Prapaskenat/ Pse u shty afati për ligjin e lojërave të fatit, kush loboi në qeveri dhe Parlament

0
206

Ndryshon sërish buxheti 2016, një ditë pas miratimit të atij të 2017-ës…

Ervin Kaduku

Një ditë pasi Kuvendi i Shqipërisë miratoi buxhetin e shtetit për vitin 2017, qeveria Rama përgatit ndryshimin e buxhetit aktual, për të cilin Kuvendi është shprehur një vit para. Dhe për këtë ndryshim, ashtu si edhe në vitet e mëparshme, është përdorur një Akt Normativ, që nuk është ligj në vetvete, por ka fuqi ligjore përderisa ta konfirmojë një gjë të tillë edhe Kuvendi. Në fakt, ky është ndryshimi i dytë i Buxhetit 2016, pasi një ndryshim fillestar, sërish nëpërmjet Aktit Normativ, është kryer edhe në korrik. Por, rekordin në këtë fushë kjo qeveri e ka shënuar më 2015, kur ka nxjerrë tre akte të tilla, çka flet për një kakofoni administrative të pashoqe…

Njoftimin për herë të parë lidhur me këtë e dha sekretarja e përgjithshme e Ministrisë së Financave, Gelardina Prodani, në një emision televiziv. Sipas saj, rishikimi i buxhetit është vetëm rialokim fondesh, pra nuk ka ulje të treguesve të tij. Në muajin korrik qeveria bëri ndryshimin e parë të buxhetit. Sipas treguesve fiskalë të këtij Akti, u ul plani i të ardhurave me -1.1%, ose me një reduktim me vlerë në 4.4 miliardë lekë, ndërsa shpenzimet buxhetore janë shkurtuar me 3.1 miliardë lekë ose 0.7%.

Ndërkohë, sipas të dhënave paraprake nga dikasteri në fjalë, treguesit kryesorë të buxhetit si niveli i të ardhurave, ai i shpenzimeve dhe defiçiti buxhetor, nuk ndryshojnë me Aktin e dytë Normativ.

Sipas zërave nga Financat, buxheti do të paguajë 4 miliardë lekë ose rreth 30 milionë euro për të shpëblyer me 6 mijë lekë çdo pensionist, si dhe me 2 mijë lekë çdo person me aftësi të kufizuar, apo familje në ndihmë ekonomike.  Shpërblimet nuk financohen me borxh, por sipas qeverisë, paratë sigurohen nga kursimet në fondin e pagave dhe disa zëra të tjerë të shpenzimeve.

Ndryshimi i dytë më i rëndësishëm ka të bëjë me shlyerjen e 3.6 miliardë lekëve borxhe të prapambetura ndaj privatëve në sektorin e ujësjellësit dhe atë të infrastrukturës rrugore. Kjo është rishpërndarje fondesh, pasi këto para merren nga investimet, të cilat kanë patur një ecuri të ngadaltë realizimi.

Veç shlyerjes së borxheve të prapambetura, qeveria i jep 3.3 miliardë lekë ose 25 milionë euro shtesë pushtetit vendor përmes fondit të zhvillimit të rajoneve. Edhe ky ndryshim është rishpëndarje fondesh. Paratë, të cilat do të financojnë ndërtimin e rrugëve rurale apo shkollave të reja, janë siguruar nga kursimet në transfertën e energjisë, si dhe nga ndihma ekonomike.

Drejtoria e Emergjencave Civile përfiton ndërkohë një shtesë prej 450 milionë lekësh për shlyerjen e dëmshpërblimeve nga fatkeqësitë dhe përmbytjet, të akumuluara gjatë periudhës 2013-2016, ndërsa 142 milionë lekë të tjera shkojnë për detyrimet e mirëmbajtjes së rrugëve.

Financat, OK me propozimin e deputetëve për shtyrje afati në ligjin e lojrave të fatit

Edhe pse ka patur shumë debate dhe polemika nëse nisma për të shtyrë ligjin i cili mbyll shumicën e kazinove dhe basteve sportive është nisëm e një grupi të izoluar brenda deputetëve të mazhorancës apo vetë qeverisë, duket se parlamenti do të shtyjë hyrjen në fuqi të tij.

Ministria e Financave i ka nisur një letër Komisionit të Ekonomisë si përgjigje për kërkesën e 6 deputetëve për të shtyrë hyrjen në fuqi të ligjit edhe me dy vite. Në parim, Financat janë dakord me deputetët. Ministria po ashtu legjitimon kërkesën e tyre se nuk janë publikuar ende aktet normative që të bëjnë të zbatueshëm ligjin. Ditën e hënë në orën 16.00 është vendosur që të zhvillohet mbledhja e komisionit përgjegjës, atij të ekonomisë, ku i ftuar do të jetë ministri i Financave Arben Ahmetaj. Rendi i ditës ka pikërisht ligjin e lojrave të fatit. Burimet pranë Monitor thonë se shtyrja e ligjit tashmë është një çështje e vendosur dhe nuk pritet të ketë debate të shumta.

Diskutimet e forta do të jenë për një tjetër kërkesë. Mes rreshtave të kërkesës së tyre, 5 deputetët  Ervin Bushati, Ervin Koçi, Blerina Gjylameti, Luan Duzha dhe Ylli Shehu, kërkojnë që ligji për lojrat e fatit të hyjë në fuqi pas dy vitesh. Ata kërkojnë shfuqizimin e pikës 1 të nenit 71 të ligjit dhe ndryshimit të pikës 2 dhe 3 të këtij neni me fjalët deri në 31 dhjetor 2018.  Nëse sheh se çfarë përmbajnë aktet jurdike të ligjit që lidhen me këto nene, do të kuptohej fare qartë që deputetët kërkojnë që dy kontratat që Ministria e Financave ka lidhur me Regency Casino dhe Lotarinë Kombëtare, të mos jenë pjesë e përjashtimit të këtij ligji. Ata kërkojnë shtyrjen me dy vite të tjera të tij, dhe në momentin që do të hyjë në fuqi, të gjithë subjektet e ligjit të zhvendosen në resorte brenda zonave turistike. Ministria e Financave nuk është dakord me këtë kërkesë, ajo pranon që ligji për lojrat e fatit të shtyhet, por të mos preket pjesa që ka lidhje me Regency Casino dhe Llotarinë Kombëtare. Regency Casino i përfundon kontrata në vitin 2020, ndërsa Llotarisë Kombëtare në 2023. Ndryshe nga këta 5 deputetë, ai që është në një linjë më të afërt me atë të qeverisë, është kërkesa e Tahir Muhedinit të PDIU-së. Ai kërkon  shtyrjen me tre vite 1 më shumë se deputetët e tjerë, vetëm për pjesën e kazinove dhe basteve sportive, pa prekur marrëveshjet me dy objektet që janë përjashtuar. “Në nenin 71, në pikat 2 dhe 3, fjalët “31 dhjetor 2016” të zëvendësohen me fjalët “31 dhjetor 2019”, thotë në kërkesën e tij Muhedini.

Ky ka qënë një nga projektligjet më të lobuara dhe që disa herë rresht është lënë pa u votuar. Pas votimit kërkesa të shumta janë depozituar për të bërë të pamundur zbatimin e tij. Ligji duhet të kishte hyrë në fuqi në 31 janar të këtij viti, por është shtyrë.  Në letrën dërguar komisionit të ekonomisë, ministria e financave, e cila akuzohet nga deputetët se nuk ka bërë gati udhëzimet dhe vendimet e ligjit për ta bërë të zbatueshëm, shprehet se shuma prej 125 milion dollarësh që do t’i mungojë buxhetit nga taksat që derdh kjo kategori biznesesh është një peshë e madhe për arkën e shtetit. Ndërsa opozita deri tani nuk është shprehur për këtë çështje.

Pavarësisht se hyrja në fuqi e ligjit nuk ka ndodhur, përballë një aksioni të madh që nisi qeveria e sapoardhur e kabinetit Rama, ai duket se nuk do të hyjë në fuqi ndonjeherë. Aktet nënligjore kishin afatin e fundit për tu përfunduar në muajin mars. Askush nuk mban përgjegjësi sot se përse ky afat u shkel. Pa aktet nënligjore ligji është i pazbatueshëm për pjesën e ndërtimit të kazinove në resorte, pasi nuk është e përcaktuar infrastuktura e tyre, dhe po ashtu nuk bëhet ndarja si duhet e pikave të basteve në largësi ajrore 100 metra nga njëra – tjetra, objektet fetare, bankat dhe shkollat. Në 4 pika bastesh sportive që janë në të njëjtën zonë, nuk përcaktohet se cila prej tyre do të ketë përparësi që të qëndrojë. Ligji i ri për disiplinimin e kësaj kategorie të lojrave të fatit, jo vetëm që nuk hyri në fuqi, por nuk u zbatua as fryma e tij. Aty përcaktohej qartë që deri në implementimin përfundimtar Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojrave të Fatit nuk duhet të liçensonte asnjë kazino apo pikë basti të re. Por vitet e fundit numri i tyre është shtuar, duke punuar kundër logjikës së ligjit të ri që synonte të mbyllte përfundimisht kazinotë dhe më shumë se gjysmën e pikave të llotos.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here