Seriali i hakmarrjeve në Elbasan mes dy grupeve rivale, të familjeve Çapja e Mema, po shkon drejt zbardhjes. Shpresat janë shtuar pas identifikimit të një 25-vjeçari me inicialet SH.H, i dyshuar si autori i atentatit ndaj Florenc Çapjes në 6 maj të vitit të kaluar.
Në këtë ngjarje u plagos miku i Çapjes, Bledar Muça, si dhe një punonjëse policie e cila ishte rastësisht aty. Hetimet e policisë bazuar edhe në pamjet e kamerave të sigurisë së një biznesi aty pranë qartësuan, pamjen fizike të një prej të dyshuarve.
Ai përputhej me një person që sipas policisë është identifikuar fillimisht në rrugë operative. Po ashtu hetimi i mëtejshëm i policisë, bazuar në deklarime dhe ballafaqime të dhënash e dëshmish, provoi autorësinë e të dyshuarit.
Madje për të mësohet se policia ka prova të rëndësishme që dokumentojnë praninë në vendin e ngjarjes me 6 maj të vitit të kaluar në Elbasan.
Arrestimi i të dyshuarit, emri i të cilit nuk bëhet i ditur për shkak të sekretit hetimor, mund të sillte zbardhjen e atentatit të 6 majit, por edhe një zbardhje të serialit të hakmarrjeve mes familjeve Çapja dhe Mema në qytetin e Elbasanit.
I njëjti person pritet të verifikohet nëse ka lidhje edhe me ngjarjen e 3 shkurtit të vitit 2016, ku mbetën të vrarë 4 persona dhe u plagosën rëndë shtatë persona nga familja Çapja dhe miq të tyre./tv klan