Akt i ri normativ për derdhjen e kontributeve për profesionet e lira

0
293

 

Vendimi i mëparshëm i qeverisë parashikonte që për profesionet e lira, masa e kontributeve të ishte mes pagës minimale e asaj maksimale

 

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që rrëzoi ligjin e qeverisë për kontributet e profesioneve të lira, qeveria ka miratuar një akt normativ që përcakton se sa do të jetë masa e kontributeve.

Akti normativ që tashmë ka marrë fuqi ligjore argumentohet si një veprim i kryer në kushtet e pamundësisë kohore për hartimin e akteve nënligjore e në kushtet kur vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka prodhuar një boshllëk ligjor. Vendimi i mëparshëm i qeverisë parashikonte që për profesionet e lira, masa e kontributeve të ishte mes pagës minimale e asaj maksimale në shkallë vendi por masa e detyrimit për t’u paguar do të përcaktohej me vendim të Këshillit të Ministrave, bazuar mbi kritere që mbajnë parasysh llojin e profesionit, numrin e të punësuarve, zonën ku zhvillohet aktiviteti ekonomik, nivelin e të ardhurave në sektorin publik për profesione të njëjta ose të ngjashme, eksperiencën në profesion dhe statusin e profesionistit.

 

Ky vendim vlerësohet se sillte rritje të masës së kontributeve shoqërore e shëndetësore për mijëra të punësuar në rreth 23 profesione, mes të cilëve për avokatët, kontabilistët, dentistët, farmacistët, inxhinierët, ekonomistët etj që rezultojnë si të vetëpunësuar. Ligji u ankimua në Gjykatën Kushtetuese më argumentin se cenonte Kushtetutën dhe rrezikonte t’i falimentonte duke deformuar tregun.  Në këto kushte, qeveria ka miratuar aktin normativ që është botuar në Fletoren Zyrtare e tashmë ka marrë fuqi ligjore. Akti normativ parashikon se kontributet e detyrueshme të sigurimeve shoqërore për personin e vetëpunësuar, përfshirë punëdhënësin e vetëpunësuar, llogariten si përqindje mbi një pagë bruto, jo më të ulët se paga minimale në shkallë vendi dhe jo më të lartë se paga maksimale, e miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave. Pra, në këtë rast ruhet i njëjti parashikim ligjor si në ligjin e mëparshëm. Megjithatë, në këtë rast nuk parashikohet se do të jetë Këshilli i Ministrave ai i cili do të bëjë kategorizimin e masës së kontributeve bazuar mbi llojin e profesionit, aktivitetin ekonomik apo nivelin e të ardhurave. Megjithatë, ndryshe nga ndodh me masën e kontributit shoqëror, për kontributin shëndetësor të të vetëpunësuarve, përqindja e kontributeve do të llogaritet mbi bazën e dyfishit të pagës minimale në shkallë vendi, sikurse parashikohej në ligjin e mëparshëm.

 

Si ndryshon llogaritja e kontributeve për personin e vetëpunësuar dhe punonjësin e papaguar të familjes sipas aktit të ri normativ:  Kontributet e detyrueshme të sigurimeve shoqërore për personin e vetëpunësuar, përfshirë punëdhënësin e vetëpunësuar, llogariten si përqindje mbi një pagë bruto, jo më të ulët se paga minimale në shkallë vendi dhe jo më të lartë se paga maksimale, e miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave. Kontributet e detyrueshme të sigurimeve shoqërore pёr punonjësin e papaguar të familjes llogariten mbi pagën minimale në shkallë vendi, të miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave. Kontributet e detyrueshme të sigurimit shëndetësor për personin e vetëpunësuar, përfshirë punëdhënësin e vetëpunësuar dhe punonjësin e papaguar të familjes, llogariten sipas nivelit të parashikuar si përqindje mbi dyfishin e pagës minimale në shkallë vendi, të miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave. Kur veprimtaria ekonomike e tatimpaguesit fillon, ndërpritet, përfundon apo kalon në regjistrin pasiv gjatë një muaji, llogaritja e kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore bëhet në bazë të pagës për ditët e punuara për muajin”.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here