Risitë që sjell ligji për personat me aftësi të kufizuara dhe familjet e tyre

0
222

Duke marrë shkas nga fillimi i diskutimeve në komisionet parlamentare të ligjit kuadër për personat me aftësi të kufizuara, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë e ndjen të nevojshme që të sqarojë opinionin publik, por në veçanti të gjithë personat me aftësi të kufizuara dhe familjarët e tyre, në lidhje me risitë që sjell ky ligj në fushën e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara.

Së pari, ky ligj është një domosdoshmëri për të krijuar kushtet e nevojshme për respektimin e barabartë të të drejtave të të gjithë grupimeve të personave me aftësi të kufizuara, duke përafruar legjislacionin shqiptar me Konventën e OKB-së për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara.

Projektligji:

1. Ruan të paprekura të gjitha të drejtat e arritura deri më tani për personat me aftësi të kufizuara.

2. Jep një përkufizim bazë dhe unik të personit me aftësi të kufizuara, që do të përdoret në gjithë legjislacionin shqiptar, kur preken çështjet e aftësisë së kufizuar duke eleminuar pabarazitë në trajtimin e personave me aftësi të kufizuar deri më sot.

3. Orienton ndryshime të nevojshme në të gjithë legjislacionin shqiptar, me qëllim përafrimin e legjislacionit të brendshëm me Konventën për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara.

4. Përcakton konfigurimin shumë-disiplinor të komisioneve të vlerësimit të aftësisë së kufizuar, bazuar në Klasifikimin Ndërkombëtar për Funksionimin, Aftësitë e Kufizuara dhe Shëndetin (ICF), si standard të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

5. Ngre Këshillin Kombëtar për të diskutuar hapur mbrojtjen dhe të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, ku do të jenë anëtarë edhe 5 persona me aftësi të kufizuara/përfaqësues organizatash, si strukturë e ngjashme në legjislacionet e tjera si ligji “Për mbrojtjen e fëmijëve” dhe ligji “Për barazinë gjinore”. Kriteret e përfaqësimit në këtë Këshill do të përcaktohen me akt nënligjor.

Ligji synon të eleminojë gradualisht diferencat aktuale në trajtimin e grupeve të ndryshme të personave me aftësi të kufizuara, si për shembull personat me aftësi të kufizuara mendore, personat me probleme dëgjimi, etj.

Në vitin 2009, Qeveria Shqiptare e firmosi dhe në vitin 2012 Parlamenti Shqiptar e ratifikoi Konventën e OKB-së për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, si dokumenti i parë ku të drejtat e personave me aftësi të kufizuara trajtohen nën këndvështrimin e të drejtave të njeriut. Me pranimin e kësaj Konvente, shtetit shqiptar i lindi detyrimi i respektimit të barabartë të të drejtave të gjithë grupimeve të personave me aftësi të kufizuara, duke përqasur legjislacionin shqiptar me linjat e Konventës.

Projektligji u hartua me ndihmën teknike të ofruar nga UNDP dhe ka përfituar nga ekspertiza ligjore e njërës prej anëtareve të grupit të punës të OKB-së, e cila ka punuar edhe për hartimin e Konventës. Procesi i hartimit u bazua në bashkëpunimin me aktorë të ndryshëm, përfaqësues të institucioneve në nivel qendror dhe vendor, dhe përfaqësues të organizatave të fushës së aftësisë së kufizuar, pas një sërë takimesh publike. Çdo nen i ligjit është në përputhje me dispozitat e Konventës së OKB-së për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here