Buxheti 2016, në arkën e shtetit mungojnë 100 milionë euro

0
173

Në krahasim me buxhetin fillestar të fillimvitit, mosrealizimi është 14 miliardë lekë më pak, ndërkohë që mbajmë rekordin negativ për taksimin e pagave të larta

 

Të ardhurat buxhetore për gjithë vitin 2016 arritën 404.8 miliardë lekë, me një rritje prej nominale prej 6.8% në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sipas të dhënave paraprake të Ministrisë së Financave. Duke pasur parasysh se inflacioni mesatar vjetor ka qenë gati 2% dhe rritja e pritshme ekonomike mbi 3%, rezulton se zgjerimi real i të ardhurave për vitin e kaluar ishte më pak se 2%.

Dhjetori ka sjellë dhe një përkeqësim të ndjeshëm në raport me planin e rishikuar. Mosrealizimi për gjithë vitin 2016 ishte 9.6 miliardë lekë, nga 5.4 miliardë lekë që kishte qenë për 11 mujorin (kujtojmë se buxheti u rishikua njëherë me ulje plani në shtator me rreth 4.1 miliardë lekë, çka e çon mosrealizimin me planin e fillim vitit në rreth gati 14 miliardë lekë – Plani fillestar i buxhetit në fillim të vitit ishte 418 miliardë lekë). Ky mosrealizim për vitin ka ardhur 5.8 miliardë lekë nga të ardhurat tatimore dhe 3.3 miliardë lekë nga ato jo tatimore, ndërsa të hyrat nga pushteti vendor kanë një tejkalim prej 450 milionë lekësh. Vetëm në dhjetor mosrealizimi ishte 4.2 miliardë lekë, pothuajse sa për gjithë periudhën janar-nëntor, kryesisht si rrjedhojë e e performancës së dobët të akcizës (-1.1 miliardë lekë), TVSH-së (-840 milionë lekë), ndihmave (-1.1 miliardë lekë).

Për gjithë vitin 2016, të ardhurat tatimore ishin rreth 370 miliardë lekë, me një rritje prej 8.1% me bazë vjetore, por ishin 5.8 miliardë lekë më pak se plani.

Zëri që vijon të performojë më dobët është ai i TVSH-së, që ndonëse është zgjeruar me 4.5% në 132 miliardë lekë, mbetet 6.2 miliardë lekë më pak se plani.

Tatim fitimi ka qenë zëri me performancën më të mirë në buxhet në vitin 2016, duke u rritur me 17% në 29 miliardë lekë dhe duke sjellë 4.8 miliardë lekë më shumë se plani. Që prej tetorit, tatimet nuk marrin më pagesën prej 5 milionë dollarë nga Bankers Petroleum, pasi raporti auditues i palës së tretë mbi mosmarrëveshjen e taksave për vitin 2011 I ka dhënë të drejtë Bankers. Për më tepër kompania i ka paguar në total 37 milionë dollarë deri më 30 qershor 2016 zyrës së taksave si derdhje për tatimin fitimin e vlerësuar për vitin 2011, të cilën tatimet duhet ta kthejnë mbrapsht. Sipas burimeve nga bankers, kompania nuk ka marrë asnjë pagesë deri tani.

Një tjetër faktor që ka ndikuar në rritjen e tatim fitimit është performanca e operatorit shtetëror të shpërndarjes, që deri për 9 mujorin kishte paguar rreth 1.3 miliardë lekë tatim fitimi, sipas të dhënave nga kompania. Akciza dhe tatimi mbi të ardhurat personale kishin një mosrealim përkatësisht me 2.7 miliardë lekë dhe 781 lekë.

Pushteti vendor ka pasur ecuri më të mirë, duke rezultuar 450 milionë lekë më shumë se plani, ndërsa në total, zgjerimi i të ardhurave të këtij zëri ka qenë 28%, si rrjedhojë e pothuajse dyfshimit të të ardhurave nga taksa lokale, por edhe ajo e pasurisë është rritur me gati 20%. Pozitive ka qenë dhe ecuria e sigurimeve shoqërore e shëndetësore, me një rritje përkatësisht me 11 dhe 12% në përputhje me planin. Kanë qenë institucionet buxhetore ato që kanë “zhgënjyer” më shumë financat. Mosrealizimi i planit për vitin ishte 3.4 miliardë lekë, nga i cili 2.5 miliardë lekë ishin institucionet buxhetore.

 

Taksat

Rezultatet janë të habitshme, po të mendohet se shqiptarët janë më të taksuarit në rajon. Sipas të dhënave të tjera krahasuese, Shqipëria mban rekord në rajon për taksimin e individëve, sidomos atyre me paga të larta. Norma progresive prej 23%, për pagat mbi 130 mijë lekë (rreth 930 euro) është unike në gjithë rajonin, që i taton të ardhurat nga paga mesatarisht me 9-11%. Punonjësit shqiptarë me paga të larta, ndryshe nga ata të Kosovës e Maqedonisë, janë më të prirë të mos deklarojnë të ardhurat e tyre, duke preferuar të qëndrojnë të padeklaruar. Rezultati ka dalë në studimin “Punonjësit në hije, Ekonomia e Fshehur dhe Puna e Padeklaruar në Maqedoni, Shqipëri dhe Kosovë”, të realizuar nga CRPM në Maqedoni, Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) në Shqipëri dhe D4D në Kosovë. “Sistemi tatimor progresiv i implementuar në Shqipëri, pa masa pozitive për të nxitur punonjësit me paga të larta të deklarojnë punën dhe të paguajnë taksat e tyre, mendohet të rrisë nxitësit për aktivitete të fshehura ekonomike d.m.th evazion fiskal”, thuhet në studim. Të anketuarit në studimin e përbashkët janë pyetur nëse janë dakord me pohimin “Do të preferoja të isha një punonjës i padeklaruar me një pagë më të lartë sesa i deklaruar me një rrogë më të ulët”.

Përgjithësisht pritet që individët me të ardhura më të ulëta të kenë më shumë të ngjarë të ndajnë opinionin se ata do të preferonin të ishin punonjës të padeklaruar me një pagë më të lartë, sesa të deklaruar me një pagë më të ulët. Megjithatë për Shqipërinë rezulton se niveli i pranimit rritet për individët më të ardhura të larta (>728 euro) dhe më shumë prej tyre ka të ngjarë të bien dakord me këtë opinion sesa individët që i përkasin kategorisë së mëparshme të të ardhurave.

Të dhënat për Shqipërinë megjithatë tregojnë një histori të ndryshme nga Kosova dhe Maqedonia. Në përgjithësi ajo që konstatohet për Maqedoninë dhe Kosovën është se në rastin e mosrënies dakord me pohimin (Do të preferoja të isha një punonjës i padeklaruar me një pagë më të lartë sesa i deklaruar me një rrogë më të ulët) kurba ka tendencë rritëse me rritjen e nivelit të të ardhurave. Në Shqipëri, punonjësit shqiptarë që jetojnë në familje që fitojnë deri në 728 euro, pajtohen dhe nuk pajtohen me deklaratën, në përqindje relativisht të ngjashme me atë që mund të shihet në Maqedoni dhe Kosovë. Por, niveli i pranimit, bie nga 65% në 61% për punëmarrësit më të pasur, që kanë të ardhura më të mëdha se 728 euro. Pra në rastin e Shqipërisë, me rritjen e nivelit të të ardhurave ulet mospranimi me deklarimin e sipërpërmendur. Sipas studimit, mund të ketë shumë faktorë të ndërthurur, që janë përgjegjës për këtë mospërputhje, por njëri prej tyre mund të jetë i lidhur me faktin se që nga viti 2014 Shqipëria anuloi taksën e sheshtë 10% të tatimit mbi të ardhurat dhe zbatoi tatimin mbi të ardhurat progresive prej 13% për të ardhurat mes 220 dhe 950 euro, si dhe një tatim i të ardhurave prej 23% e të punësuarve me të ardhura më të mëdha se 950 euro. Tatimi progresiv i të ardhurave është një barrë shtesë e taksave, që mund të nxisë punonjësit me të ardhura më të larta, të kenë një qëndrim negativ ndaj formalizimit të bizneseve të cilat nga ana tjetër mund t’i bëjnë ata që të kërkojnë mënyra se si të shmangin e të mos deklarojnë aktivitetin e tyre ose masa të tjera për të shmangur pagimin e taksave, pavarësisht se i kanë mundësitë për ta bërë këtë.

 

“Rekordi”

Norma progresive prej 23%, për pagat mbi 130 mijë lekë (rreth 930 euro) është unike në gjithë rajonin, që i taton të ardhurat nga paga mesatarisht me 9-11%. Për krahasim, Mali i Zi, që paga të larta kategorizon ato mbi 720 euro neto, i taton me 11%, nga 9% që tatohen pagat nën këtë nivel.

Edhe Serbia, që i ka taksat mbi biznesin të larta dhe të krahasueshme me ne, të ardhurat nga punësimi dhe të ardhurat nga biznesi i taton me 10%. Serbia taton të ardhurat nga copyright dhe të ardhurat nga qiraja 20%; të ardhurat nga kapitali 15% duke përjashtuar nga taksimi shitjen e aseteve që ishin në pronësi të shitësit për më shumë se 10 vjet.

Në Maqedoni, tatimi mbi të ardhurat personale është i sheshtë prej 10%.

Në Mal të Zi, tatimi mbi të ardhurat është 9% dhe rritet në 11% për të ardhurat prej më shumë se 720 euro neto/muaj nga punësimi. Në këtë shtet, pagat për punonjësit Start up (përveç për sektorët e bujqësisë, peshkimit, transportit, ndërtimit të anijeve) janë subjekt i përjashtimit nga taksimi për 8 vjet, deri në një shumë totale prej 200,000 euro. Kosova ka tatimin mbi pagën më të ulëtin në rajon, progresiv nga zero në 10 (0%, 4%, 8%, 10%).

Në Bosnjë-Hercegovinë, tatimi mbi të ardhurat është fiks, 10%.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here