Flet aktori i ri/ Anderson Gurra: Në Akademinë e Arteve vështirë të gjendet edhe gozhda, garderobë e mykur

1
293

“Për aq kohë sa funksionojnë audicionet dhe ato janë reale nuk mendoj se do të ketë ndonjë vështirësi të madhe dhe do të ketë vend për këdo”

Në këtë intervistë për gazetën “Standard” vjen një aktor i ri që i është afruar kohëve të fundit skenës së teatrit. Bëhet fjalë për Anderson Gurra, i cili roli i tij i fundit në një shfaqje ka qenë roli i fëmijës së vogël të familjes Adams, në shfaqjen “Të çmendurit Adams”. Por përpara kësaj shfaqje ai ka interpretuar në shfaqjen e “Arturo Ui” si dhe “Hamleti”. Anderson Gurra në këtë intervistë rrëfen vështirësitë dhe hapësirat që ka një student akademie për t’u ngjitur në skenën e teatrit.

Intervistoi: Irini Meçe

Shfaqja e fundit që ju keni marr pjesë ka qenë “Të çmendurit Adams”. Mund të na tregoni më shumë rreth se si ka qenë për ju kjo si eksperiencë dhe të na tregoni më shumë rreth rolit tuaj?

Shfaqja “Të çmendurit Adams” ka qenë nën regjinë e Endri Çelës me të cilin kam punuar e më parë me të, ku ka qenë dhe regjisori im i parë dhe përkohësisht dhe i fundit. Kam patur rolin e të voglit të familjes Adams. Ishte vërtet një eksperiencë vërtetë e bukur. “Të çmendurit Adams” ka qenë një shfaqje në trajtën e një zhanri muzikal, ku përpos regjisë, aktrimit, interpretimit kishte dhe elementë të të kënduarit, si dhe baletin gjithashtu të përfshirë.

 Ju jeni një ndër aktorët e rinj që i jeni afruar kohët e fundit skenës së teatrit. Si ka qenë kontakti juaj i parë me teatrin?

Unë isha student asokohe. Ka qenë regjisori Endri Çela, i cili më kishte parë në një prej punëve që prezantojmë në akademi si student dhe më përzgjodhi për shfaqjen për fëmijë ku unë kisha rolin e Pinokut. Pra, për herë të parë në skenë jam ngjitur me rolin e Pinokut për një shfaqje për fëmijë. Asokohe punonim me teatrin shëtitës, e cila ishte një eksperiencë shumë e bukur, pasi udhëtonim çdo javë nëpër qytete, pra shkonim ne tek publiku. Nuk e kisha atë luks që të ngjitesha unë në skenë dhe të vinte publiku për mua dhe as e pretendoja si një aktor i ri. Por ishte e bukur ajo pjesa që duhet të shkonim ne atje, tek publiku që nuk kishte shfaqje, që nuk kishte një jetë aktive artistike, dhe kjo të bënte që ai të të mirëpriste shumë dhe të ishte shumë më i dashur me ty. Dhe kjo ishte çka i duhej një aktori të ri, si puna ime.

Ju me çfarë vështirësi jeni hasur dhe përballuar asokohe kur keni qenë student? A e keni patur të lehtë për t’u ngjitur në skenën e teatrit dhe për të qenë pjesë e një shfaqje?

Mendoj që ndonjëherë është edhe çështje fati. Unë nuk jam më i miri i brezit tim, mund të ketë të tjerë artistë shumë herë më të mirë se unë dhe që nuk iu është dhënë ende hapësira. Ndodhi që pata shfaqjen e parë me regjisorin Endri Çelën dhe më pas u bë një shfaqje e dytë, u bë një shfaqje e tretë, u pa puna ime në teatër, mu dha mundësia që të isha asistent regjisor tek “Arturo Ui” me regji të Kiço Londos. Më vonë kam bërë një audicion për shfaqjen “Hamleti” ku munda që të fitoja një rol atje, më pas prap një shfaqje nga Kiço Londo, ku isha dhe asistent regjisor dhe aktor në skenë, njëkohësisht drejtoja me një mikrofon, ku nisja dhe shfaqjen. Një eksperiencë që s’do ta harroja kurrë. Pra, për ta përmbledhur, unë deri më tani nuk kam hasur vështirësi si aktor sepse duke qenë pjesë e një teatri, rotacioni të bën gjithmonë të informuar për audicionet që zhvillohen, të jesh gjithmonë në syrin e një regjisori të ri që kanë parë disa nga punët e tua atje dhe je promovuar brenda këtij teatri. E vështirë është momenti kur unë vendos që do të shkëputem nga teatri. Mendoj që për aq kohë sa funksionojnë audicionet dhe ato janë reale nuk mendoj se do të ketë ndonjë vështirësi të madhe dhe do të ketë vend për këdo. Pastaj a ka treg, a janë të mjaftueshme teatrot, a kemi teatro që janë në funksion të publikut kjo është një tjetër çështje.

Ju përmendët tregun dha a janë të mjaftueshme teatrot. Për këtë çfarë mendimi keni?

Në Tiranë ka 3 teatro: Teatri Kombëtar, Teatri Eksperimental dhe Teatri i Metropolit. Është dhe Teatri i Kukullave që nuk e di nëse është i synuar nga aktorët e rinj dhe realisht më vjen shumë keq që shumë studentë që dalin nga Akademia e Arteve nuk e synojnë aspak dhe as nuk e mendojnë që ekziston dhe ai si teatër ose mund të shkojnë aty thjesht për të bërë atë detyrën dhe për të marrë një rrogë në fund. Për aq kohë sa do të funksionojnë audicionet, treg pune do të ketë.

 Na tregoni më shumë rreth “etheve” që keni patur kur jeni ngjitur për herë të parë në skenë, emocionet?

“Ethet” dhe emocionet janë si për çdo shfaqje dhe nuk është se janë vetëm për shfaqjen e parë.

Sa hapësira ka një artist i ri dhe një student aktrimi apo regjisure për t’u futur në tregun e punës si aktor dhe për t’u ngjitur në skenë? Pra sa promovohen studentët në Akademi?

Unë mendoj që janë shumë të pakta. Është dhe problemi i akademisë sepse atje vështirë është që të të mundësohet dhe gozhda,për të realizuar atë skenografi, mendo për të tjerat pastaj. Atje ka një garderobë të mykur prej vitesh dhe nuk është faji i garderobieres në fakt, përkundrazi i mban deri në detaje dhe kujdeset shumë për ato kostume, por prap është në atë gjendje. Nuk po them se një punë studenti që janë eksperienca të mbyllura për studentin që i japin sigurinë, i japin atë pak eksperiencë që mund të të jap shkolla, do të ishte një punë e mirë apo një shfaqje e mirë nëse do t’i sigurohej një kostumografi. Por për aktorin është sigurisht puna me veten apo puna me pedagogun për të dhënë rezultat. Por mendoj, sigurisht, që mungojnë shumë gjëra dhe duhet ta them që duhet një frymë tjetër pedagogjie. E them këtë sepse unë pata fatin të punoj me një regjisor që jetonte dhe kishte studiuar në shkollën e Teatrit Kombëtar grek, punuar aty prej vitesh aty dhe shikohej që formimi i tij ishte shumë herë më ndryshe dhe sidomos e vinim re mënyrën se si ai punonte me ne dhe kjo besoj se vinte që shkolla e tyre që është shumë herë më e mirë se e jona.

  Por sipas jush si e shihni dhe si paraqitet tek ju gjendja e teatrit, kushtet në të cilat është i detyruar të punojë një aktor?

Shohim që vitet e fundit, synohet për të bërë diçka më shumë. Dhe fillohet gjithmonë nga muret, fillohet i shtohet një kondicioner aktorit,i bëhet një dhomë akoma më e këndshme dhe në fund harrojnë se çfarë kërkojnë nga ky aktor. Ja ia bëre tualetin, dhomën super luksoze, i dhe një sallë më të ngrohtë apo ndërton një teatër të ri, ti i ke dhënë atij thjesht një godinë. Por publiku çfarë merr në fund? Nuk dua të them që jam kundër që kjo gjë s’duhet bërë, përkundrazi kushtet duhet të ekzistojnë , sepse kemi shtetet fqinje që kanë teatrot shumë herë më moderne se sa i yni, por unë mendoj që kur flasim për teatër, flasim për shfaqje, nuk flasim për godina,por rëndësi në fund ka rezultati i një aktori, shfaqja.

Si ka qenë marrëdhënia me aktorët dhe regjisorët, sepse siç e thatë edhe ju vet, keni bashkëpunuar me aktorë të mëdhenj të skenës shqiptare. A ka qenë ata të sjellshëm, mbështetës me ju apo dhe me aktorët e tjerë të rinj?

Marrëdhëniet personale varen nga gjithsecili. Nesë me lejon do të ndaj eksperiencën me Luiza Xhuvanin, e cila luajti rolin e Hamletit, ndryshe, për ta pasqyruar më së miri këtë. Pavërësisht se Luiza Xhuvani vinte nga shumë vite eksperiencë në teatër, ju bind një regjisori të ri 30 vjeç. Pra më shumë vite karrierë ka Luiza Xhuvani se sa vite jetë regjisori. Dhe nëse ajo do të vendoste, apo të bënte ato kapriçot aktoriale siç mund të bëjnë shumë të tjerë, sigurisht që puna nuk do të ishte e tillë. Abosolutisht, aty mësova kulturën e vërtetë të punës. Ajo vinte barabartë me ne, që mosha mesatare e jona ishte 23-24 vjeç dhe bënte ushtrimet e trupit sikurse nuk bëhen më në teatër dhe ky është fakt. Bënte të gjitha ushtrimet për të dhënë maksimumin nga vetja për shfaqjen, për të mos pretenduar që rolin e kam unë, roli është i imi dhe roli do të vijë tek unë. Jo! Ajo punoi me ne, punoi me një regjisor të ri, iu bind atij, ta dëgjonte deri në fund dhe të zbatonte ato që i thoshte ai dhe rezultati u dha në fund. Fakti që ajo bindej dhe u bë njësh me ne, do të thotë shumë.

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

1 COMMENT

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here