RAMA QË TË PUTH E RAMA QË TË KAFSHON/ Koalicion strategjik apo fodullëk për karrigen kryeministrore

0
623

Pas fjalimit të Ramës

Pak “puthje” , shumë “kafshime”: Koalicion strategjik apo fodullëk për karrigen kryeministrore

Fjalimi i mbajtur dje nga kryeministri Rama në Asamblenë e Partisë Socialiste, krahas tejzgjatjes që është kthyer në normë nga numri një i qeverisë, pati brenda tij një sërë mesazhesh të nënkuptuara. Nuk munguan në më shumë se 1 orë e gjysmë mesazhet për kundërshtarët politikë, gjyqtarët, bosët e krimit, “pornografinë” në Parlament apo edhe për anëtarët e PS-së. Por aty ku kryeministri u ndal në mënyrë specifike për të përcjellë disa mesazhe të drejtpërdrejtë dhe njëkohësisht të koduara, ishte pjesa e fjalimit që lidhej me qëndrimin për vazhdimësinë e aleancës me Lëvizjen Socialiste për Integrim. Ajo që u vu re në këtë pikë ishte fakti se nga njëra anë kryesocialisti ftoi aleatin Meta për të qenë sërish së bashku në zgjedhjet e 2017ës dhe nga ana tjetër vuri theksin tek disa të “meta” që sipas tij i ka sjellë ky bashkëpunim PS-së. Në këtë kontekst, duke kërkuar indirekt sërish postin e kryeministrit, Rama theksoi se pavarësisht se pala që ai përfaqëson nuk është më e mira, sërish ajo mbetet më e mira në qarkullim. Fjalimi i i kryeministrit lidhur me aleatin bashkëqeverisës i ngasonte pas asnjë dyshim dy anëve të kundërta të një medaljeje: Një Ramë që të puth dhe një tjetër Ramë që të kafshon. Përmes arrogances së theksuar në fjalim, kryeministri argumentoi dje se e vetmja zgjidhje për vendin dhe reformat ishte  PS-ja dhe bashkëpunëtorët e saj, aktualët dhe ato në të ardhmen. Por pyetja retorike që ngrihet vetvetiu në këtë pikë është: Pse kur ke kaq siguri për fitore në të ardhmen, shkon thuajse deri në lutje për bashkëpunim me aleatin aktual LSI?!

Fjalimi i “zbërthyer” i kryeministrit

Në Asamblenë e Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama u shpreh i bindur se koalicioni me LSI-në do të vazhdojë edhe pas problemeve të mundshme të shfaqura kohët e fundit. Megjithatë fillimisht kreu i qeverisë u rrek të theksonte se koalicioni mes dy forcave kryesore të majta mund të mos jetë i dëshiruar, por sipas tij ai është një koalicion strategjik që i ka mundësuar vendit shumë reforma. “Ne do të fitojmë në zgjedhjet e ardhshme, më shumë seç fituam në zgjedhjet e shkuara. E patjetër që qëllimi ynë strategjik – jo dëshira, kjo nuk është çështje dëshirash, – është të jemi bashkë në koalicion me LSI”, theksoi ai.

Në këtë kontekst, Rama nuk nguroi të përmendte edhe kritikat apo akuzat underground që qëndrojnë sipas tij mes dy partive, duke theksuar se bashkëpunimi mes palëve është vetëm strategjik. Në këtë mes, duke përcjellë ato që i quajti zëra të brendshëm në parti, Rama u duk se përmes tyre shprehu në public qëndrimet e tij. “Më lejoni t’jua them juve dhe të gjithë atyre që na dëgjojnë. Shumëkush është i tunduar të thotë të ikim vetëm. Shumëkush thotë se ata të LSI-së bëjnë kështu dhe ashtu, ata na morën më qafë, ata na nxorën bojën, ata na nxorën kallajin, ata na nxorën suvanë. Dëgjoni miqtë e mi! Kjo është strategjike. Kjo nuk ka lidhje me sjelljet e caktuara të njerëzve të tyre apo të njerëzve tanë. Ne duhet ta shohim këtë në planin strategjik. Çfarë ka fituar Shqipëria nga ky koalicion?”- tha Rama. Në këtë logjikë, rezulton se ftesa e kryeministrit për aleatin LSI dhe bashkëpunëtorët e tjerë të mundshëm duket si një strategji për mbajtjen e pushtetit edhe për 4 vite të tjera, duke u kujdesur në veçanti për të siguruar karrigen kryeministrore për PS-në. Pra sipas kryeministrit ,ky koalicion dhe ai i ardhshmi nuk ka në bazë të tij interesat vendore, ato për një të ardhme më të mirë të vendit, por veçse  strategjinë. Kjo e fundit , tha Rama, është baza e lidhjes mes koalicionit.

Ndërkohë duke ju ritkhyer edhe një herë frazës së tij “epike” sipas së cilës, “nuk janë njerëzit që korruptojnë sistemin, porse është sistemi që korrupton njerëzit”, kryeministri tha se të gjithë reformat nuk do ishin bërë pa këtë koalicion. Dhe këtu Rama u kthye sërish në anën e parë të medaljes, duke vlerësuar aleatin LSI. “Nëse ne duam ta spostojmë Shqipërinë në një epokë tjetër, ne duhet të modernizojmë sistemet. Ne duhet ta bëjmë kontaktin e njeriut me djallin e korrupsionit të pamundur. Se është një djall që tundon. Ama, gjithë këto reforma nuk do ishin bërë, nëse ne nuk do kishim këtë koalicion. Sot, Shqipëria nuk do ishte një vend më me shpresë, me më shumë më tepër shpresë se do bëhet shtet, nëse ne nuk do kishim këtë koalicion”, pohoi ai. Përmes këtij qëndrimi, Rama nuk nguroi t’i japë pjesën e vlerësimit që i takon LSI-së, duke paraqitur idenë se një mandate tjetër me këto dy forca në krye të koalicionit do sillte më shumë rezultate të tilla.

Megjithatë Rama nënvizoi se pavarësisht bashkëpunimit, të dy forcat, pra si PS ashtu edhe LSI do jenë konkurente mes tyre në zgjedhjet e 2017-ës. Për ta konkretizuar këtë konkurencë të brendshme, Rama zgjodhi derbin mes Partizanit dhe Dinamos. “Dhe kjo nuk është një çështje Dinamo me Partizanin. Sigurisht midis nesh, ne jemi partnerë, jemi dhe konkurrentë. Ne duam ta fitojmë kampionatin, nuk duam ta fitojë LSI-ja, sigurisht, por është një konkurrencë e shëndetshme në kuadrin e një partneriteti strategjik”, pohoi ai. Dhe duket se kjo përzgjedhje e përballjes së derbyt nuk ishte aspak e rastësishme, pasi edhe një herë Rama ju khtye anës tjetër të medaljes, asaj “kafshuese”, duke treguar se PS e LSI janë shumë larg mes tyre sa i takon forcës në elektorat. Në këtë pikë, Rama zgjodhi që të vendosë shenjën e konkurencës mes LSI e PS sic është ajo mes Partizanit që ka një vend kryesues në superligë dhe Dinamos që militon në ligën e dytë. Shumë mirë kreu i qeverisë si aktualizim të konkurencës së brendshme mund të kishte zgjedhur përballjen Tirana-Partizani. Por duke folur për një derby Partizani-Dinamo,  ai u rrek të nënvizonte se dallimi në vota sipas tij mes PS e LSI është shumë herë  më i madh se ai mes të “kuqve” dhe Tiranës.

Më tej në të njejtën linjë, Rama nuk nguroi të vinte në peshore dy partitë, duke e cilësuar njërën si të madhe dhe tjetrën si të vogël. E në fakt këtu kryeministri do të duhej të sqaronte patjetër para anëtarësisë një fakt që është përfolur shpesh në korridoret partiake, si në qendër ashtu edhe në bazë. Duke u munguar të arysetohej para militantëve se pse prej tre muajsh PS thuajse po i lutet LSI për të vazhduar bashkëpunimin, Rama përdori “armën” që në të tilla raste kënaq pa masë anëtarësinë: partia e madhe ( PS) dhe partia e vogël ( LSI).  “Do pyesni, pse nuk e thonë ata? Normalisht, i madhi i bie të thotë çfarëdo, të voglit i takon të mendohet, por unë jam besimplotë se ne do të shkojmë sëbashku. Pavarësisht të gjithave dua që të gjithë ta kuptojnë se kjo është një aleancë strategjike për të ardhmen, nuk është një aleancë taktike për pushtetin tonë”, theksoi kryeministri.

Ndërkaq Rama shprehu siguri se krahu që ai përfaqëson është më i miri në të gjithë klasën politike shqiptare. Sipas kryeministrit, me të gjitha të metat e pamohueshme që ka e majta, sërish mbetet kahu politik që sjell ndryshimet e mira në vend.  “Nuk është ende sot e majta e gjeneratës tjetër, por nuk diskutohet se nëse nuk jemi më të mirët, më të mirë nuk shohim gjëkundi dhe nuk jemi e keqja më e vogël, jemi një forcë për mirë, pavarësisht të gjitha të këqijave dhe të metave që kemi”- pohoi ai.

Por kur në fjalim rriten tonet vlerësuese për të majtën në tërësi dhe bashkëpunuesit, Rama rikthehet shpejt në anën e preferuar të medaljes: atë “kafshuese”. Sipas kryesocialistit, PS mund të fitojë edhe e vetme në zgjedhjet e 18 qershorit 2017!! ( atëherë pse dreqin po shkon deri në lutje). Dhe fill pasi “kërcënon”, kryeministri i kthehet sërish për të disatën herë anës së medaljes së “ftesës”, ku thekson se një fitore me shumë aleatë siguron reformat e thella. “Koalicionin duam ta zgjerojmë, sepse duam të vazhdojmë këtë rrugë reformash. Nëse do të donim një qeverisje për 4 vjet, në kuptimin  jo vetëm fizik të katër viteve, por në kuptimin edhe të horizontit të ambicieve tona, do të ishim të vetëmjaftueshëm. Mund të dalim vetëm, mund të fitojmë vetëm, por është një qeverisje pa frymëmarrje afatgjatë, sepse reformat duan forcë përfaqësuese. E nëse për të majtën e bashkuar, kjo është strategjike, për qendrën e majtë që ne jemi, zgjerimi me aleatë të tjerë është patjetër një element i domosdoshëm, për aq kohë sa garanton reformat. Jo zgjerim për të zgjeruar pjesëmarrjen në gosti, por zgjerim për të fuqizuar energjinë përfaqësuese në funksion të reformave”, theksoi Rama.

Padyshim që me fjalimin e djeshëm në Asamblenë e PS-së, Rama arriti të përcjellë ato mesazhe që donte, duke mos fshehur dot arrogancën dhe fodullëkun e një kryeministri që është i dashuruar me karrigen e tij. Kujtojmë se kur e nisi detyrën e kreut të qeverisë, Rama tha se nuk e kishte dëshirë të tijën të ishte aty për shumë kohë, pasi sipas tij reformat që po ndërmerreshin nga qeveria e majtë nuk  kishin si synim qëndror një mandate të dytë.  Por me kalimin e kohëve dhe krijimin e një lidhjeje të re me karrigen kryeministrore, Rama ka përfituar ato karakteristika për të cilat fliste me neveri kur ishte në opozitë. Në këto vite është vënë re një sjellje arrogante e kryeministrit ndaj opozitës, medias dhe kujtdo që ka shkuar në kundërshtim apo kritikë me vendimmarrjen e tij apo të qeverisjes së majtë. Dhe përkundrejt arrogancës, tek kryeministri është vënë re një tendencë në rritje e fenomenit të “fodullëkut”, pra të besimit se çdo gjë që thuhet prej tij është e drejtë dhe e vërtetë dhe se çdo që thuhet nga të tjerët, qoftë edhe bashkëpunëtorët në qeveri e koalicion, është e padrejtë nëse vjen në kundërshtim me qëndrimin e kryeministrit.  Dhe ky nivel i arrogancës e fodullëkut u shfaq edhe dje në fjalimin e tij përkundrejt aleatit bashkëqeverisës, veçse “kompozimi” ishte i “sheqerosur” me disa vlerësime periferike. Këto të fundit do nevojiten dhe do përdoren nga kryeministri ( me ose pa dëshirë) derisa LSI të japë përgjigjen e pozicionimit të saj, e cila me shumë mundësi do vijë në dy muajt e parë të 2017-ës. Dhe deri atëherë, Rama do të vazhdojë të theksojë se koalicioni që ai drejton e ka të sigurt fitoren në 2017-ën dhe se PS mund të fitojë edhe  e vetme ( por se i duhen aleatët për të siguruar reforma të mëdha).

“Sërish fajin e ka Saliu”

Rama flet për “pornografi parlament”: Flasin zuzarët dhe tellalet e të shkuarës

“Mjerë ata që ndjekin parlamentin, është pornografia më ekstreme për ata nën 18 vjeç, duhet transmetuar me pull të kuqe”. Kështu deklaroi dje kryeministri Rama, duke i vënë damkën e një kriminalizimi të përditshëm fjalëve të përdorura në seancën parlamentare çdo të enjte ( ndonëse asnjëherë në tre vite Rama nuk pranoi fenomenimin e kriminalizimit të politikës). Duke i quajtur zuzarë ata që akuzojnë qeverinë, kryeministri ju rikthye edhe një herë fgrazës së tij të kthyer  në klidhe tashmë: “Fajin e ka Saliu”. “Mblidhen gjithë zuzarët dhe tellalet e të shkuarës dhe kërkojnë ti thonë popullit se mjafton të shpëtojmë nga kjo qeveri dhe shpëtuam Shqipërinë. Keni dëgjuar ndonjë ide, përveçse sharje akuza, fyerje, imoralitet gjuhësor i skajshëm, tragjedi eduktaive. Mjerë ata që ndjekin parlamentin, është pornografia më ekstreme për ata nën 18 vjeç, duhet transmetuar me pull të kuqe, një turp i pashoq, një kriminalizim i përditshë. Problemi është tek kriminalizmi shoqëror, tek futja deri në skutën më të errët të atyre që ndjeklin një helm me pasoja katastrofike. Kthimi i gënjeshtrës në argument, kthimi i baltës në vizion, ky është kriminalizimi ekstrem. Të keqen e dekriminalizimit për këtë maskardaë që zhvillohet përditë. Kjo e keqe ka një emër, dhe emrin e ka Sali Berisha, bashkë me çetën e tij. Një fuqi që kontaminon mjedisin dhe që nuk lë të dallohet e vërteta nga gënjeshtra, programin nga balta, e megjithatë ne nuk i zgjedhim kundërshtarët, ata janë të zgjedhur”, pohoi Rama.

Në fakt që prej fillimit të mandatit e deri më tani kryeministri nuk ka shprehur asnjëherë simpati për ditën e seancës parlamentare. Kritikat, kundërshtitë dhe akuzat e opozitës, Rama i ka cilësuar si një maskaradë e ndërsa fyerjet e ndodhura mes parlamentarëve si një “film pornografik” (edhe pse shpeshherë ai është subjekt i  sharjeve ndaj kolegëve opozitarë). Por megjithëse shpreh këtë neveri për të enjten parlamentare, Rama është ndër personazhet kryesore  në këto tre vite që ka qenë i përfshirë në batuta, replika, akuza e fyerje. Po ashtu nga kryeministri nuk kanë munguar në Parlament fjalimet e stërgjatura dhe sidomos ironizimi e fyerja ndaj personazhave të caktuar të opozitës. Pavarësisht këtij angazhimi gjysmë serioz-gjymsë tallës, kryeministri e cilëson të enjten parlamentare si një maskaradë( në fakt duhet të jetë dita më e rëndësishme pasi shumica e opozita përballen lidhur me zhvillimet e javës në vend e më gjerë). Ndërkohë opozita ka një tjetër variant lidhur me këtë antipasti të kryeministrit për seancën parlamentare. Sipas demokratëve kundërshti e Ramës ndaj seancës së të enjtes vjen për shkak se kryeministri nuk do përballjen publike lidhur me problematikat që po kalon vendi.

Berisha: Ramës i është futur Saliu në tërë qënien e tij, komplek i pashërueshëm

Ish-kryeministri Berisha reagoi dje ndaj deklaratave të pasardhësit të tij lidhur me vlerësimet negative për të enjten parlamentare. Sipas Berishës, kryeministri ka kompleks të pashërueshëm “ Saliun”.  “Dje ( dy ditë më parë) ne parlament, tek shpifte Saje qorri propozova nje nen ne rregullore qe, kur te marrin fjalen deputete te denuar nga gjykatat me vendim te formes se prere per shpifje, si puna e Saje qorrit apo gjobvenes Balles, parlamenti te vendosi diku nje pulle te zeze qe njerezit ta dine se jane te denuar si shpifes te ndyre. Sot, njeri te cilit i eshte futur Saliu ne tere qenien e tij, ne formen e nje kompleksi te pasherueshem, propozon te njejten gje; kerkon jo pulle te zeze por pulle te kuqe. Miq, ky ka marre fund, eshtr i pashprese!”, shkruante Berisha në rrjetin social.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here