Ekspozita ARTOUR-O il MUST në Firence/ Flet Oltsen Gripshi: Pritje për t’u realizuar, pritje për të braktis varfërinë, pritje për të shijuar lirinë

0
281

“Sfidat madhore të artit: financimi i projekteve të ndryshme kulturore, braktisje njëherë e përgjithmonë e përzgjedhjeve të artistëve nëpër evente të rëndësishme me mik, hapja e institucioneve të kulturës ndaj artistëve të rinj etj”


Irini Meçe

Oltsen Gripshi është një ndër artistët e përzgjedhur për të ekspozuar veprën e tij “Pritja” në Muzeun e përkohshëm të promovimit të krijimeve të artit bashkëkohor dhe design-it, ARTOUR-O il MUST, Firenze, Itali. Në krijimtarinë e tij në artin bashkëkohor, artisti ka spikatur me veprat që ka prezantuar për publikun. Mesa duket ekspozita e tij personale “Antropo-Fenomenologji” në Galerinë e Arteve i hapi rrugën Gripshit që veprat të ekspozohen edhe jashtë. Përveçse veprës “Pritja”, është pëlqyer nga të huajt edhe një vepër tjetër e tij. Bëhet fjalë për veprën “Arsyeja”, e cila fton publikun që të vendosin gurin e tyre se ku peshon ndërgjegjja e tyre, peshon tek truri apo tek zemra. Oltsen Gripshi në një intervistë për gazetën “Standard” vjen për të folur më shumë rreth rrugëtimit të veprave të tij në Muzeun ARTOUR-O il MUST, Firenze. Përveç kësaj, në këtë intervistë jemi ndalur për të folur rreth zhvillimit dhe sfidat e artit në Shqipëri si dhe karrierës artistike mes Shqipërisë dhe jashtë saj.

 

Oltsen jeni një nga artistët e përzgjedhur për të ekspozuar veprën tuaj “Pritja” në ekspozitën vjetore në Muzeun e përkohshëm në promovimin e Artit Bashkëkohor Firence 2017. Si arriti vepra juaj deri në Firence dhe pikërisht në këtë ekspozitë?

Vepra “Pritja”, e cila është një ndërthurje mes instalacionit dhe video-artit ka qenë pjesë e veprave të ekspozuara në ekspozitën time vetjake “Antropo-Fenomenologji”,  mbajtur në Galerinë Kombëtare të Arteve të Shqipërisë tetorin e kaluar. Pikërisht nga këtu nis dhe rrugëtimi i kësaj vepre drejt Muzeut të përkohshëm në promovimin e Artit Bashkëkohor ARTOUR-O IL MUST  Firence 2017. Një vepër që mbart një mesazh të thellë dhe të mprehtë se si shihet dhe perceptohet deti në sytë e shqiptarëve. Deti si mundësi për të prekur ëndrrën e madhe perëndimore në vitin 1990. Deti si meditim ndaj të gjithë atyre shqiptarëve të cilët ndërsa endeshin për një jetë më të mirë, në të gjetën varrin e tyre. Deti si shpresa e vetme në pranverën e vitit 1997 ku çdokush qëndronte në pritje për ditë, javë dhe muaj për t’u larguar nga “Ferri” i asaj pranvere të zezë. Deti, i cili ende sot në gjurmët e kujtesës ngacmon ndërgjegjen e një artisti bashkëkohor si unë për ta sjell ashtu të vërtetë plot mbresa dhe përjetime brenda mureve të një muzeu. Të një muzeu ku çdokush të ndalet përballë këtij video-instalacioni vetëm për një çast dhe ta shikojë atë përmes syve të një shqiptari, për më tepër të një artisti shqiptar, i cili nuk ndjenë të njëjtat ngjyra, as të njëjtën kënaqësi, sikurse ndoshta popujt e tjerë, por thjesht në reflekset e shkëlqimit mbi valët e sipërfaqes sw tij shikon të pasquruar kalvarin e vuajtjeve të popullit të tij…
Veprat “Pritja” dhe “Arsyeja”. Pse pikërisht këto vepra, çfarë pëlqyen më shumë tek to?

Padyshim kanë pëlqyer mesazhin që këto dy vepra përcjellin. Alkimia që ato krijojnë me qenien njerëzore është e madhe, gati tërheqëse aq sa teoria e relativitetit, e cila tërheq rreth vetes çdo gjë. Tërheq dhe bënë të reflektoi këdo, “Pritja” për atë çka shtjellova më sipër dhe “Arsyeja”, sepse vetë jeta është e dyzuar mes të mirës dhe të keqes, të drejtës dhe të padrejtës dhe si e atillë mes gjykimit me zemër dhe gjykimit me mendje. Një profeci eremite e qenies njerëzore ku besimi dhe shpirtërorja e vetizolon atë, duke e bërë të arsyetojë dhe të vendosë mbi peshoren e arsyes peshën e tij. Kjo si një fuqi madhore brenda vetes për të shkaktuar një reaksion purifikimi nëpërmjet procesit të katarsisit.


“Pritja”, po çfarë presim ne?

Po, vërtetë çfarë presim ne?! Duket sikur koha ka mbetur pezull, e varur, e qullët gati e lëngshme si koha e Salvador Dalis, por me një dallim, se për të koha rridhte, vraponte pa pushim ndërsa për ne… – ne shqiptarëve koha përsëritet, ashtu si dhe pritja pas njëzet e shtatë viteve “demokraci”. Por jo, sepse “demokracia” është një spektër i gjerë kuptimor ku për ne ndonëse kanë kaluar shume vite pas ’90-ës, jemi ende në pritje për ta kuptuar atë! Pritja për t’u realizuar, pritja për të braktisur varfërinë, pritja për të shijuar lirinë, pritja, pritja, pritja… fundja e gjithë jeta është një Pritje. Ndaj kjo vepër mbetet midis të shkuarës dhe ardhmes, sepse e tashmja është egoiste, të gjithë vëmendjen e kërkon për vete dhe nuk na lejon të reflektojmë duke pritur… pastaj për çfarë të presim? Ndoshta përgjigje brenda kësaj përgjigje do t’i japin ato që do ta lexojnë, duke qenë se unë përgjigjen time tanimë e kamë dhënë, e cila është “Pritja” për Shqipërinë e të nesërmes.

Sa rëndësi ka për Ju si artist pjesëmarrja në këtë ekspozitë në Firence?

Për çdo artist ekspozimi i krijimeve të tij është shumë i rëndësishëm, aq sa vetë frymëmarrja, e cila përcjell oksigjen në trurin tonë nga ku lind gjithçka […]. Të ekspozosh do të thotë të jesh e të ndjehesh i gjallë me vetveten, i gjallë mes të tjerëve dhe të komunikosh me botën e jashtme. Atë jashtë qenies tënde si artist krijues dhe reflektues ndaj realitetit si pjesë përbërëse e ekzistencës tënde. Ja përse të ekspozuarit në këtë Muze të përkohshëm të Artit Bashkëkohor ARTOUR-O IL MUST “Pritja” dhe “Arsyeja” ime materializohen nëpërmjet luajalitetit të dritëhijeve të të komunikuarit me botën përmes tyre.
Karriera Juaj artistike e ndërtuar në Shqipëri, Itali dhe Francë. Si keni mundur që ta menaxhoni dhe të keni sukses si në Shqipëri dhe jashtë saj?

Tashmë në art është bërë gjithçka, por ajo çfarë bënë dallimin e madh dhe që të bënë origjinal në atë çfarë krijon është koncepti dhe mesazhi që i vesh krijimeve të tua […]. I frymëzuar nga Konceptualizmi i filozofisë mesjetare të Abelardo-s, si dhe nga Arti Konceptual i viteve ’60 të shekullit XX, mbërrij sot të konkretizoj ngjyrat e botës time të brendshme nëpërmjet konceptuales në portretizimin e realitetit si dëshmitar i kësaj kohe; i kohës tonë, i kohës që gjëmon furishëm me dinamizmin, i cili karakterizon të tashmen, por kurrsesi nuk harron të shkuarën… – Ky është dhe tezgjahu, i cili tjerr në vazhdim marrëdhënien midis meje dhe konceptuales. Një marrëdhënie dashurore, por edhe urrejtjeje, sepse mua më pëlqen e bukura dhe estetika në formësimin e veprave të mia, ndërsa konceptualja më këshillon të braktis këtë ndjesi sipërfaqësore démodé dhe t’i kushtohem thellësisht e më shumë mesazhit (konceptit) me të cilin do të komunikojë vepra. Fundja “Arti është për të trazuar vetëdijen e shoqërisë, shkenca për ta siguruar atë” G. Braque.
Pse ju keni vendosur që të riktheheshit në Shqipëri?

Thjesht, sepse ky është vendi ku pellazgët hodhën themelet e qytetërimit të tyre ciklopik. Këtu ku ilirët mbretëruan me madhështinë e figurave të tyre më të shquara dhe ku arbrit qartësuan identitetin e shqiptarëve modern. Shqipëria si një magnet hiperbolik nga rrezja e të cilit askush nuk mund të shkëputet, ashtu si dhe unë. Një rikthim për të bërë të njohur artin tim dhe për të vendosur copëzën e gjurmës time në formësimin e këtij puzzle-i të madh të fizionomisë së një Shqipërie frymëzuese nga ku gjenerohet gjithçka.
E keni menduar ndonjëherë rikthimin në Itali?

Ndonëse Shqipëria është foleza ime e përbotshme dhe në sytë e mia ajo është hyjnore, përsëri shpirti i një artisti nuk mund të mbyllet brenda një konteksti të caktuar gjeo-kulturor. Unë jetoj në Itali, Francë, Spanjë, Austri, Maqedoni dhe shumë vende të tjera ndoshta jo fizikisht, por pikërisht me artin tim që ndodhet në këto vende. Artisti është një qenie e çuditshme dhe e veçantë, sepse nëpërmjet artit të tij lulëzon kudo dhe përjetësisht, duke kaluar përtej një përjetim real të realitetit. Një qenie metafizike, e cila fillimisht është demiurgu i krijimeve të tij, por më pas janë pikërisht ato krijime që bëjnë të njohur vetë artistin në hapësirë dhe kohë. Pra, në këtë kontekst “rikthimi” si fjalë humbet kuptimin e saj, për t’u shndërruar nënjë nocion universal pa vendndodhje dhe identitete të përveçme.


Në gjykimin Tuaj sa e vështirë është që të bësh art në Shqipëri dhe cilat sfida mund të përmendni Ju në fushën e artit?

Indifernca është armiku më i pamëshirshëm ndaj zhvillimit të artit në Shqipëri. Sado që arti është një thirrje e brendshme e individit, për të shpërfaqur ndjenjat dhe ndjesitë e tij, gjithsesi nëse nuk gjen mbështetje nga institucionet përkatëse në promovimin dhe njohjen e tij me publikun ai rrezikon të hermetizohet në vetvete. Kjo është një nga sfidat madhore, e cila sigurisht pasohet edhe nga problematika të tjera si: financimi i projekteve të ndryshme kulturore, braktisje njëherë e përgjithmonë e përzgjedhjeve të artistëve nëpër evente të rëndësishme me mik, hapja e institucioneve të kulturës ndaj artistëve të rinj dhe krijimi i urave të bashkëpunimit mes muzeumeve shqiptare me ato të huaja për të gjallëruar ende më shumë jetën artistike në Shqipëri, vëmendja ndaj galerive të qyteteve dhe shkëmbimin e eksperiencave kulturore me vendet e tjera.
Ju si historian arti, si e shihni nivelin e artit në Shqipëri, ku qëndron dhe çfarë note do i jepnit?

Falë artistëve të talentuar shqiptar, artet e bukura në Shqipëri kanë krijuar një fizionomi të tyre origjinale. E dallueshme kjo që nga pikturat e para të periudhës së Rilindjes deri në ditët tona. Themelimi i shkollës së parë të vizatimit nga skulptori Odhise Paskali  dhe piktori Abdurrahim Buza përgatiti piktorët e parë të mirëfilltë, duke kontribuar në rritjen e cilësisë dhe vlerave të artit shqiptar. Nuk mbetet pas edhe piktura në periudhën e Realizmit Socialist, e cila në këndvështrimin tim ndonëse u trupëzua brenda një manierizmi stilistiokor dhe përmbajtësor, përsëri në vetvete krijojë identitetin e saj të dallueshëm ndaj pikturës bolshevike sovjetike nga ku dhe u frymëzua. Ndërsa rrjedha e pikturës pas viteve ’90, sigurisht që mori një tjetër zhvillim historik ku të gjithë artistët filluan të shprehnin lirshëm ndjenjat e tyre, duke e ngritur në nivele të krahasueshme artin tonë kombëtar me atë botëror.
Ku e gjen Oltseni frymëzimin për të krijuar?

Frymëzimin e përthith nga gjithçka që më rrethon. Si një artist, jam shumë i kujdesshëm ndaj çdo gjëje, e cila më ngacmon dhe më bënë të reflektoj. Një diçka si produkt i gërshetimit të idesë me mendimin (konceptin) ku realja dhe surrealja marrin dhe japin nga njëra-tjetra. Ideja dhe mendimi, një lojë fjalësh, e cila depërton thellë në shqisat perceptuese brenda mureve të qelqta të unit tim; un që kriset, gati-gati shkërmoqet e që braktis kryeneçësinë e të qëndruarit larg dhe indiferent përballë fenomeneve të së përditshmes. Nis të reflektoj, të gërmoj dhe të hulumtoj se si mund të bëhem ndërmjetësi mes idesë së padukshme brenda meje dhe materializimit të saj në realitet, e cila më pas preket dhe perceptohet nga të gjithë.
Ndonjë projekt artistik, ekspozitë personale do të shohim së shpejt nga ju?

O.G –Sigurisht që po, artisti nuk resht kurrë së krijuari. Sapo u mbyll pjesëmarrja ime në Muzeun e përkohshëm në promovimin e Artit Bashkëkohor ARTOUR-O IL MUST  Firence 2017. Së shpejti në muajin prill do të paraqitem në Tiranë me një video-art të emërtuar “Përfundimi i një ekuacioni”, si pjesë e projektit VideMokracia të organizuar nga Art Kontakt Festivali Ndërkombëtar i Artit Bashkëkohor. Paraqitja e një instalacioni si pjesë e aktiviteteve përkrah Biennale-s së Venecias në një galeri private në Venecia dhe shumë projekte të tjera për të cilat do të kemi përsëri mundësi për të bashkëbiseduar.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here