I dënuari si tutor prostitutash: E dija ç’punë bënin 3 vajzat nga Bubullima, por isha thjesht taksisti

0
194

Aranit  Toromeni, 32-­vjeçari nga Bubullima e Lushnjës, është dënuar me vendim të formës së prerë me 6 vite burg, për akuzën “shfrytëzim prostitucioni”. Nga nëntori i vitit të kaluar është transferuar nga burgiu i Rrogozhinës në burgun e Kosovës. Në të njëjtin vend vuan dënimin edhe i dënuari si bashkëpunëtori i tij në këtë vepër, Arbër Ahmetaj, nga Lushnja.

Por ndërsa janë dënuar të dy për të njëjtin krim, Toromeni, përmes familjarëve të tij vazhdon betejën me drejtësinë. Ai pretendon se është arrestuar për “moskallëzim krimi” dhe gjatë rrugës, i kanë veshur një akuzë për të cilën thotë se asnjëherë nuk ka pasur dijeni. Madje për këtë moment, bënë përgjegjës prokrorin e çështjes dhe avokatin e caktuar nga shteti. Por sot teksa vuan dënimin, Aranit Toromëni pranon edhe faktin se nuk i njeh ligjet, nuk di asgjë rreth veprave penale dhe ka firmosur deklarimet e tij pa i lexuar. Sipas tij prokurori ka bërë me të çfarë ka dashur, ndërsa avokati e ka braktisur, sepse paguhej nga shteti dhe sa herë i kërkohej të ishte në seancë gjyqësore dhe të firmoste ndonjë dokument, justifikohej se ndodhej në një tjetër gjyq në Tiranë.

“Shkurt, unë e pësova nga padija dhe nga varfëria. Familja nuk kishte para për të pajtuar avokat dhe ne nuk dinim asgjë rreth akuzave. Vetëm dëgjonim në sallë, se ç’thuhej, por nuk dinim të mbroheshim.

Pavarësisht se çfarë është thënë në sallën e gjyqit nga vajzat, unë jam dënuar për një gjë që nuk e kam bërë”, ­thotë Araniti, 32­vjeçari nga fshati Bubullimë e Lushnjës. Për gazetën “Shekulli”, Araniti rrëfehet nga burgu i Kosovës përmes telefonit.

 Aranit ju jeni dënuar me vendim të formës së prerë me 9 vite burg dhe pas pranimit të gjykimit të shkurtuar 6 vite. Cila është akuza ndaj jush?

Në prill të vitit 2015 jam arrestuar së bashku me një vajzë të cilën sapo e kisha çuar me taksi në një bar­restorant që ndodhet në anë të rrugës Lushnjë – ­Fier. Jam nga Bubullima e Lushnjës. Vajza quhej M.Gjeçi dhe ishte nga i njëjti fshat. Na dërguan në Policinë e Fierit dhe aty qëndrova deri sa më komunikuan akuzën e “moskallëzimit të krimit”. Pas tri ditësh u paraqitëm në gjykatë dhe më liruan për shkak të akuzës që nuk kishte lidhje me vajzat dhe profesionin që ato kryenin. Gjykata më ndaloi të largohesha jashtë vendit, duke më bllokuar dhe pasaportën.

Më pas çfarë ndodhi?

Në muajin korrik të po këtij viti më thërrasin sërish në polici. Oficeri i policisë gjyqësore më thotë se janë mbyllur hetimet dhe unë duhet të firmosja dokumentet. Por në këtë moment kishte ndryshuar akuza. Më thonë se duhet të paraqitesha në gjykatë dhe të mësoja rreth akuzës së re të vendosur tashmë, “shfrytëzim prostitucioni”. Unë nuk kam pranuar në asnjë moment. I kam thënë prokurorit Artan Azbiu se nuk kam lidhje me vajzat që kryenin prostitucion. Ai pasi më dëgjoi më tha se duhej të firmosja deklaratën time.

A e lexove deklaratën?

Të them të drejtën nuk e kam lexuar. Pjesë, pjesë disa fjalë i mbaj mend. Por di të them se në asnjë moment nuk kam pranuar që kam qenë pjesë e rrjetit që shfrytëzonte vajza për prostitucion. Nuk kam pas edhe avokat. Ai ishte caktuar nga shteti dhe sa herë unë i telefonoja më thoshte të shkoja dhe të bëja çfarë thoshte prokurori, pasi ndodhej në Tiranë në një tjetër gjyq. Por dua të theksoj se ne nuk njihnim asnjë ligj dhe aq më keq nuk kishim para për të paguar avokat që të më mbronte. Familja ime është shumë e varfër.

Mund të më tregosh pak historinë, si qëndron e vërteta sipas teje?

Unë isha në gjendje të rëndë ekonomike. Dy prindërit pa punë dhe motra në shkollë. Për këtë arsye unë vendosa që të punoja si taksist. Jo me makinë të verdhë dhe të licencuar, por me një makinë të vjetër. Rrija në qendër të fshatit dhe çdo ditë transportoja për në Lushnjë ose në Fier banor të ndryshëm. Theksoj se kam dërguar me makinën time në disa hotele të Lushnjës dhe Fierit disa vajza që më paguanin si taksist. M.Gjeçi, V.Fonia dhe E.Bardhi, ishin tre vajzat që unë herë pas herë i çoja atje ku ato më kërkonin. Këtë e bëja për të fituar para si taksist dhe jo se kisha lidhje me prostitucionin që ato kryenin. E dija se e bënin këtë punë. Kisha rreth pesë muaj që e kisha marr vesh këtë gjë, por nuk kisha lajmëruar për të vetmen arsye sepse nuk kisha lidhje dhe unë vetëm merrja paratë e taksisë.

Sa të paguanin?

Varej sipas largësisë. 3­ – 5 – ­10 mijë të vjetra. Asnjë lekë më shumë nuk kam marrë. Unë e pranoj që e kam ditur se çfarë pune bënin këto vajza, por asnjëherë nuk kam pas lidhje me to përveç faktit që i shoqëroja me makinë.

Me kë të konsideroi bashkëpunëtor gjykata?

Arber Ahmetaj është personi që u akuzua që në fillim për shfrytëzim prostitucioni. Po ky është ai që më telefoni ditën kur u arrestova dhe më kërkoi t’i çoja në hotel “Liu” në anë të rrugës kryesore Lushnjë­-Fier. Sa mbërrita aty më kapi policia. Pra dua të them se unë e dija që ato bënin atë punë, këtë e kam pranuar edhe para gjykatës, por në asnjë rast nuk kam qenë pjesë e rrjetit. Kam punuar për bukën e gojës. Po kështu kam kërkuar të më dënojnë për “moskallzim krimi”, akuzë të cilën nuk kundërshtoj, por jo për “shfrytëzim prostitucioni”. Kjo është e rëndë për mua.

Vajzat të cilat ti thua se i njeh, kanë dhënë deklarime në gjykatë, çfarë kënë thënë ndaj teje?

I njoh të treja. Janë nga fshati im. Para gjykatës ato deklaruan këto që po them unë sot. Thanë se më kishin marrë si taksist dhe se ishte tjetër person që i shfrytëzonte.

Pse mendon se gjykata nuk i ka besuar?

Nuk di të them për këtë gjë. Akoma spo e kuptoj se përse mua më futën në këtë rrjet kur në të vërtetë kam punuar vetëm si taksist dhe kam pasur dijeni për punën e tyre. Unë kam kërkuar dhe vazhdoj të kërkoj të përgjigjem vetëm për akuzën që më korrespondon. Të tjerë persona janë ata që kanë marrë para nga vajzat që kanë shfrytëzuar. Unë nxirrja vetëm lekët e bukës për familjen dhe taniu kam përfunduar në burg.

Kë fajson për situatën në të cilën ndodhesh?

Në radhë të parë, vetëm se jam i painformuar. Pastaj të them avokatin ësht ëe tëpërt pasi ai i caktuar nga shteti ishte dhe nuk kishte shumë interes të ndoqte çështjen time. Familja ime nuk kishte para të paguante për të mbrojtur të vërtetën. Kështu që u gjenda në udhëkryq dhe me fatin e caktuar. U dënova më shumë se tutori i tre vajzave.

Përmendët tutorin, kush ishte ai?

Arbër Ahmetaj është personi që më telefonoi ditën e arrestimit në prill të vitit 2015 me qëllim që t’i çoja në hotel njërën prej vajzave. Po ky është personi që kishte lidhje dhe me vajzat e tjera. Unë thjeshtë bëja transportin e tyre nga Bubullima drejt hoteleve që më thoshin. Shkonin në hotele të ndryshme me qëllim që të mos njiheshin. Gjatë rrugës nuk bënin asnjë bisedë me mua. Por në këtë vend kjo është drejtësia. Ai që është fajtor dhe ka para fiton, ndërsa i varfëri humbet dhe duhet të vuaj dënimin e të tjerëve. Dua të them se edhe vajzat që ushtronin prostitucion u arrestuan dhe më pas u dënuan. M.Gjeçi e cila u kap në të njëjtën ditë kur u arrestova dhe unë di që ka pohuar se unë jam i pafajshëm dhe nuk kam lidhje me prostitucionin që ato kryenin.

E ke takuar pas gjyqit Arbërin?

Po e kam takuar. Ai vuan dënimin së bashku me mua këtu në burgun e Kosovës. Secili ka fatin e tij. Ai u dënua me 5 vite e 8 muaj burg ndërsa unë më shumë. Kjo është padrejtësi.

Ke bërë ndonjë tentativ për të ndryshuar situatën ku ndodhesh?

Pasi humba dhe në Apelin e Vlorës dhe pash që me avokatët e shtetit nuk fitova të vërtetën, sepse ata vinin kot në sallën e gjyqit dhe i mbanin iso prokurorit, familjarët gjetën lekë borxh dhe kanë pajtuar dy avokat të tjerë. Ajo që dua unë është të dënohem për veprën që kam kryer, “moskallëzim krimi”. Shteti duhet të jetë i drejtë. Këtu drejtësi nuk ka për të varfërit. Familja ime është në pikë të hallit dhe unë tani vuaj nga kjo varfëri.

Me avokatin e caktuar kryesisht nga gjykata ke kontaktuar më vonë?

Jo . e thashë edhe më lart në momentin e arrestimit dhe kur mora masën e arrestit, unë nuk kisha lekë dhe gjykata e Lushnjës caktoi si avokat Metush Meçe. Por në momentin kur prokuroria më njoftoi se më kishte ndryshuar akuzën dhe unë telefonova avokatin, ai më tha të firmosja se ndodhej në Tiranë. Gjatë gjyqit nuk bëri ndonjë mbrojtje të madhe, pasi procesi ishte me procedurë të shkurtuar dhe ai ra dakord me gjithçka që solli prokurori. Por unë, me të vërtetë pranova gjykimin e shkurtuar, por nuk pranova akuzën. E drejta ime për tu ankuar nuk kishte rënë. Megjithatë këto janë gjykatat tona, i bien shkurt dhe nuk mundohen. Tutorët janë jashtë dhe unë që punoja me taksi dhe u dërgova vajzat aty ku ata donin vuaj dënimin duke i shkaktuar dhe familjes një dram të madhe.

HISTORIA

Si u zbulua rrjeti i prostitucionit dy vite më parë në Lushnjë

Në prill të vitit 2015, tre vajza dhe dy djem ranë në prangat e policisë së Fierit për dy vepra penale”ushtrim prostitucioni” dhe “ shfrytëzim prostitucioni”. Ky grup sipas policisë dukej se kishte gjetur mënyrën se si të pasurohej duke ushtruar prostitucion. Ishte një rrjet i prostitucionit që ushtrote veprimtarinë në disa prej hoteleve të qytetit të Lushnjës dhe në periferi. Për të zbuluar këtë rrjet , policia kishte marrë sinjale nga pronarët e hoteleve, që fillimisht i dhanë ato në formën e dyshimit. U bënë kontrolle të shumta dhe u sekuestruan prova materiale mes tyre edhe një video e cila implikonte personat e arrestuar në këtë aktivitet të paligjshëm.

Në atë periudhë policia njoftoi se kishte vënë në pranga të dyshuarit Majlinda Gjeçi 26 vjeçe dhe Arbër Ahmetaj 22 vjeç. Po kështu policia në komunikatën e saj njoftonte se kishte ndaluar dhe shtetasin Aranit Toromeni për “ mos kallëzim krimi”. Por akuzat e policisë më pas ndryshuan dhe Toromëni përfundoi në gjykatë për “shfrytëzim prostitucioni”. Të përfshira në grupin e prostitucionin fillimisht u dyshuan edhe Vida Fonija dhe Erjona Bardhi të cilët më pas u ndaluan nga policia dhe u dënuan për “ushtrim prostitucioni”. Operacioni i policia ku si rezultat u arrestuan pesë persona u quajt “Natyra”. Në deklaratën zyrtare të policisë thuhej se tri femra janë arrestuar për akuzën e “ushtrimit të prostitucionit” kundrejt një pagese 5000­ – 15 000 lekë të reja në qarkun e Fierit. Në pranga ka rënë edhe Aranit Toromëni. Arrestimi i tyre është kryer mbrëmjen e 23 prillit 2015 në kuadër të operacionit ”Natyra”. Majlinda Gjeçi, 26 vjeçe, banuese në fshatin Halilaj, Komuna Bubullimë, Lushnjë, për veprën penale “Ushtrim prostitucioni” parashikuar nga neni 113 i Kodit Penal.

Erjona Bardho, 26 vjeçe, për vepren penale “Ushtrim prostitucioni” parashikuar nga neni 113 i Kodit Penal.

Vida Fonija, 42 vjeçe, për veprën penale “Ushtrim prostitucioni” parashikuar nga neni 113 i Kodit Penal, banues në fshatin Halilaj, Komuna Bubullime, Lushnjë.

Arbri Ahmetaj, 22 vjeç, banues në lagjen “1 Maji”, Fier, për veprën penale”Shfrytëzim i prostitucionit” dhe “Moskallëzim i krimit” parashikuar nga neni 114 dhe 300 i Kodit Penal, banues në fshatin Halilaj, Komuna Bubullime, Lushnjë.

Aranit Toromëni, 30 vjeç, për veprën penale “Moskallëzim i krimit” parashikuar nga neni 114 i Kodit Penal, banues në fshatin Halilaj, Komuna Bubullime, Lushnjë.

Në atë kohë në gjendje të lirë u proceduan edhe disa persona të cilët ishin klientët. Tetë klient nga Berati, Durrësi, Lushnja dhe Fieri ranë në pranga për akuzën “prostitucioni dhe dhënia e shpërblimit”. Në njoftimin e policisë të asaj periudhe thuhej se , “arrestimi , ndalimi si dhe procedimi në gjendje të lirë për këta shtetas u bë pasi paguanin shtetaset femra të mësipërme që ushtronin prostitucion në kohë dhe vënde të ndryshme, kryesisht në Qarkun Fier nga 5000 – 15 000 (të reja). Policia e Lushnjës dhe ajo e Fierit herë pas herë kanë organizuar operacione për kapjen dhe arrestimin e personave që bëjnë pjesë në rrjetin e prostitucionit. Tronditëse në të gjitha rastet është fakti se vajzat që kapen duke ushtruar këtë profesion janë të pashkolluara dhe nga shtresa të varfra të shoqërisë. Një nga shkaqet kryesore që ato përmendin në polici e më pas në gjykatë për profesionin që kryejnë është gjendja e vështirë ekonomike. /Shekulli

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here