Zëvendëspresidentja e Parlamentit Europian, Ulrike Lunacek, një adhuruese e natyrës shqiptare është nga lobueset me të forta kundër ndërtimit të hidrocentraleve në lumin e Vjosës.
“Lumi i Vjosës është i vetmi ne Europë, që është ne rrjedhje të lire”, ka pohuar ajo gjatë një takimi me gazetarë nga Shqipëria në Parlamentin Europian në Bruksel.
Është e vërtetë që Shqipëria ka nevojë për energji, thotë ajo, por jo në këtë lumë. Në këtë zonë, sugjeron ajo, Shqipëria mund të bejë investime në ekoturizëm. Lunacek thotë se ajo ia ka shprehur dhe kryeministrit shqiptar mendimin e saj, por gjithsesi shton se në Shqipëri tani e gjithë vëmendja është e përqendruar te zgjedhjet. Lunacek, që ka vizituar kanionet e Vjosës, pohon se nuk ka një studim të qartë për të evidentuar se çfarë flore dhe faune ka në atë zonë.
“Para çdo projekti është shume e rëndësishme të bëhet vlerësimi mjedisor”. Ajo shprehet skeptike nëse vlerësimi që po bëhet nga firma turke është në linjë me standardet europiane të energjisë, një element që është shumë i rëndësishëm. Po të bllokohet uji, flora nuk do te mbijetojë, ndërsa nuk dihen as pasojat e përmbytjeve të banorët, duhen bërë seanca dëgjimore me ta. “Ndërtoni HEC-e të tjera, por ju lutem lëreni Vjosën”, është mesazhi final i zëvendës presidentes së Parlamentit Europian.