Letër  e  Ministres së Arsimit dërguar mësuese Linditës

0
1166

Dr. Ndriçim Mehmeti

E dashur Lindita!

Po të shkruaj këtë letër tani që jam ministre për ty si mësuese. Edhe unë kam qenë dikur si ty, madje kam edhe emrin tënd. Ndoshta e ke harruar, por edhe mua në vitin e largët shkollor 2005-2006, më kapi shumë stresi nga reformat në arsim dhe ju futa politikës. Këtë e bëra jo nga dëshira e madhe, pasi kam qenë mësuese shembullore, të paktën kështu mbaj mend se kanë kaluar vite, por thjesht të shpëtoja nga pasojat e stresit, që mund të prishnin ekuilibrat në familje. Prandaj lash pas dashurinë, mallin, dëshirën, pasionin për mësuesinë dhe ju futa politikës. Për nder gjë më të mirë nuk kishte. Madje më është mbushur mendja se kot ju futa rrugës së mësuesisë. Në 2007 u bëra kryetare e dukej qartë se ylli im ishte vetëm në ngjitje.

Sot mund t’ju them me plot bindje e dashur Lindita se i dhashë fund kaosit në mendjen time. Me një fjalë i dhashë karar: Më mire politikës, sesa arsimit. Më besoni se mësova shumë për korrupsionin, sorollatjet e njerëzve, mësova mbi të gjitha, se pa partinë se një hiç. Nuk kishte përvojë më të mirë se sa ajo që kalova për dy mandate rresht në pushtetin lokal.

Bësomë! Ka qenë e vështirë t’i kundërvihesha “politikës së vjetër” e t’i bashkohesha Rilindjes që e ngritëm me aq mund e djersë. I besova më shumë Rilindjes, jo se besoja se unë mësuesja e dikurshme do të bëhesha ministre, por “thjesht ideali” i madh i rilindësve të parë, më yshte sa herë që gdhihesha e ngrysesha. Doja të dilja ballëlart nga beteja ime e “madhe”, për një “Shqipëri evropiane”. Mbase kjo ju mësuese Lindita ju duket çudi, po tani është fakt, besomë. Kur u bëra Ministre Arsimi, sesi u ndjeva, por më fund i dhashë kurajë vetes: “Jepi se e bën. Nuk është ndonjë gjë e madhe. Arsim është”.

Dhe tani pas tre vjet e kusur në karrigen e ministres, unë jam krenare për Ty mësuese Lindita. Do të thuash pse?

Të lashë një vit pa kontratë pune. Nuk të rrita rrogën në tre vite. Nuk të dhashë asnjë shpërblim për punën tënde stresuese. Të mora nëpër këmbë si desha dhe sa herë ma lypte nevoja. Nxora me dorën time një sërë udhëzimesh, që të mos merrje frymë asnjë minutë në punën tënde fisnike. Madje edhe për kontratën e punës të tërhoqa zvarrë e ta bëra pas një viti që të skadojë në periudhën e zgjedhjeve në 2017. Pasi ndava copën e tortës me LSI-në të solla edhe drejtues shkollash të shquar në fushën të ndryshe si: Shitës syzesh e veshmbathjes, artistë të humorit, arkëtarë të ndihmës ekonomike, infermierë të përshtatur si mësues të arsimit fillor. Por ama mësuesit i zgjodha me kujdes, me një shpikje origjinale të padëgjuar në asnjë vend, përmes Portalit të njohur “Mësues për Partine”. Pra mësuesi zgjidhet pas miratimit të partisë dhe jo sipas aftësisë. Për të kompletuar të gjithë këtë panoramë, e dashur mësuese Lindita i ktheva shkollat në stalla lopësh, pelash e gomerësh, madje edhe në magazina, për të ruajtur në mënyrë sa më natyrale, qepë, domate, e zarzvate të ndryshme. Dhe kjo është një arritje, pasi bën pjesë në projektin tim ambicioz të shkollës komunitare. Le që ju i keni parë vetë, por unë s’bëj keq t’jua përsëris edhe njëherë, pasi ju mësuesit e sotëm harroni shpejt të mirat që ju kemi sjellë.

Por kemi ende punë për të bërë. Çfarë do të thoni ju?

Nuk jam fare e kënaqur me linë që kam bërë, ndonëse duhen pak muaj të më mbaroj mandati. Kam harruar të nxjerrë ca udhëzime, për të bërë që universitetet të jenë në  një dorë të vetme, pa asnjë autonomi, ndonëse mua më duhet t’jua përmend ndonjëherë këtë  njerëzve, sa me i bë qejfin pedagogëve. Nuk kam ndërtuar asnjë shkollë, por ama e bëra ndërtesën e Ministrisë së Arsimit, më të bukur se Shtëpia e Bardhë. E meqë ra fjala, mësuese Lindita, këtë vit nuk kisha ndërmend të hapja thesin kaq shumë, por ç’ti bëj mikut tim Kryeministër: Ai më pëshpëriti në vesh; “Edhe gjashtë muaj kontratë kanë me ne. T’i bëjmë një nder t’ua ngremë rrogat, pastaj i shkurtojmë vendin e punës e mbledhim mendjen”. Unë kuptohet u “hidhërova”, por e mirëkuptova. Në fund të fundit thashë me vete: “tranzicion është ndonjë vuajte do të ketë. E kush më shumë se mësuesit nuk e duron dhe e kupton dhimbjen në këtë vend”. Kështu që mendova të marr me të mirë me këtë letër në prag të festave, që t’i mezi i pret të shpëtosh nga stresi dhe arroganca e drejtuesve të arsimit.

Besomë! Unë vetë jam ajo që besoj se kush të rreh, të urren dhe të denigron deri në shpalljen non grata brenda vendit tënd, është më i vlefshëm se sa sjelljet që bëjmë ne përpara publikut. E di që shuam herë të shkon në mend të ndërrosh zanat, si unë para ca vitesh, por besomë e ke të vështirë. Por gjithsesi për sa kohë të ndërrosh mendje e të përgatitësh veten për rrugën e re, lajmi i keq është se unë do të jem ministrja jote e lajmi akoma më i mirë është se prapë do të vazhdoj të bëj të njëjtën gjë sa kohë të jem ministrja jote. Kështu që unë vetë besoj se vuajtjet do të zgjasin ca, për ca kohë, unë të sakrifikoj ty e dashur mësuese Lindita, për të fituar gjeneratën tjetër. Tani një lajm të mirë, që nuk besoja se ju e dashur Lindita e prisnit, për më tepër nga unë, Lindita ministre. Do të rris pagën me 10% që është më shumë se 40 % që ke marrë në të kaluarën. Mbase do të kesh rastin që t’i gëzosh në mars, prill apo maj 2017, por rëndësi ka ideja. Edhe trajnimet do të vazhdoj t’i bëj me lekët e tua, sepse rrogën ta ngrita.

Kështu që mungesat në familje, tensionin e përgatitjeve për kurrikulën e re angleze do ta kalosh më me pak dhimbje. Për këtë të premtoj unë Ministrja e Arsimit.

Të jam mirënjohëse pa fund e dashur Lindita që sakrifikon veten për mua. Unë nuk do ta bëja, prandaj ika sa më shpjet që munda nga shkolla dhe ta lashë gjithë barrën ty. Nuk pres as të më falësh e as të mirëkuptosh. Këtë gjë ta kërkoj pa mirësjellje

 

Pa mall e dashuri për mësuese Linditën dhe arsimin

E juaja Ministrja e Arsimit

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here