbetet aty. Kjo gjë nuk është e mirë pasi mund të ketë potencialin, pasi aktori nuk është për të bërë një rol, aktori është për të bërë shumë karaktere.

Sa ka ndryshuar jeta juaj nga ardhja në jetë e dy vajzave të tua?

Në momentin që vijnë vajzat në jetë, ndryshon komplet botëkuptimi për jetën. E shikon jetën shumë ndryshe, pasi bëhesh më e kujdesshme, fillon e do veten tënde pak më shumë, në kuptimin që kujdesesh për veten, pasi duhet të jesh ti që të kujdesesh për vajzat.  Ta bëjnë jetën më të dashur, më të bukur, të bëjnë njeri më të ndjeshëm, të bëjnë më të ëmbël. E shikon me sy mëmësie pastaj botën. Ti vet si njëri bëhesh më e mirë, pasi do që të jesh më e mirë për vajzat e tua, një shembull. Ato janë dashuri.

Do doje ti shihje në aktrim vajzat e tua, në rrugën e prindërve?

Unë nuk do t’ua këshilloj kurrë që të bëhen aktore, apo që të merren me art. Se çfarë do bëjnë vet këtë nuk e di, kështu që ngelim vetëm të presim se ku do t’i shfaqin potencialet që ato kanë dhe se çfarë gjëje dinë të bëjnë ato më mirë.

Përtej profesionit tuaj, si është një ditë e juaja, si është Eni jashtë kornizave të profesionit?

Unë jam një natyrë shumë familjare dhe e lidhur me familjen. Unë zgjohem e para në mëngjes, bëj gati gjërat e gocave. Mundësisht të kem siguruar edhe drekën, pasi vjen vajza dhe duhet ta kenë gati pastaj bëhem gati për punë. Dita imë është siç mund ta këtë një  nënë normale. Nuk më pëlqen që t’i bëjnë të tjerët punët e mia në shtëpi dhe të merren me vajzat e mia, ndërkohë që unë të vazhdoj të merrem me punën time. Më Pëlqen që t’i rris vet vajzat, të shijoj rritjen e tyre, pasi dua që ta kem raportin e afërt me vajzat.

 

Ndonjë projekt artistik për të ardhmen…

I kam të gjithë në ajër dhe nuk do doja që të përmendja diçka që ende nuk është konkrete. Duke qenë se nuk ka asnjë projekt konkret, më mirë mos t’i them.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here