Filmi premierë “Të thyer”/ Regjisori Edmond Budina: Filmi, një kauzë për mjedisin. Kur ndot ambjentin dhe shpirtërisht je i ndotur

0
425
Servizio n.35775: 28 Maggio 2010 - bassano del grappa - BASSANO DEL GRAPPA (Vicenza) - presentazione libro anche voi foste stranieri con antonio sciortino e edmond budina regista - edmond budina regista e attore cinematografico - - - fotoremonato

 

Filmi ”Të thyer” me regji nga Edmond Budina vjen si premierë për publikun shqiptar në ekranin e kinemasë në 23 shkurt. “Të thyer” ka në vëmendje realitetin shqiptar dhe problemet e tij, një kauzë për mjedisin dhe një thirrje për ta mbajtur pastër atë. Filmi rrëfen një marrëdhënie at-bir, ku mungon mirënjohja, të vërtetat e pathëna, mbështetja sepse pushteti errëson sytë. Paralelisht me këtë ndodhin dhe drama të tjera të shoqërisë: një nënë që vetësakrifikohet në një fshat, ku goditet shoqëria, braktisja, burgu, mbyllja e prindërve nëpër azile, të gjitha këto janë në film në copëza të vogla. Në këtë intervistë për gazetën “Standard” Budina flet më shumë rreth filmit. Ai thekson se ka eksperimentuar duke përdorur dritën natyrale në xhirime për të mos shpenzuar energji dhe mos dëmtohet ambjenti. Vetë Edmond Budina ka rolin e babit, ndërsa karakteret e tjera ia ka besuar Laert Vasilit, si i biri, njëkohësisht edhe një deputet i inkriminuar, Gladiola Harizajt si Ema, nëna vetësakrifikuese dhe  Nikolla Llambro, Zamira Kita e Sotiraq Bratko. Regjisori ka treguar se pas premierës në Tiranë, filmi do të këtë premierën dhe jashtë Shqipërisë.

Intervistoi Irini Meçe

“Të thyer” është filmi premierë që ju sillni për publikun shqiptar, i cili prek disa nga çështjet që shqetësojnë shoqërinë. Nga u ngacmuat dhe cila ka qenë indicja e parë që të sillni dhe të realizoni këtë film?

Ideja ka lindur pikërisht nga ndotja e ambjentit dhe mosmirënjohja njerëzore. Këto të dyja i kam vënë re shumë në Shqipëri, në jetën e përditshme. Ka një kontradtikë të shpeshtë në shoqërinë shqiptare dhe kjo mosmirënjohja gati po kthehet në modë, jo vetëm në Shqipëri por në çdo shoqëri njerëzore.  Problemi i ndotjes së ambjentit, sipas meje,  është një nga problemet më emergjente dhe duhet të ngrejmë zërin, të mos rrijmë kokëulur. E shohim të gjithë shumë mirë se çfarë po ndodh me plehrat. Edhe ushqimi që ham është i ndotur nga ambjenti nga të cilin ne e marrim. Kontrollon vajin dhe sheh që është i përzjer me vajra të tjera jashtëzakonisht të këqija, buka me myk etj. Janë kronika lajmesh që i kemi parë të gjitha përsa i përket cilësisë së ushqimit që konsumojmë. Dhe pikërisht kjo ishte pikënisja që më bëri që të trajtoj një temë të ndotjes së ambjentit, por dhe njerëzore sepse në momentin që ndot ambjentin dhe shpirtërisht je i ndotur sipas meje.

Tematika e këtij filmi është shumë afër realitetit shqipar. Trajton ndotjen e ambjentit, marrëdhënien prind-fëmijë, moralin e shoqërisë, por dhe figurën e femërs që vetësakrifikohet. Le të ndalemi konkretisht në secilën nga këto tematika që keni trajtuar në film. Ndotja e ambjentit…

Nëpërmjet trajtimit të ndotjes së ambjentit dua t’i jap mesazh shoqërisë shqiptare që të mundohemi që të jemi më qytetarë dhe më të përgjegjshëm ndaj mjedisit dhe të mos i hedhim mbeturinat ku të mundim. Shohim lumenjtë e Shqipërisë që janë të mbytur me plehra. Mbeturina radioaktive janë një problem shumë i madh, i rëndësishëm, universal, jo vetëm në Shqipëri, por dhe në Itali ku unë jetoj dhe në vende të tjera që janë shumë herë më të zhvilluara se Shqipëria.Kështu që në këtë aspekt duhet t’i thërrasim mendjes, t’i  bëjmë thirrje shoqërisë  që të mos jetojmë ashtu siç kemi jetuar deri më sot. Të mos futim mbeturina radioactive, të mos e ndotim ambjentin, të mos e shkatërrojmë Shqipërinë.

Marrëdhënia prind-fëmijë…

Edhe ky është një problem tjetër që unë e kam trajtuar tek filmi. Kam shkuar në azilin e pleqëve dhe kam parë njërëz të braktisur, që fëmijët i kishin harruar dhe prindërit e vuajnë shumë këtë. Është shumë e rëndësishme që nga pikëpamja njerëzore duhet ta ndjejmë, ta duam dhe të mos e braktisim njëri-tjetrin. Dhe për mua kjo është esenca, jo vetëm e familjes, por e gjithë shoqërisë. Nuk po them që duhet të jemi një familje patriarkale si dikur ku ishte burri ai që komandonte, por jo përkundrazi. Por nga pikëpamja njerëzore askush nuk duhet të braktisë asnjë në familje dhe ta lerë në vetminë e tij. Një nga sëmundjet më të mëdhaja të shoqërisë moderne sot është pikërisht vetmia.

Si e keni trajtuar figurën e femrës në këtë film?

Figura e femrës është simboli i jetës dhe unë kështu e shoh personazhin e femrës në këtë film edhe pse ajo bën një “shfaqje” të vogël me pleqtë e fshatit. Dhe ata pleq që shohin një grua që zhvishet, ata nuk shohin thjesht femrën, por shohin jetën që po iu ikën nga duart. Për mua është një lloj poezie që kush ka ndjesi poetike mund ta kuptojnë.

Por përsa i përket moralit të shoqërisë?

Kemi filluar të bëhemi më pak të moralshëm të them të vërtetën. Natyrisht është e vështirë të themi se cili është morali perfekt I një shoqërie, por shoh që ka më pak njerëzillëk dhe në momentin që shoh që ka më pak njerëzillëk, them që ka më pak moral.

“Të thyer” pse ky titull?

Së pari ky titull më pëlqen se është shumë i shkurtër dhe mbi të gjitha është një thyerje e brendshme shpirtërore, është si ajo buka që thyhet dhe nuk ngjitet më. Gjithmonë ndodh që thyhet diçka dhe njeriu përpiqet që të sillet mirë për ta ndrequr, por është e pamundur sepse nuk ndreqet më, ka marrë fund. Plus që më duket shumë e përshtatshme për të përfaqësuar të gjithë shoqërinë shqiptare.

Ju në këtë film keni eksperimentuar duke përdorur dritën natyrale në xhirime. Pse kjo zgjedhje? A ka qenë e vështirë dhe si ka rezultuar?

Ka qenë e vështirë, por duke patur një drejtor fotografie shumë të mirë dhe kamera të ndjeshme kemi rritur rezultatin që donim. Kam përzgjedhur që të xhirojmë me drita natyrale sepse është më e vërtetë skena, është më e vërtetë ngjarja dhe jemi më afër realitetit. Por veç kësaj duke bërë një film për ndotjen e ambjentit, mu duk më e përshtatshme dhe për të qënë koherent me atë që po bënim. Duke shpenzuar shumë energji, ne do të ndotim shumë ambjentin dhe ne jemi përpjekur që të shfrytëzojmë atë që natyra na ka dhënë, këtë dritë. Perfeksioni që mund ta arrij natyra, nuk mund ta arrijë një dritë artificiale  ndonjëherë. Kjo është një e re në ekranin që e kam sjellë nëpërmjet këtij filmi.

 

Filmi është një bashkëprodhim shqiptaro-italian-maqedonas-bullgar. Si ja keni dalë që të merrni dhe mbështetjen e tyre?

Së pari producentët besuan në këtë projekt sepse e cilësuan si një projekt universal, që është një dramë që nuk i ndodh vetëm Shqipërisë, por i ndodh dhe Italisë, i ndodh dhe Maqedonisë etj. Ne kemi patur dhe partner të tjerë, edhe franzecë që ishin të gatshëm, por financimet nuk u arritën të finalizoheshin. Mesa duket tema, ngjarja implikon shumë të tjerë dhe vende të tjera, pra e kanë kuptuar si temë universal të filmit dhe menduan të bashkëpunonin. Për ne është shumë e rëndësishme që morëm mbështetjen qoftë nga QKK-ja, RTSH-ja, por edhe të Ministrisë italiane të Kulturës dhe të agjencisë maqedonase. Është hera e tretë që kam mbështetjen e Ministrisë së Kulturës në Itali, ku kam konkurruar me regjisorë më të njohur italianë, ku shumë prej të cilëve ngelën jashtë, pra nuk u financuan, ndërsa ne po. Kjo tregon që projekti, filmi jonë një vlerë e ka.

Xhirimet e filmit ku janë realizuar konkretisht?

Janë bërë në Ancona, Durrës, Tiranë, Elbasan, Korcë dhe Maqedoni.

Vini në rolin e skenaristit, regjisorit dhe aktorit. Si keni mundur që t’i menaxhoni të treja këto role në këtë film?

Nuk e ndjej vështirësinë për t’i bërë të treja, aktorin, regjisorin dhe skenaristin. Por shkrimi i skenarit ka mbaruar përpara se unë të filloj të xhiroj. Dy janë punët që më bien si të them barrë të xhirimeve, aktrimi dhe regjia. Unë kam punuar fort dhe mbaj mend që vetëm 2 deri në 3 orë flija sepse punoja dhe përgatitesha për rolin. Unë në fillim nuk kam dashur që të luaj në këtë film, por ka qenë këmbngulja dhe insistimi i producentes e cila më kërkoi që të bëja një kino-provë dhe pasi e pa, vendosi që ta luaja unë rolin e babait.

Cilat kanë qenë vështirësit që keni ndeshur gjatë realizimit të filmit?

Vështirësitë janë në sheshxhirm. Por vështirësia më e madhe është të harmonizosh produksionet e huaja, të gjesh financimet dhe një meritë për këtë e ka produksioni që arriti t’i lidhi të gjitha fijet dhe ne të kemi këtë produkt që kemi sot. Padyshim falenderoj dhe Adelen që ishte producente e filmit dhe themi që ja kemi arritur.

Doja të ndalesha pak tek kinemtografia shqiptare. Si e shihni dhe e gjykoni ju atë dhe sa e vështirë është që të realizohen filma shqiptarë?

Vështirësitë për të realizuar një film këtë në Shqipëri janë më të mëdha sepse kostot janë rritur shumë. Dhe është e vështirë, sepse për shembull n.q.s një film në kohën e Partisë së Punës para viteve ’90 nuk kushtonte asnjë gjë sepse figurantët i merrnin nga një ndërmarrje, ndërsa në kohët e sotme çdo gjë kushton.

 

Përveç Shqipërisë, filmi do të ketë premiera dhe jashtë?

Filmi e ka të garantuar premierën në Itali dhe në Maqedoni, por ne po mendojmë që filmi të ketë një rrugë shumë të gjatë ndërkombëtare.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here