VIDEO/ Replika Blushi-Bushati për Kosovën: Bisedat me Pandin s’janë politikë e jashtme

0
283

Deputeti Ben Blushi ka folur ditën e sotme në Kuvend me tone të ashpra ndaj BE-së dhe qeverisë shqiptare për çështjen e ndezur në Veri të Kosovës.

Blushi ka kritikuar BE-në, duke i kërkuar të mbajë qëndrim për provokimet e serbëve në Veri të Kosovës.

Ai ka thënë se nëse Mitrovica i bashkohet Serbisë, atëherë Shqipëria do të bashkohet me Kosovën. Kjo, sipas Blushit është një veprim i imponuar.

Blushi gjithashtu shigjetoi Ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati, duke thënë se diplomacia shqiptare ka qenë me e dobët këto dy vjet.

“Kosova mund të jetë viktimë e një bote të lodhur pa konflikte. Të gjithë e dimë se janë të shumtë ata që mendojnë se në raste krizash, duhet një luftë për të hapur tregje të reja ekonomike. Për fat të keq, BE-ja nuk ka një qëndrim për Kosovën.

Prej kohësh BE nuk ka qëndrim për shumë çështje. Dalja e Britanisë nga unioni, zgjedhjet në SHBA dhe terrorizmi e kanë bërë më të dobët BE-në dhe kanë zbehur faktorin shqiptar në Ballkan”, tha Blushi.

Sipas tij, këto zhvillime kanë mbrehur Serbinë, e cila mendon sipas Blushit, se me afrimin e Ramës me Vuçiçin, Shqipëria është neutralizuar dhe nuk është më faktor në Kosovë.

Blushi thotë se nëse ndryshojnë kufijtë në Ballkan, atëherë Shqipërisë i lind e drejta e imponuar që të bashkohet me Kosovën.

“Ata mendojnë se e kanë zbutur Shqipërinë. Ajo tashmë nuk është më faktor për Kosovën. Shqipëria është faktori më i dobët, në Kosovë, që po i ndihmon serbët.

Unë kam propozuar një rezolutë. Nëse Kosova ndahet në Veri, pasoja duhet të ishte kjo: Bashkimi i Shqipërisë me Kosovën. Ky është i vetmi rezultat i arsyeshëm. Unë shpresoj që kjo, nuk ka për të qenë një fantashkencë.

Nëse ka ndryshime kufijsh në Ballkan, Shqipëria ka rolin e vet. Parlamenti i Shqipërisë duhet të marrë një rol më të madh.

Dhe sidomos në Kosovë. Presioni i këtij parlamenti, do t’i ndihmonte kosovarët, për t’i bindur, së nëse serbët e Veriut të Kosovës kanë mbrapa tyre Serbisë, shqiptarët e Kosovë s’kanë prapa tyre Shqipërinë”, tha Blushi.

Ai foli edhe për rolin e dobët të diplomacisë shqiptare, e cila sipas tij ka pasur një axhendë personale.

“Shqipëria nuk e mori dot statusin e vendit kandidat. Kjo e ka rënduar peshën e Shqipërisë në Ballkan. Ne jemi në NATO por simbolikisht, s’kemi asnjë votë.

Diplomacia jonë është pa plan,  pa koherencë dhe totalisht i e personalizuar. Është dekor personal i kryeministrit.

Në dy tri vitet e fundit çfarë kemi arritur ne? Diçka që s’na vlen. Kemi sheqerosur marrëdhëniet me Serbinë; kemi dobësuar marrëdhëniet me BE-në; kemi luajtur ruletë ruse me SHBA-të; kemi helmuar marrëdhëniet me Greqinë; kemi marrëdhënie kaotike me Maqedoninë.

Duke qenë e dobët, Shqipëria sot s’ka mundësi ta ndihmojë Kosovën. Investimi i Ramës në Beograd sot nuk vlen”, tha Blushi.

REAGON BUSHATI: TY TE INTERESON VETEM KOMUNIKIMI PUBLIK DHE SHOU

Teza populiste i ka quajtur ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, teksa i është përgjigjur akuzave të deputetit Ben Blushi.

Nga foltorja e Kuvendit, Bushati ka theksuar vendi dhe shqiptarët lidhur me politikën e jashtme janë më të rëndësishme se karriget e ministrave e deputetëve, apo interesat politike.

“Skenarët për kufij, luftëra, se cfarë duhet të thotë Shqipëria nuk janë të denja për këtë foltore, politika e jashtme është më e ftohtë, fjalën e fundit nuk mund ta themi kurrë të parën”- tha Bushati.

Ai theksoi se “ne kemi dështuar sistematikisht për të vënë rregullat e lojës dhe 30 vite pas komunizmit recitojmë këtu rezoluta të partive simotra tona që gjejnë hapësirë mediatike vetëm në Shqipëri dhe e kemi të vështirë të përcaktojmë rregullat edhe më minimale.

Politikën e jashtme po tentojnë ta përdorin në funksion të interesit të ditës, veprimet në emër të shtetit bëhen me status interesante, duke ardhur e duke bërë politikë në Kuvend apo duke zëvendësuar edhe funksionet kryesore që mund të ketë shteti e në politikë të jashtme ekzekutohen, nga ekzekutivi”.

Duke iu përgjigjur Blushit ai tha: “I dashur Ben fakt është që ka rekomandim të qartë si drita e diellit, që të kam ftuar ta lexosh, që u konfirmua plotësisht me deklaratën e presidencën e BE; diskutimi im me Berishën për procesit të paraekzaminimit të negociatave në vend po fillon këtë pranverë me kapitujt 23 e 24; Sa i takon Kosovës nuk është e vërtetë që Shqipëria s’ka reagim, ky reagim mund të vijë nga nivele të ndryshme të shtetit shqiptar, përsa i takon ekzekutivit si e ka edhe bota është MPJ si në rastin konkret”.

Në përgjigje të akuzës së Blushit për sheqerosje të marrëdhenieve me Serbinë ai tha: “po të thuhet që Rama sheqerosi marrëdhëniet me serbët në kurriz të Kosovës, është e pavërtetë, më e pakta që mund të them”.

Bushati përshendeti qëndrimin e ish-kryeministrit Sali Berisha për Maqedoninë. “Për sa i takon procesit që është ndërtuar bazuar në bindjen tonë të plotë që shqiptarët janë dhe do mbeten promotor të stabilitetit demokratik në rajon dhe promotor të proceseve të integrimit euroatlantik, e kemi mbështetur atë platformë për ardhmërinë euroatlantike të Maqedonisë. Në këto kohë të turbullta, kur fqinjët mund të tentojnë të ciftëzojnë teatralitetin me viktimizimin Shqipëria do të mbetet në kursin e saj”.

BLUSHI: ÇFARE BISEDON TI ME MAJKON NUK ESHTE POLITIKE E JASHTME

S’je ti ai që akuzoj unë, dihet kush e personalizoi politikën e jashtme. Ti vetëm i heq lustrën kur atë e zë pluhuri.

Unë them se Rama e ka personalizuar. Unë nuk them që e ke helmatisur ti. Ti je kujdesur, ndërsa i ka personalizuar Edi Rama.

Më ka thënë Sandri mos hyni në Elbasan, nëse vjen Sandri në Elbasan, s’ka rëndësi sa del rezultati i ndeshjes. Mjafton të vijë ai, thoshte Rama.  Ky është personalizim. Kush është qëndrimi ynë për krizën në Kosovë.

 Unë them që nuk ka asnjë qëndrim. Ky parlament ka detyrimin që të mos e lërë këtë vendin pa nje qendrim. Unë s’dua të grindem se kemi një problem jashtë dhe mjafton.

Se ç’a bisedon ti me Pandin dhe me Saliun nuk është diplomaci.

Nuk keni kurajo t’i thoni atij që e çoi në Kosovë, kthejeni trenin mbrapsht. Për një parti që keni në koalicion prishni marrëdhëniet me një shtet.

Për 5 deputetë u prishëm me një shtet. Unë e di Ditmir që ti mendon si unë dhe s’mund ta thuash.  Kryeministri jonë është në një moshë adoleshente, ka ende per te mësuar.

BUSHATI: BISEDAT ME SANDRIN (VUÇIÇ) NUK I DI DHE AS NUK DUA T’I DI

Bushati: Po i rezistoj tundimit për të bërë politikë për një çështje kaq të rëndësishme. Politika e Jashtme ndërtohet në nivele të ndryshme dhe juve ju shqetëson vetëm komunikimi publik. Unë bisedat me Sandrin dhe Sandrat nuk i di. Dhe s’kam punuar me to, as nuk i kam pas miq, as nuk dua t’i kem miq.

Unë flas në emrin tim dhe për funksionin që mbaj. Mund të them që Shqipëria dhe këtë mund t’ua dokumentoj, është vendi pararojë në procesin e Berlinit. Iniciativat janë materializuar më mirë se kudo tjetër në Shqipëri.

Unë do e kisha shumë kollaj t’ju them që për herë të parë Shqipëria ka dy të tilla në Tiranë. Ja që politika e Ramës nuk ka qenë sheqerosje me Serbinë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here